Gruaja

Teuta Arifi, politikania përtej kornizave

Qytetarët i besuan edhe një mandat të dytë, duke e zgjedhur sërish në krye të komunës së Tetovës. Ju sjellim të parën grua shqiptare, e cila drejton një komunë në Maqedoni, Teuta Arifi, në këtë intervistë ekskluzive.

Për një grua, sigurisht që duket të jetë një sfidë më vete. Megjithatë përtej stereotipave, që krijohen për gratë dhe “punën e meshkujve”, Teuta Arifi na dëshmon çdo ditë se vullneti dhe përkushtimi janë elementet e suksesit pavarësisht gjinisë. Tashmë ky është mandati i saj i dytë si e para e Tetovës dhe në këtë muaj të rëndësishëm për shqiptarët ne ju sjellim një rrëfim të saj  të plotë, në këtë intervistë për Flatrën vjen edhe përtej “petkut” të politikës.

Jeni zgjedhur edhe për një mandat të udhëhiqni qytetin e Tetovës. Çfarë sfidash ju presin në këtë rrugëtim të dytë?

Në mandatin e parë përveç shumë projekteve tjera, ne kemi arritur të përmbyllim dy projekte kapitale për qytetin. Përfundimisht i kemi dhënë fund projektit të ujit të pijshëm dhe pastrimit të deponisë. Dy probleme që vërtetë kanë qenë shqetësuese për qytetarët. Sigurisht në rrugëtimin tonë na presin shumë sfida që vijnë si probleme të shtresuara me vite. Por, padiskutim një ndër projektet madhore që ne e kemi afishuar si prioritet mbetet projekti për filtrimin e ujërave të zeza që kap një shumë disamilionëshe. Mjetet për këtë projekt kapital tashmë i kemi siguruar nga fondet europiane IPA që kapin vlerën prej 33 milionë euro. Çdo rrugëtim i ka sfidat e veta, sidomos kur bëhet fjalë për pushtetin lokal, ku me vite janë shtresuar shumë probleme. Ne, sikurse edhe në mandatin e parë, do të përpiqemi që të ruajmë konstantat e angazhimit dhe punës sonë në shumë drejtime, duke krijuar kështu një paletë të gjerë të punëve që do t’i japin Tetovës imazhin e një qyteti urban me zhvillim të qëndrueshëm dhe me projkesione që janë në përputhje me pritjet e qytetarëve dhe kapacitetet financiare të komunës. Infrastruktura, implementimi i një koncepti modern urban, krijimi i ambientit të favorshëm për bizneset e vogla dhe të mesme, zgjerimi i hapësirave të gjelbërta do të jenë gjithashtu prioritete dhe sfida edhe për këtë mandat të dytë. Inkarnimi i një jete dinamike kulturore gjithashtu do të jetë në agjendën e angazhimeve tona sikurse deri më tash.  Arsimi, gjithë gama e menaxhimit që është në kompetenca të pushtetit lokal do të jetë në fokusin e angazhimit tonë. Me një fjalë, gjithë ajo që nënkupton koherencë për zhvillim të qëndrueshëm të qytetit do të fuqizohet në përputhje me transparencën dhe qeverisjen e mirë si vlerë e padiskutueshme jetës demokratike të qytetit.

Të kthehemi pak në kohë. E kujtoni momentin apo periudhën kur vendosët, që politika të jetë pjesë e rëndësishme në karrierën tuaj dhe çfarë ju motivoi që të angazhoheni në këtë sferë?

Sigurisht nuk është një çast i vetëm që përcaktoi rrugëtimin tim në politikë. Janë shumë momente, shumë zhvillime brenda asaj kohe të largët që në njëfarë mënyrë padiktueshëm po impononin në vetëdijen time pjesëmarrjen në politikë. Gjithsesi kjo ndërlidhet edhe me faktin që nuk doja të rrija indiferente ndaj proceseve, ndaj ndodhive që shpesh herë përplaseshin si fatalitete në skenën politike. Njeriu gjithnjë ka një sens për zhvillimet politike edhe atëherë kur ndodhet jashtë orbitës së politikës. Sigurisht një njeri i mendimit, i ndjeshmërisë krijuese ka tundime për sa i përket angazhimit politik. Por vjen një moment kur imperativi i angazhimit në politikë bëhet i madh, sepse vetë ora e dinamikave politike dhe shoqërore tashmë e ka paracaktuar një gjë të tillë. E ndjeja imperativin për t’i dhënë politikës atë që unë mendoja se është më e mira. Një dimension human nga thellësia ime tashmë kërkonte që të vë në dispozicion dijen time për të mirë të interesit të përgjithshëm, në interes të kohës së trazuar që përcaktonte fatin e popullit tim.

Mund të na flisni pak për disa nga çështjet që ju tërheqin më shumë?

Sigurisht ka shumë, por do të veçoja librat, ngjarjet kulturore, komunikimin me njerëzit dhe padiskutim jetën familjare që mbetet një oazë prehjeje dhe përplotësimi në këtë jetë. Përgjithësisht më tërheqin gjërat që përfaqësojnë kulturë dhe qytetari, humanitet njerëzor dhe kreativitet, dhe besimi i mirëfilltë në demokraci si koncept, i cili gjen shtrirjen e vet në mënyrën se si duhet të kuptohen dhe zhvillohen proceset shoqërore.

