Gruaja

Të mësosh dhe të frymëzosh gjeneratat në Prishtinë

Sot udhëheq një nga shkollat më komplekse të Prishtinës, Zana Zeqiri, drejtoresha e shkollës “Hilmi Rakovica” në Kodrën e Trimave, në një intervistë për Flatrën, na rrëfen sfidat dhe sukseset, rrugëtimin e saj në këtë profesion të shenjtë si dhe gjurmët, që dëshiron të lë në gjeneratat që vijnë.

 Së pari na flisni pak për përvojën tuaj si mësuese?

Sa herë që më bëhen pyetje të tilla ndjehem shumë e veçantë, ngase kujtoj rrugëtimin tim e  të qenit mësuese-misionin e shenjtë të edukimit të brezave. Kujtoj letrën e Kryetarit të  SHBA – Abraham Linkoln drejtuar mësuesit të birit…..duke i krahasuar me esetë mbresëlënëse të nxënësve të mi me temën: ”Personi që më ka frymëzuar” dhe rikthej në retrospektiv punën e bërë me nxënësit përgjatë një kohe të gjatë. Është e vështirë të artikuloj e bëj bashkë një mori fjalësh që të tregojë dashurin e madhe që kam pasur gjithnjë për fëmijët, inspirimin që të punoj në personalitetin, vlerat etike e morale të tyre. Tërë shkollimin dhe përvojën e gjatë në punën arsimore e realizova me përkushtim dhe dashuri ndaj nxënësve. Pasioni për shkollën dhe dijet vijnë nga familja arsimdashëse, respektivisht babai im i cili formësoj personalitetin tim duke kultivuar vlerat arsimore tek unë. Për shumë vite punova si mësuese klase në shkollën publike “Hasan Prishtina” në Prishtinë, e dalluar për rezultatet e treguara në mësimdhënie dhe nxënie. Një gjeneratë e përcolla edhe në shkollën jo publike fillore dhe të mesme të ultë “ Mileniumi i Tretë” , me ç’rast nxënësit e klasës u dalluan me arritje dhe suksese të vazhdueshme. Puna me përkushtim, qasja serioze ndaj obligimeve dhe përgjegjësive, bashkëpunimi, korrektësia, modestia si dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës ….. janë treguesit e punës cilësore dhe disa nga virtytet e shumta që e karakterizojnë personalitetin tim.

Aktualisht jeni drejtoreshë në shkollën “Hilmi Rakovica” në Kodrën e Trimave, na flisni pak se cilat janë sfidat kryesore të kësaj shkolle?

Secila punë që bëhet me përkushtim është edhe mjaft sfiduese. Fillimisht, ardhja ime në një mes të ri me një kolektiv dhe numër të madh të nxënësve nxiti kërshërinë e angazhimit në kuptimin e njohjes me diverzitetin e personelit shkollor, nxënësve, prindërve dhe komunitetit. Më pas, identifikimi i treguesve dhe rezultateve që tregojnë suksesin e shkollës, njohja me kulturën dhe metodologjinë e mësimdhënies, mundësia e ndryshimit në një qasje të të nxënit inovativ, gjetjen e strategjive të zhvillimit të cilësisë, eliminimin e mungesave të nxënësve dhe humbjes se orëve mësimore, menaxhimin e objektit shkollor e shumë fusha tjera të cilësisë që ishin disa nga vështirësitë aktuale që preokuponin ekipin drejtues të shkollës…..Udhëheqja ngërthen në vete shumë epitete, andaj ngritja e cilësisë arrihet vetëm me bashkëpunim, punë ekipore, zhvillim profesional të gjitha palëve, që krijon një stabilitet e qëndrueshmëri institucionale në realitetin kosovar duke qenë model i mësimdhënies bashkëkohore.

Po arritjet që keni ju si shkollë?

