Letërsi

DITURIA në vigjilje të Panairit të Librit

Nga Eni Myrtollari

 

Datat 15-19 nëntor nuk janë larg. Panairi i Librit “Tirana 2017” po afron, në edicionin e njëzetë të tij, tashmë një institucion i mirëfilltë e i konsoliduar i librit, ku bëhen bashkë qindra botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Festa e vërtetë e lexuesve, pra.

Puna në një shtëpi botuese të madhe si DITURIA ka filluar shumë më herët, që me përzgjedhjen, përkthimin dhe redaktimin e përgatitjen për botim të titujve që do t’i jepen lexuesit në duar. Këtë vit, vëmendja është përqendruar te fëmijët e të gjitha moshave, pasi për ta janë botuar tetë tituj të rinj, pjesë e programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian, që mund të gjenden në këndin e përgatitur enkas. Do t’i gjeni lehtësisht, se dallohen nga kopertinat shumëngjyrëshe.

Më i fundit syresh, i sapodalë nga laboratori i DITURISË, është Dëgjoje zemrën time (Bianca Pitzorno, përkthyer nga Erion Kristo). Më parë vijnë Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm (Elisabetta Gnone, që e solli në shqip Albana Nexhipi), dy romane për të rinj nga autorja greke Alki Zei, Kostandina dhe Çadra e purpurt (përkthyen Maklena F. Nika dhe Kleo Lati), Skellig. Historia e një miqësie të pazakontë (David Almond, përkthyer nga Erblina Kërçishta), dy libra të mrekullueshëm me ilustrime për më të vegjlit: Princesha Histaminë (Erik Orsenna, përktheu Venera Domi) dhe A di të fërshëllesh, Johana? (Ulf Stark, përktheu Sokol Demaku). Kebaria, vajza që lexonte bukur (Janja Vidmar, me përkthimin e Nikollë Berishajt) mbyll pakon dhuratë prej tetë librash argëtues për lexuesit e moshave 8-14, pse jo edhe për prindërit e tyre.

Me një përkthim të ri, të bukur dhe besnik, nga Diana Çuli, do të vijë klasiku për fëmijë Princi i vogël nga Antoine de Saint-Exupéry. Domosdo, ata që e njohin (e kush nuk e njeh!) do të shkojnë turravrap te seria Harry Potter. Librat e kësaj serie nuk ndalin së qeni në duart e fansave, të vjetër e të rinj, dhe aq më tepër për ata që ende nuk e kanë marrë më të fundit libër, Harry Potter dhe Fëmija i mallkuar. Nëntë libra e shumë personazhe, djem e vajza të shkathët e të mençur, me të cilët fëmijët mund të mësojnë e të argëtohen, qindra aventura e po aq çapkënllëqe. Do të zbaviten pa masë me Priskën (Dëgjoje zemrën time), do të shkrihen gazit me Letronë dhe dy vëllezërit e saj të prapë binjakë, sidomos me Noni thuthuqin gjithë quka (Çadra e purpurt), do të habiten nga guximtarja Olga, vogëlushja jonë prej letre që nuk do më të jetë e tillë (i mrekullueshëm, që kur nis të lexosh). Nga vajza rome me emrin Kebarie do të nxënë dashurinë për librat e se çfarë është  respekti për tjetrin. Fëmijët do të ndjekin pas Berrën, kur të shkojë të “adoptojë” një gjysh në shtëpinë e të moshuarve… (me siguri këtu do të përloten që të gjithë, edhe prindërit!)

Nga Umberto Ecoja lexuesit do të kenë në dorë dy tituj të rinj – romanin Lavjerrësi i Fukoit, me përkthimin mjeshtëror të Shpëtim Çuçkçës – dhe një prej anëve më argëtuese të zejes së tij: artikujt publicistikë të mbledhur ndër vite në rubrikën Zarfi i Minervës, në të cilin shkrimtar-eseist-semiotikani italian “tjerr” çështje të vogla e të mëdha, gjëra që i hasim në të përditshmen tonë, pyetje për të cilat ndonjëherë nuk kemi përgjigje e të tjera për të cilat Ecoja ka zgjidhjet më të thjeshta. Pape Satàn Aleppe. Kronika të një shoqërie të lëngshme titullohet ky libër, që me siguri do të pëlqehet e do të kërkohet po aq sa Si të udhëtosh me një salmon, botuar vitin e shkuar. Përkthimi i këtij “udhërrëfyesi të shoqërisë sonë moderne” mban emrin e drejtoreshës së botimeve të Shtëpisë Botuese DITURIA, zonjës Mariana Ymeri, dhe përkthyesit të njohur Agim Doksani. (Kush u thotë grave të mbulohen?; Mbylle, intelektual i fëlliqur; Kokaina e popujve; politikisht korrekt etj.)

Por, lista e botimeve të reja është e gjatë, pa dyshim:

Romani historik  Kanali Musolini 2 nga Antonio Pennacchi;

Libri kult i getove skoceze të drogës – Trainspotting nga Irvine Welsh;

Romancë – Kopshti i luleve sekrete, nga Cristina Caboni;

Një tjetër roman historik –  Qëllo, tashmë jam i vdekur nga Julia Navarro;

Romancë – Udhëtimi i çuditshëm i një sendi të humbur nga Salvatore Basile;

Romani historik  – Virgjëresha holandeze nga Marente de Moor;

Thriller – Binjakja e heshtur nga S. K. Tremayne;

Kostandinopoja. Kreu i krishterimit, pre e latinëve, kryeqytet grek për ata që kërkojnë një libër i mirë historie nga Alain Ducellier dhe Michel Balard;

Kultura tradicionale kineze përgatitur nga Zhang Qizhi.

Udhëtime në Ballkan 1857-1870  nga Guillaume Lejean

Krahas titujve të rinj e klasikëve botërorë, në stendë do të ketë vend edhe për shkrimtarë shqiptarë, që DITURIA i ka prezantuar suksesshëm.

Grigor Banushi me romanin Simfonia e pambaruar;

Ervina Toptani me Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin evropian;

Antonio Babliku me romanin distopik për të rinj Magjia Universale. Akujt;

Adela Çaushallari me romanin e saj të parë, Anabela.

Lexim të këndshëm nga DITURIA, miq të vegjël e të mëdhenj të librit!

admin

Artikujt e tjetrë