Nëse do të ju duhej të përzgjidhnit një çështje, e cila nuk është adresuar sa duhet nga qeverisjet e kaluara e që ka interes të theksuar për komunën, cila do të ishte ajo çështje?

Komunikimi hapur me qytetarët mbi hallet e tyre. Sepse vlerësoj se të dëgjosh është po aq e vlefshme sa edhe të marrësh vendime. Është e dyanshme dhe në të njëjtën kohë krijon vizionin mbi atë se çfarë duhet bërë, çfarë duhet projektuar si prioritet. Tetova si qytetet i një rëndësie të veçantë për shqiptarët e Maqedonisë duhet edhe më tej të zhvillohet në kuptimin e konceptimit urban të qytetit dhe ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët. Jemi shumë afër implementimit të transportit publik në qytet që gjithsesi do të ketë implikacione pozitive për sa i përket  reduktimit të komunikacionit të stërngarkuar si dhe zvogëlimit të ndotjes së ajrit ambiental. Dua gjithashtu ta theksoj edhe kulturën si pjesë të pandashme të jetës së qytetit. Njeriu përveç që është qenie sociale-shoqërore, ai gjithashtu është edhe qenie kulturore. Dimensioni i parë kërkon shërbime cilësore, infrastrukturë, zhvillim ekonomik, ndërsa dimensioni i dytë kërkon jetë kulturore, kultivim dhe hemisfera pak më të larta.

Pse ekziston një preokupim publik me stilin dhe veshjen e grave në politikë, çfarë mendoni ju në lidhje me këtë, kur shpesh qoftë nga mediat apo publiku politikanet, më shumë trajtohen nga ky aspekt sipërfaqësor duke lënë anash angazhimin e tyre thelbësor?

Më pëlqen që të qëndroj mbi këto stereotipe. Gjithnjë jam udhëhequr nga teza se nuk është veshja ajo që më mban mua, por jam unë ajo që e mbaj veshjen. Unë besoj thellësisht se gruaja është e zonja që denjësisht ta përfaqësojë veten në jetën publike mbi hiperbolat e veshjes. Mbetet e rëndësishme që çfarë esencash përfaqëson, sepse kjo është e rëndësishme për jetën publike. Sensibiliteti i gruas në jetën publike nuk është veshja, por është kreativiteti në të menduarit dhe në veprim, dhe përfaqësimi.

Ka kaq shumë gra intelektuale dhe ambicioze në botë, por shumë pak prej tyre zgjedhin të bëjnë karrierë në politikë. Pse ndodh kjo?

Mbase është krijuar me kohë një tabu mbi politikën si sferë që dominohet nga burrat. Mbase fjala politikë shpesh herë keqkuptohet në perceptime tjera që ndërlidhen me pamjen e pushtetit që mbetet gjithnjë “hijerëndë”. Sigurisht politika kërkon një energji plotësuese. Kërkon komunikimin permanent dhe prani më të madhe në jetën publike. Kjo mbase në një farë mënyre i zmbraps gratë që të merren me politikë. Sigurisht mbetet sfiduese që të shkrish në një profil dimensionin intelektual dhe politik edhe pse politika në asnjë rast nuk e përjashton sensibilitetin intelektual. Sidoqoftë ka pasur dhe vazhdon të ketë prani të grave në politikë që me shumë përgjegjësi dhe përkushtim i janë përgjigjur sfidës që e ofron jeta politike.
Mendoj që gratë në përgjithësi mbajnë në vete energjinë dhe vendosmërinë e nevojshme për të bërë ndryshimet në shoqëri. Kjo rrjedh thjesht nga fakti se në shoqërinë tonë, ato kanë qenë në pozitën e spektatorit dhe ndaj tyre janë imponuar gjithnjë realitetet e përditshmërisë, dhe vendimet janë sjellë nga të tjerët por në emër të tyre. Kjo ka bërë që ato të zhvillojnë një rezistencë, duke mos qenë aspak konformiste, dhe gjithnjë duke u munduar të gjejnë mënyrë ndryshe, për një realitet ndryshe, në një rreth i cili do t’i perceptonte ndryshe. Pra gratë janë dhe do të mbeten forca dhe shtysa kryesore e progresit të një shoqërie.

Në përgjithësi ekziston pyetja se si arrijnë gratë në politikë të balancojnë jetën e tyre personale dhe karrierën?

Gjithçka është çështje menaxhimi, sidomos menaxhimi me kohën. Padiskutim janë dy botë të ndryshme që duhet të balancohen. Jeta personale që frymon pandalshëm brenda teje dhe angazhimet publike që mbeten të afishuara në agjenda dite, javë e muajsh. Sigurisht kërkon shumë energji. Por, me shumë dashuri dhe vullnet njeriu gjithnjë ia arrin. Arrin që të vë baraspeshën mes të gjitha atyre urgjencave që në fakt përbëjnë jetën e një gruaje të përfshirë në jetën politike. Si çelës suksesi  që të jep baraspeshën e nevojshme për të  qenë një grua e suksesshme si në familje ashtu edhe jetën profesionale dhe atë politike mendoj se është padyshim impenjimi që çdoherë të udhëhiqemi nga parimet e jo nga rrethanat.

 

admin

Artikujt e tjetrë