Arte Pamore

Artin tim e bën të veçantë origjinaliteti

Në atelienë DHÉ shohim nuanca pafund, forma e madhësi nga më të ndryshmet, që përfundojnë në pjatat prej argjile. Këto janë epiqendra e tërë punës dhe krijimtarisë së artistes Granita Grezda Lila, e cila nuk heziton të zbulojë shpirtin e saj përmes këtyre pamjeve të rralla.

Një grua me një mendje kreative, që “artikulon” aq bukur punëdoren me pikturën, duke na vënë përpara imazheve plotë jetë, harmoni e pozitivitet. Në atelienë DHÉ shohim nuanca pafund, forma e madhësi nga më të ndryshmet, që përfundojnë në pjatat prej argjile. Këto janë epiqendra e tërë punës dhe krijimtarisë së artistes Granita Grezda Lila, e cila nuk heziton të zbulojë shpirtin e saj përmes këtyre pamjeve të rralla, që shpesh të asociojnë në kohët e kaluara, kur ishin pikërisht enët nga dheu që shfrytëzoheshin nga njerëzit në përditshmërinë e tyre të zakonshme. Tashmë ato vijnë të “qëndisura” me mjeshtëri e pasion si vepër arti, që mund t’i bëjmë pjesë të koleksioneve, dhuratë për më të dashurit apo thjeshtë një soditje dhe admirim i një vepre arti.

Granita ka përfunduar Fakultetin e Arteve, degën e pikturës, në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe me ardhjen në jetë të fëmijëve të saj, iu desh që të shkëputej për një kohë nga karriera për tu rikthyer me një energji dhe vullnet edhe më të madh për krijim.

“Tani që fëmijët janë rritur paksa dhe kërkojnë më pak vëmendje, gjeta kohë ti kthehem profesionit tim e kësaj radhe pak më ndryshe, duke kombinuar kreativitetin dhe pasionin që kam për të bukurën. U bënë disa muaj që kur fillova punën time me DHÉ. Emri ishte rezultat i përpjekjeve të gjata për të gjetur emrin e duhur. Pse DHÉ? Sepse dheu përbën jetë, dheu si materie organike i elementeve kryesore për jetë, është edhe baza e enëve të para, përkatësisht pjatave që i krijoi njeriu. Këto njëkohësisht janë edhe burim i inspirimit tim, natyra me të gjitha elementët e saj…”- është shprehur artistja, duke vënë në pah karakteristikat e tërë veprimtarisë së saj artistike.

Çdo artist ka një fillim dhe një vazhdimësi në procesin e realizimit, për Granitën kjo periudhë përfshinë formësimin e pjatave prej argjilës, të cilat kur arrijnë formën e duhur vjen forma  dytë e tharjes. “ Unë përdor metodën e tharjes natyrale, me ajër (air-dry) procedurë e cila merr 3-4 ditë kohë dhe e fundit është faza estetike, ajo e dekorimit të pjatës, pikturimit në të si dhe lyerja me llak për të konservuar ngjyrën dhe punimin.”

Si lind një vepër tek artistes, çfarë i stimulon apo ngacmon ata? Secila vepër ka një gjenezë, frymëzim apo risjellje e një subjekti, një forme, ngjyre në një mënyrë origjinale, autentike, e cila mbanë vulën e artistit. Granita thotë se ndikohet nga format organike e gjeometrike të ndryshme në natyrë, në ambient, jo domosdoshmërisht vetëm nga natyra por edhe objektet e krijuara nga njeriu. Në koleksionin e fundit të pjatave, si inspirim ajo ka përdorur motive tradicionale shqiptare, të cilat janë përdorur për dekorimin e qilimave. Në punimet e saj mund të vëreni një harmoni të përsëritur të formave të ndryshme, që të tërheqin menjëherë vëmendjen.

“Artin tim e bën të veçantë origjinaliteti, teknika e mbi të gjitha pasioni e përkushtimi që kam për të”, shprehet artistja e cila gjithashtu vë në pah edhe interesimin që kanë dashamirët e artit për punën e saj dhe punën artizanale. “Për befasinë time të mirë, ka shumë dashamirës të punës sime, punës artizanale në përgjithësi. Kur fillova me këtë krijimtari, ishte më tepër për të përmbushur nevojën time për të krijuar, por më pas,duke parë interesimin e madh që njerëzit kishin për të poseduar një nga punimet e mia, atëherë fillova ta zhvilloj edhe si një lloj  biznesi. Me këtë rast, dua edhe të shpreh mirënjohjen që kam për të gjithë ata që e duan dhe e çmojnë punën time, dhe me kontributin e tyre bëjnë të mundur që unë ta zhvilloj këtë krijimtari,që shpresoj të ecë edhe për shumë vite!”– thotë artistja.

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë