Lifestyle

Të synosh majat e futbollit

Endrit Demolli është profili i radhës në Flatra, lindur 16 vite më parë në Prishtinë, një nga nxënësit e shkëlqyer i shkollës “Zenel Hajdini në gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Por në këtë intervistë ai na flet për pasionin e tij më të madh, futbollin, aktualisht  pjesë e ekipit të  kadetëve (U-17)  të KF “Flamurtari.

Kur keni filluar të merreni me futboll dhe pse ky pasion për këtë sport?

Me sportin e futbollit kam filluar të merrem që nga viti 2006,  d.m.th që nga mosha ime 5 vjeçare. Pasioni im për futbollin buron nga mjedisi familjarë ku jam lindur dhe rritur.  Sepse, sikurse në familjen e ngushtë ashtu edhe në atë të gjërë (axhallarët, djemtë e tyre etj.)  loja e futbollit, ka qenë dhe është gjithnjë temë për të cilën më së shumti  diskutohet, kurse ndeshjet  e futbollit zënë hapsirën kohore më të madhe  në ekranet tona televizive, që d.m.th. se në familjet tona  prej të gjitha programeve televizive, më të shiquarat janë ato të sportit respektivisht të futbollit. I lindur dhe rritur në një ambient të tillë, qysh në moshën 4 vjeçare jam bërë një “simpatizues i flaktë” i kombëtares së Brazilit, kurse në vitin 2006 me emocione të theksuara i kam shiquar dhe përcjellur (kuptohet në TV) ndeshjet e Brazilit në kuadër të Kampionatit Botëror të futbollit,  Gjermania 2006. Mbaj mend, që në vjeshtën e parë pas këtij kampionati, “nën presionin” tim, sepse në vazhdimësi kërkoja që të filloja me ushtrime në lojën e futbollit,  babai im e ka kontaktuar  Z. Fatmir Ibrahimin, trajnerin e  parafatosëve të KF ”Flamurtarit” dhe një ditë më vonë me ka  dërguar, në stadiumin e  Flamurtarit, kur edhe ju kam  bashkangjitur “parafatosëve” të këtij klubi dhe kam zhvilluar ushtrimin e parë futbollistik.

Aktualisht në cilën skuadër  luani dhe cilat janë arritjet tuaja në futboll?