Synimi i shkollës është përmirësimi i fushës së cilësisë që nënkupton të nxënit si një problem kompleks që ka ndikim të fuqishëm në efikasitetin dhe efektivitetin e mësimdhënies në përgjithësi dhe të nxënit në veçanti. Bazuar në këtë fakt, prioritet i shkollës është zhvillimi profesional i vazhdueshëm i mësimdhënësve. Për të gjitha projektet e realizuara kemi pasur mbështetje të vazhdueshme nga ekspert me përvojë të madhe arsimore si dhe partnerë të nivelit lokal e qendror. Prioritet i kemi dhënë fuqizimit të sistemit të informimit dhe zhvillimit të kulturës shkollore me aktivitete e veprimtari të ndryshme. Kemi filluar me sistemin e vlerësimit të performancës së shkollës bazuar në “Shkollat mike për fëmijë”. Tërë aktivitetet mësimore kanë përshkuar me një qasje konstruktiviste të nxënit, projektet ndërlëndore në të gjitha nivelet, kuizet e diturisë, klubet, garat si dhe shumë aktivitete tjera jashtëmësimore që i dhanë një ngjyrim tërheqës shkollës… Në fazën tjetër startuam me projektin e fituar shkollor për ndërmarrësi – Seecel, projektin e fituar të nivelit fillor – Kosovision Contest për shumë vite me radhë, akademia për EDQ me projektin “Trashëgimia dhe diversiteti kulturor”. Po ashtu një peshë të veçantë mban pjesëmarrja në projektin ”Komuniteti i të mësuarit së bashku – Gjurmët e suksesit” si dhe shumë punëtori profesionale për mësimdhënës. Krijimi i këndeve të reja të nxënit në hapësirat shkollore si këndi i leximit dhe ai i matematikës, ngritja e mësimnxënies praktike përmes eksperimenteve dhe mësimit kabinetik. Në fushën e kulturës së shkollës u funksionalizuar nga nxënësit dhe mësimdhënësit web-i i shkollës, letra informative mujore, dhe revista vjetore. Mirëpo, para vetes kemi akoma shumë për të bërë, prandaj rruga në të cilën dëshirojmë të arrijmë na shpie drejt rritjes së vazhdueshme të cilësisë.

Cili është mendimi juaj sa i përket kurikulës, teksteve shkollore, për të cilat ka shpesh ankesa nga prindërit?

Tashmë Sistemi i Kurrikulës po funksionon në të gjitha shkollat e Kosovës. Qëllimi i këtij sistemi është zhvillimi i një mësimdhënie konstruktive e atraktive bazuar në rezultate të kompetencave. Mësimdhënësit janë promotorë të procesit mësimor që ndihmojnë arritjen e kompetencave tek të gjithë nxënësit. Një mësim i integruar ndërlëndor e ndërfushor po kalon natyrshëm nga mësimdhënia përmbajtësore në rezultate të nxënit të arritjes tek secili nxënës. Padyshim që politikat shtetërore kanë paraparë dhe përgatitur tekstet shkollore  duke i përshtatur me nevojat e ndryshimeve të sistemit kurrikular, megjithatë mësimdhënësit kanë autonominë dhe fleksibilitetin e mundësisë së tyre që të gjejnë burime të ndryshme të informacionit duke mos u kufizuar me fanatizëm në përmbajtje të teksteve aktuale mësimore. Duke e pasur të qartë se pikësynimi ynë është të zhvillojmë aftësitë e nxënësve për të mësuar gjatë gjithë jetës, aktivitetet e shumta kurrikulare të organizuara brenda dhe jashtë shkollës janë të domosdoshme për promovimin e vlerave të nxënësve si qytetarë të përgatitur për shekullin XXI dhe anëtarë të denjë të shoqërisë.

Pas publikimit të rezultateve PISA, arsimi në Kosovë u bë objekt diskutimi në nivel kombëtar, sipas jush, në këto rezultate kemi vetëm një palë të problemit, pra shkollat, po familja?

Nevoja për të ndryshuar dhe për tu zhvilluar është aq e madhe sa që përfshirja e prindërve në arsimimin e nxënësve është thelbësore. Fillimisht duhet bërë një analizë të thellë mbi faktin se pse kemi ngecur në rezultate dhe cilësi në mënyrë që të krijohen kushtet elementare për krijimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit thelbësorë për zhvillimin e komunitetit, e veçanërisht ndikimin e bashkëpunimit shkollë – familje. Vetëm me punë të vazhdueshme nga të gjitha palët, përkushtim ndaj mësimit si parakusht i nevojshëm i ndriçimit të mendjes së diturisë do të shkruajmë historinë e së ardhmes se vendit tonë dhe do të jemi pjesë e trendeve globale arsimore.

 Çfarë ju ka tërhequr dhe ju mban fort të lidhur me këtë profesion ju personalisht?

Çdo ditë e re në punë sjellë një prioritet të ri, një projekt sfidues që kërkon zgjidhje, një pasion për iniciativa bashkëpunuese gjë që sjellin rezultate të njëpasnjëshme dhe plotësojnë synimin tim. Zhvillimi i Shoqërisë së Dijës përkon me nevojën e angazhimit të vazhdueshëm si menaxhere e një institucioni. Në botën që ne jetojmë sot, jo gjithçka vjen falas, veçanërisht ngritja e brezave të ri të cilët meritojnë shumë më tepër se sa që po ju ofrojmë. Andaj këtë ne mund ta arrijmë vetëm me promovim të punës, respektit, atdhedashurisë, besimit, guximit e mirënjohjes. Fëmijët tanë duhet të kuptojnë se arsimi është rrugëtimi i vetëm drejt një aventure që do t’i përcjellë gjatë gjithë jetës.

admin

Artikujt e tjetrë