Intervista

Gjithmonë në shërbim të atdheut

Të rinjtë janë ata që me përkushtimin dhe vullnetin e hekurt, ndikojnë në përmirësimin e imazhit të shtetit tonë në sferën ndërkombëtare, duke dëshmuar se jemi kompetentë dhe të gatshëm për integrime dhe bashkëpunime multi-laterale.

Behar Fazliu është emri që na bëri krenarë të gjithëve, kur pranoi çmimin “Kadeti më i mirë” nga Kolegji Mbretëror i Forcave Ajrore në Cranwell të Mbretërisë së Bashkuar. Një moment tejet emocionues për të gjithë ne dhe veçanërisht për Beharin, i cili një arritje të tillë nuk është se e kishte planifikuar që do ta përjetonte gjatë viteve të kolegjit. Një motivim më shumë dhe një nderim, që ta përfaqësojë edhe më tej vendin e tij në mënyrën më dinjitoze të mundshme.

Ai ka lindur në Mitrovicë, ku ka përfunduar shkollimin fillor dhe atë të mesëm për shkenca natyrore, kohë gjatë të cilës është angazhuar edhe në shumë organizata jo-qeveritare, kryesisht të orientuara drejt zhvillimit të rinisë. Sot është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kur ka kohë të lirë, lexon, udhëton dhe merret me sport. Në këtë intervistë në Flatra, Behari na sjellë më shumë të dhëna për angazhimet e tij të shumta dhe sukseset në karrierë.

Kur jeni bërë pjesë e FSK-së dhe pse kjo zgjedhje?

Pjesë e FSK-së jam bërë që nga viti 2012 kur u pranova në Akademinë Ushtarake. Aty jam shkolluar për 4 vjet në lidership, taktika luftarake, trajnim fizik, shkrim ushtarak, ndihmë të parë, manovrim me armë e shumë aftësi të tjera. Paralelisht kam studiuar në Universitetin Amerikan në Kosovë në drejtimet Ekonomi dhe Media me Dizajn Grafik. Si shtytja kryesore për tu bërë pjesë e FSK-së, ishte dëshira për t’i shërbyer vendit dhe dëshira e madhe për t’u bërë ushtarak qysh nga fëmijëria e hershme.

Vetëm pak kohë më parë ju u nderuat me çmimin “Kadeti më i mire” në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore në Cranwell të Mbretërisë së Bashkuar, na tregoni pak si u ndjetë?

Përgjatë studimeve në Cranwell kam punuar shumë sepse pata nderin që ta përfaqësoj jo vetëm veten por FSK-në dhe gjithë shtetin. Në kolegj mësojnë shumë për Kosovën e viteve 99-të për arsye se Forca Ajrore e Britanisë së Madhe ka luajtur rol të rëndësishëm në luftë. Megjithatë ata kishin pak njohuri për Kosovën dhe nuk kanë ditur se çka të presin nga ne si kosovarë.

Kjo situatë më ka motivuar jashtë mase që ta përfaqësoj Kosovën në mënyrën më dinjitoze të mundshme dhe nderimin me çmimin si Kadeti më i mirë ndërkombëtar ishte mënyra më e mirë për ta arritur atë qëllim. Kur e pranova atë çmim u ndjeva tejet krenar sepse në ato momente emri Kosovë u përmend para qindra të pranishmëve, duke përfshirë funksionarë të lartë shtetëror e ushtarakë.

Si ishte përvoja juaj në këtë kolegj, çfarë mësuat?

Periudha e studimeve në Kolegjin Mbretëror ishte një periudhë vërtetë e jashtëzakonshme. Aty kam takuar njerëz tejet kompetentë, që e jetojnë jetën ushtarake me standardet më të larta. Ky kolegj është akademia e parë në botë e Forcave Ajrore e themeluar pas luftës së parë botërore, prandaj ka rëndësi jo vetëm edukative e trajnuese, por edhe kulturore e historike. Në kolegj kemi mësuar më së shumti për lidership. Kemi mësuar në detaje teoritë e ndryshme të lidershipit, cilësitë e liderit, mishërimin me vlerat ushtarake, stilet e lidershipit dhe aplikimin e të gjitha mësimeve në praktikë. Pjesa tjetër e trajnimit ka përfshirë pjesën akademike, të quajtur “Zhvillimi konceptual dhe intelektual” ku kemi mësuar për filozofi ushtarake, teori ushtarake, historinë e luftërave ajrore dhe zhvillimet teknologjike në fushën e aviacionit. Po ashtu kemi mësuar për luftën e ftohtë, konfliktet moderne dhe evolucionin e luftës dhe konfliktit, terrorizmin dhe taktikat anti-terroriste, marrëdhënie ndërkombëtare e shumë koncepte tjera ushtarake e strategjike. Në semestrin e parë kemi mësuar taktikat individuale luftarake, ndihmën e parë, mbrojtjen kimike, biologjike, radiologjike e nukleare, manovrimin me armë, e shumë aftësi të tjera. Po ashtu kam përfunduar kursin bazik për luftë ajrore, kursin bazik për kujdesin ndaj pjesëtarëve, dy trajnime praktike për lidership në Uells dhe Skoci, shkrim ushtarak, komunikim verbal, inteligjencë emocionale, planifikim në nivelin taktik dhe operacional, drille ceremoniale, rregulla të jetës sociale ushtarake, trajnime të ndryshme fizike e shumë elemente tjera.

Çfarë do të thotë ky çmim për ju personalisht, por edhe për Kosovën?

Për mua ishte nder dhe krenari e veçantë, që ta përfaqësoj shtetin tim në një institucion aq prestigjioz dhe të arrij ta fitoj një çmim të tillë. Për Kosovën këto çmime janë shumë të rëndësishme sepse ndikojnë drejtpërdrejte në përmirësimin e imazhit të shtetit tonë në sferën ndërkombëtare, si dhe dëshmon se jemi kompetentë dhe të gatshëm për integrime dhe bashkëpunime multi-laterale.

Cilat janë ambiciet tuaja për të ardhmen?

Qëllimi im kryesor për të ardhmen është, që mësimet të cilat i kam marrë në Britani të Madhe t’i aplikoj në FSK dhe të kontribuoj sa më shumë, që të mundem drejt zhvillimit të FSK-së si institucion dhe Kosovës si shtet.

admin

Artikujt e tjetrë