Konform moshës time, aktualisht jam pjesë e ekipit të  kadetëve (U-17)  të KF “Flamurtari” me të cilin  garojmë  në regjionin e Prishtinës. Mirëpo për shkak të ndërtimit tim fizik por edhe shkathtësive futbollistike, së bashku me dy bashkëlojtarë të tjerë, jemi të ftuar dhe ushtrojmë edhe  me  futbollistët e  grupmoshës U-19, kuptohet të KF “Flamurtarit”, me të cilët garojmë në Superligën e Juniorëve të Kosovës. Kjo  do të thotë se nga fillimi i kampionatit 2017/18, trajnimet futbollistike i zhvillojë me ekipin e  grupmoshës  U-19 të KF “Flamurtari”, kurse ndeshjet garuese i zhvillojë  me të dy ekipet, atë  U-17 dhe U-19. Sa i përket të arriturave të mija  në futboll, fillimisht do të theksoja se për këto dhjetë vite sa jam duke ushtruar dhe luajtur futboll kam qenë  pjesë e ekipeve të grupmoshave të parafatosëve, fatosëve, pionerëve dhe aktualisht jam pjesë e ekipit të  kadetëve dhe juniorëve të KF”Flamurtari”. Me këto ekipe disa herë jemi shpallur kampion të regjionit të Prishtinës, fitues të kupës, pjesmarrës  dhe fitues (kampionë) në garat përfundimtare (play-off)  në nivel të Kosovës etj. Unë vlerësoj se suksesi më i madh i imi është fakti, që në dy vitet e fundit d.m.th. 2016 dhe 2017,  jam bërë pjesë  e përfaqësuesës së futbollit të Kosovës (U-17) që drejtohet nga përzgjedhësi Besnik Kollari, trajneri Fadil Berisha dhe trajneri i portierëve Bahri Berisha.  Deri më tani  kam zhvilluar shumë ndeshje ndërkombëtare me ekipin  U-17  të Kosovës,  respektivisht kam marrë pjesë në tri turne ndërkombëtare dhe atë në Izmir   ( turneu “Mercedes Benz Aegean Cup”) të Turqisë (janar 2017) ku  në grupin tonë përveç Kosovës ka marrë pjesë edhe kombëtarja e Turqisë, Greqisë dhe Sllovakisë,  pastaj  në turneun që u zhvillua në Castelbar të Republikës së Irlandës (maj-2017)  ku kemi luajtur kundër Danimarkës,  Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore.  Për mua  e paharrueshme do të jetë ndeshja  kundër Irlandës Veriore, në të cilën jovetëm që isha futbollist startues i ekipit tonë, por edhe shënuam një fitore bindëse  4:0, e cila njëherit është  edhe fitorja e parë e shënuar nga ndonjë përfaqësuese e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pas anëtarësimit të FFK-së në UEFA. Si dhe kam marrë pjesë në turneun kualifikues për kampionat Europian, i cili është  zhvilluar në Budapest të Hungarisë (10-17 tetor 2017) e në të cilin kundërshtarë të Kosovës ishin kombëtaret e  Holandës, Hungarisë dhe Uellsit. Përveç këtyre turneve, si  pjesë e përfaqësuesës të Kosovës (U-15), kam marrë pjesë edhe në “Kupën e Paqës” (Coppa della Pace) në  Citta Di L’Aquilla të Italisë (gusht 2015),  pastaj  me   U-12  të kombëtarës së Kosovës,  kam marrë pjesë në turnirin “Izmir Cup” në Turqi (prill 2012), i cili  ka qenë  njëherit edhe turneu im i parë i karakterit ndërkombëtar. Kur bëhet fjalë për sukseset e mija në futboll, gjithësesi duhet përmendur  edhe testimin (sprovimin) tim në KF Valarenga, klub  që garon në ligën elite të Norvegjisë. Testimi është bërë nga disa (5)  trajnerë (ndër ta edhe Tommy Berntsen ish futbollist i Bundesligës dhe kombëtares Norvgjeze) të këtij klubi sikurse të grupmoshës U-16 ashtu  edhe U-19. Ndërsa vlerësimi përfundimtarë i tyre për shkathtësitë e mija  futbollistike, ka qenë tejet pozitiv dhe ka mbetur që në një të ardhme të afërtë të rregullohen vetëm edhe disa çështje të karakterit administrativ, në mënyrë që unë të transferohem dhe  bëhem pjesë e ekipit U-19 të këtij klubi norvegjez.

Cili është mendimi juaj për futbollin, që zhvillohet në Kosovë, kushtet në të cilat luajnë futbollistët?

Sikurse theksova edhe më parë, deri më tani  kam  zhvilluar ndeshje të futbollit  në shtete të ndryshme të Europës, si në Itali, Turqi, Republikë të Irlandës, Norvegji, Hungari dhe Shqipëri, andaj kam pasur mundësinë që të shoh dhe të krahasojë infrastrukturën e futbollit të këtyre shteteve me atë të Kosovës.  Nga ajo që kam parë mund të them se bashkëmoshatarët tonë të shteteve të tjera kanë kushte shumë më të mira se sa që i kemi ne. Realisht shiquar,  këto kushte ndikojnë drejtpërdrejt edhe në cilësinë e lojës dhe ngritjes së futbollistëve, sepse shumë veprime si pranimi i topit, pasimi, driblingu etj., më lehtë kryhen në fusha të mira, se sa në ato që ne i zhvillojmë  ndeshjet tona. Por ne dallojmë prej bashkëmoshatarëve tonë të shteteve të tjera, sepse punojmë me një vullnet, përkushtim dhe disiplinë më të madhe. Poashtu më duhet  thënë së të rinjtë kosovarë shquhen edhe me talent të madh që kanë për lojën e futbollit.

 Cilat janë ambiciet tuaja për të ardhmen?

Si çdo  futbollist i ri edhe unë kam ëndrra dhe ambicie të theksuara, që ndërlidhen me karrierën time futbollistike. Dëshira ime është që së shpejti, të vazhdojë ngritjen, avansimin dhe ndërtimin tim si futbollist, në ndonjë klub të Europës Perëndimore ( si p.sh. Norvegji),  ku gjithësesi  janë kushtet më të mira, se sa këtu të ne, për zhvillimin tim si futbollist, me qëllim të arritjes së majave më të larta në këtë sport “magjik”. Më tutje, kur të mbushi moshën për gara me kategori të seniorëve, dëshirojë që si futbollist profesionist, të bëhem pjesë dhe të luaj për ndonjë klub  futbollistik të ndonjë shteti europian, pse jo edhe  të pesëshës së madhe të Europës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë