Kulturë

Kambanat që bien për shoqërinë

Kur e lexon “Shoqëri në alarm” njeh në thellësi çështje dhe problem të ndryshme që e ngërthen shoqërinë, kulturën dhe mentalitetin tonë, është një guidë, jo thjeshtë njohëse, por edhe një “kambanë” alarmi për të gjithë ata që duhet të jenë pjesë e një procesi, i cili çon drejt zgjidhjeve të këtyre barrierave.

 

“Falë një koincidence linguale  turp dhe trup, paraqiten si anagram reciprok, me një inversion të dy shkronjave, si për të treguar sa i rrënjosur është turpi në qasjen që kemi për trupin”- shkruante pak kohë më parë sociologia Sibel Halimi, e cila tashmë vjen nëpërmjet librit më të ri të titulluar “Shoqëria në alarm”.  I promovuar dje në Dit e Nat, libri ka përfshirë një punë të gjatë kërkimore të autores në këto vitet e fundit. Arbër Selmani, moderatori I këtij promovimi, theksoi se libri përmban emra kontradiktor që lidhen me fusha të ndryshme, si emri i Shefqet Krasniqit, Rexhepi Qosjes, Atifete Jahjaga e deri tek Era Istrefi apo Akademia e Shkencave. Duke u dhënë kështu trajtim të veçantë çështjeve të ndryshme të shoqërisë kosovare. Ndërsa Nita Luci, antropologe, nënvizoi faktin se “Shoqëri në alarm” vë në pah këndvështrime dhe ide, të cilat mund të jenë të ndryshme varësisht nga konteksti i leximit. “E veçanta e këtij libri vjen në faktin se ndonjëherë e bën lexuesin të qesh edhe në momentet më të dhimbshme. “Burrat janë baballarët e kombit, ata që formuan, zhvilluan dhe drejtuan shtetin. Ata para të cilëve shteti përkulët, njerëz me mustaqe, lavdia e të cilëve në histori nganjëherë rri e varur pikërisht në atë grumbull qimesh”,- duke lexuar një pasazh të shkëputur nga libri i autores Sibel Halimit. Për sociologen Linda Gusia, është e rëndësishme që viteve të fundit ka përpjekje për ta tejkaluar hendekun e madh mes akademisë dhe aktivizimit dhe lokalizimit të dijes, angazhimit feminist edhe po ashtu të flasësh për subjektin e gruas prej një konteksti shumë të vështirë. “Shoqëri në alarm” është një dedikim, por në të njëjtën kohë edhe apel për vajzat dhe gratë, të cilat shpesh janë përballur në situata jo të mirë për shkak se për fatin e tyre kanë vendosur grupet e tjera, duke u nisur edhe nga sistemi ynë patriarkal.  “Reagimi im i përditshëm vjen si pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur dy dekadat e fundit dhe që shumë grupe i kanë kanalizuar këto ndryshime në bazë të ideologjive të tyre”- theksoi autorja Sibel Halimi, duke shtuar se vetëm epoka e fundit e feminizmit përpiqet që trupin ta kthej në figurë qendrore për shkak se trupi është bërë vend i shtypjes, i kontrollit dhe disiplinimit.

Kur e lexon “Shoqëri në alarm” njeh në thellësi çështje dhe problem të ndryshme që e ngërthen shoqërinë, kulturën dhe mentalitetin tonë, është një guidë, jo thjeshtë njohëse, por edhe një “kambanë” alarmi për të gjithë ata që duhet të jenë pjesë e një procesi, i cili çon drejt zgjidhjeve të këtyre barrierave. Është një libër që secili prej nesh duhet ta ketë në bibliotekën personale për të kuptuar më mirë, për të lënë mbrapa paragjykimet dhe mbi të gjitha, ashtu si thotë vet autorja, mos të flasim përherë për gruan me nocionin e emancipimit, që në fakt nuk ka qenë vetëm një përpjekje për t`i krijuar asaj barazi, por një mënyrë për ta legjitimuar pozitën e saj inferiore përballë konteksteve shoqërore.

admin

Artikujt e tjetrë