Arte Pamore

Gratë symbyllura të artistes Shqipe Kamberi

Mes të shkuarës dhe të tashmes, nuse të veshura, por me sytë e mbyllura,  pa emocione, të zhytura në një botë pothuajse pa kthim, gra të qëndisura me histori “gjenden” në Muzeun Kombëtar të Kosovës, artistikisht të realizuara nga artistja Shqipe Kamberi.

 

Ekspozita personale e Shqipe Kamberit, titulluar “Vetëdija-dikur dhe sot”, e hapur mbrëmë në ambientet e Muzeut Kombëtar, me kuratore Penesta Dika, mblodhi rreth vetes njerëz të artit dhe kulturës në vend. Në qendër të saj kishte figurën e gruas, asaj të Kanunit, por jo vetëm…Në çdo punim artistik gjeje një pjesë të kulturës sonë, qoftë asaj etnografike, po aq edhe historike. “Artistja Shqipe Kamberi në ekspozitën “Vetëdija-dikur dhe sot” paraqet nga njëra anë portrete nusesh që karakterizohen përmes përdorimit të disa detajeve veshjesh tradicionale në mënyrë simbolike, dhe nga ana tjetër paraqiten torzo grash në pëlhura. Derisa tornohet na shfaqen të veshura lehtë dhe theksojnë bukurinë e trupit të femrës, sensualitetin dhe seksibilitetin, ose edhe mburrjen e të qënit femër, nuset janë të paraqitura të veshura dhe me sy të mbyllura, pa emocione dhe të zhytura në një botë pothuajse pa kthim. Doket dhe zakonet sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, përkatësisht trajtimit të femrës sipas tij, në një jetë bashkëshortore vihet në kontekst me vetëdijen e femrës sot.”- shprehet kuratorja Penesta Dika, në fjalën hyrëse në katalogun e kësaj ekspozite.

23619119_10212407947171620_730175937_n

Grueja a në detyrë:

Me i a ruejtë nderen burrit

Me i rrogue pa zhibla

Me i ndejë nen sundim

M’u pergjegjë detyrave të kunores

Me rritë e me mkambë fmin me nderë

Me i ndejë gadi me të veshmen e të mathmen

Mos me i u përzie në fejesë të të bijve e të të bijave

 Artistja na sjellë një rimodelim të tradicionales, në mënyrën e vet…punimet e saj rrëfejnë të shkuarën, një rit të caktuar, por mbi të gjitha gjendjen sociale, kulturore dhe emocionale të gruas shqiptare, këtyre grave të qëndisura me histori. “E gjitha filloi kur e krijova punimin “Nusja”, të cilin e materializova me punë dorën e nënës time, të cilën ajo ma kishte punuar për pajë. Aty me lindi ideja për punët e mia të radhës. Dua t’i sjell  punë-doret me grep, të qëndisurat dhe veshjet tradicionale në mënyrën time, jo pse ato nuk janë prezantuar në kohë dhe vende të ndryshme, por pse unë kam filluar t’i ndjej shumë. Më sjellin emocion dhe vazhdimisht më mahnisin. Secili detaj tradicional i vënë në punimet e mia, flet diçka; paraqet një trevë, një rit, e kështu me radhë. Veshjet tona tradicionale flasin më shumë se sa që dimë ne.”- shprehet artistja.

Ndërsa për kuratoren veprat e artistes, kanë një karakter feminist dhe merren në mënyrë kritike me trajtimin e gruas shqiptare në të kaluarën që nga martesa e saj. Nusja ishte në shumë raste e dominuar nga burri, madje vende-vende, është e tillë deri në ditët e sotme, derisa të drejtat e gruas në shumë vende të botës tanimë nuk diskutohen për nga barazia. Ndërkohë kur ta vizitoni ekspozitën,e cila do tu rrëmbejë me veprat e prezantuara aty, do të vëreni se një tjetër vepër e vendosur në mes të sallës, është emëruesi i përbashkët i të gjithave atyre nuseve që ju rrethojnë, paja e nusërisë, një zakon i traditës sonë. Nëna e edukonte të bijën ndërsa përgatisnin pajën e saj, se duhej t’i nënshtrohej Kanunit dhe fatit të saj si nuse ndërsa mbi këtë pajë qëndron fisheku, simbolik për mosbindjen apo ndershmërinë e nuses.

Vetëdija-dikur dhe sot përçon një mesazh të fortë sensibilizues, por nga ana tjetër është edhe një transmetim i kulturës sonë.

admin

Artikujt e tjetrë