Arte Pamore

Të dizajnosh trashëgiminë kulturore

Disa mendojnë se traditat janë arkaike dhe nuk janë më relevante, të panevojshme për kohët e sotme moderne. Megjithatë për një pjesë të shoqërisë sonë trashëgimia kulturore është një segment i rëndësishëm, që duhet ruajtur. Sepse trashëgimia kulturore është pasqyrë e identitetit tonë, është pjesë e asaj që kemi qenë. Udhëhequr nga këto parime artistja Ilire Lepaja sot sjellë para nesh pikërisht një ndërthurje të trashëgimisë sonë kulturore, modernes dhe e prezanton atë para shoqërive tjera. Trashëgimia kulturore është në ushqimin që hamë, në rrobat që veshim, në religjionin që kemi në aftësitë për të nxënë.

Arti juaj ndërlidhet pothuajse tërësisht nga motivet tona kombëtare, pse ky interesim apo kjo përzgjedhje?

Po, pothuajse të gjitha punimet kanë motive kombëtare, fillimisht sepse më pëlqen vendi im historia dhe trashëgimia jonë kulturore, së dyti ishte dëshira për ta promovuar shtetin tonë të ri duke krijuar produkte në formë suveniresh siç nuk janë krijuar deri më tash, më moderne dhe nga këndvështrimi i një artisti!

Nga kartolinat e deri tek qëndisjet e elementeve e detajeve të tjera të trashëgimisë kulturore, na flisni pak për procesin e punës?

Produkti i parë i projektit janë kartolinat. Pas një pune 1 vjeçare për krijimin e ilustrimeve dhe përshkrimeve që përmban çdo ilustrim e pas shumë hulumtimeve kam mbërritur te ideja e prezantimit të këtyre ilustrimeve në formë të kartolinës (të gjitha ilustrimet janë të krijuara me softëer të dizajnit grafik), meqenëse kartolina është produkt relativisht i lirë dhe arrin lehtë deri te turistët dhe publiku, dhe turistët përveç pamjes së ilustrimit do të marrin edhe një pjesë të historisë të vendit tonë! Të gjitha kartolinat janë të shtypura në letër të ricikluar, për ta mbrojtur ambientin dhe për ti dhënë efektet e ngjyrave të dëshiruara. Produkti i dytë janë magnetet për frigorifer, gjithashtu produkt relativisht i lirë dhe mjaft i kërkuar nga turistët, (magnetet janë të shtypur në pllakë druri me rreze ultravjollcë). Produkti i radhës janë  gotat dhe bexhat gjithashtu me përmbajtje të motiveve kombëtare e pamje të qytetit të Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës. Për ta zgjeruar biznesin edhe më tej dhe për ta vazhduar promovimin e trashëgimisë kulturore  së fundmi kam kaluar edhe në sektorin e tekstilit. Tekstilin e kam pasion të kahmotshëm, dhe ideja për kombinimin e teknikës së dizajnit grafik në tekstil mundëson krijim e produkteve të ndryshme si çanta të bezit, këllëfë të jastëkëve, mbulesave dekorative, bexha etj.  Ky projekt u mundësua nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Institutin Riinvest, ku pas një trajnimi 3 mujor të Akademisë zhvillimore II unë aplikova me projektin e qëndisjes të dizajneve në produktete të ndryshme të tekstilit dhe fitova Grant për pajisjen – makinerinë industriale të teknikës së qëndisjes.

?

flatra2

flatra1

Sa është e vështirë të realizoni atë që e keni të projektuar le të themi në kokën tuaj, ta materializoni dhe ta shndërroni në një vepër të veçantë arti?

Për të krijuar një ilustrim apo vepër arti fillimisht kërkohet pasion pastaj duhet shumë kohë dhe detajizim!

Tekstili është një pjesë e rëndësishme e punës tuaj, sa ka ndikuar kjo në rritjen e interesimit të klientëve për trashëgiminë apo kulturën shqiptare, duke qenë se në dyqanin tuaj ju vizitojnë edhe klientë nga vend të ndryshme?

Ashtu siç është planifikuar produktet e tekstilit kanë shtuar dukshmërisht interesimin e klientëve për trashëgiminë kulturore dhe le të themi kanë fillu me dasht më tepër idenë se vendi jone ka një trashëgimi mjaft të pasur kulturore. Këto produkte krijojnë një lidhshmëri me klientet meqenëse janë produkte që përdoren në përditshmëri (çantat, jastëkët, mbulesat për tavolinë dhe komedinë)e jo vetëm produkte që shërbejnë më tepër si mjet dekorues dhe informativ si kartolina, magnetet, bexhat etj.

Dhe në fund na flisni pak për planet apo ambiciet për të ardhmen?

Do të punoj në vazhdimësi në krijimin e ilustrimeve – produkteve të reja si dhe në etiketimin e paketimin sa më profesional të këtyre produkteve. Fokusimi kryesor do të jetë tekstili ku do të punohet në rritjen e kapacitetit të prodhimit duke siguruar mjetet e nevojshme të punës dhe shtimin e numrit të punëtorëve!

 

 

 

 

 

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë