Shëndet

Ana tjetër e luftës me kancerin

“Njerëzit ndonjëherë edhe kur ndodhen para një pikture, pesë prej tyre mund të mos ia kanë idenë çfarë po shohin e pesë të tjerët e dinë, që ajo është një vepër arti dhe me pak fjalë kështu mund ta përgjithësojmë edhe mjekësinë.” 

 Ata janë gjithnjë në kontakt me shpresën dhe vuajtjen e të tjerëve, duke u përballur me momente sfidash, dhembjesh e vendimesh të vështira. Një mision së pari njerëzor pastaj mjekësor. Duke qenë se jemi në muajin që i dedikohet ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, kemi intervistuar Dr. Saudin Maliqn, kirurg torakal dhe aktualisht drejtor në  klinikën e kirurgjisë së kraharorit në Kosovë, i cili na rrëfen anën tjetër të luftës që bëhet me kancerin. Dr. Maliqi si kirurg torakal punon që nga viti 2004 në Prishtinë, ku ka përfunduar specializimin në vitin 2000, në Kosovë dhe në vende të ndryshme të Evropës si dhe në Nju Jork, në mënyrë që të absorbojë sa më shumë njohuri, për profilin e kirurgut, të cilat kanë ndihmuar në prurje të reja të kurave për këtë sëmundje, që së fundmi po aplikohen edhe në Kosovë.

 Jemi në muajin tetor, i cili në cdo vend të botës shënohet me aktivitete të ndryshme në mënyrë që të ndikojnë në ndërgjegjësimin për sëmundjen e kancerit, mund të na flsini pak më shumë se sa janë të informuara gratë në Kosovë?

Klinika jonë është e vetmja klinikë, që në mënyrë protokollare trajton kurimin për kancerin e gjirit në Kosovë, që do të thotë se kirurgjia për kancerin e gjirit bëhet vetëm në  klinikën e kirurgjisë torakale. Përvoja jonë e punës shkon mbi 40 vjet në kurimin e kancerit të gjirit, e cila i ka përcjellë në çdo kohë etapat e zhvillimit të kirurgjisë, përparimet dhe qasjet kirurgjike. Trajtimi i kancerit të gjirit mund të bëhet më së miri në klinikën e kirurgjisë torakale, në Kosovë, që do të thotë se asnjë patologji nuk është e kompletuar aq shumë sa kirurgjia torakale. Për sa i përket ndërgjegjësimit të grave në si klinikë kemi dhënë kontributin tonë në shoqata, përmes disa takimeve që kemi organizuar për të informuar, sensibilizuar gratë, nënat edhe vajzat tona, që ta zbulojnë herët këtë sëmundje. Por, ndihmë të madhe kanë dhënë edhe mënyrat e tjera të informimit, të cilat në muajin tetor, i kushtojnë një rëndësi dhe reklamojnë më shumë  rreth kësaj sëmundjeje. Këto takime bëhen më së shumti pasi që nga eksperiencat e mia të mëparshme, gratë janë paraqitur në klinikë në fazat më alarmante te kancerit të gjirit, por shohim një përparim, pasi tashmë kemi harruar ato pamje të avancimit të sëmundjes, si për kontakt të parë me pacientët, pasi vijnë shumë më herët, në fazat kur madhësia e kancerit është milimetrike. Kjo do të thotë se tani mund t’i zbulojmë kanceret 3-4 milimetrike, kështu që sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, medoemos do të shohim përmirësime ekuivalente deri në zhdukje të gjëndrës.

Mund të na sillni një rrëfim personal nga përvoja juaj në takimet dhe trajtimet në klinikën ku punoni?

Atëherë kjo është një pjesë tjetër. Pacientja mbasi ka kryer shërbimet e nevojshme si analiza apo ekzaminime tek mjekët e përgjithshëm, të cilët kanë konstatuar se ka një ndryshim në gjirin e saj, sillen disa imazhe mamografie, radiologjie me të cilat kirurgu konstaton se duhet bërë hapi i biopsisë, për të marrë mostrën dhe për ta dërguar për analizë. Moment kritik është kur ne kemi gruan në moshën 27-30 vjeçe, një nënë të re dhe duhet t’i japim lajmin e sëmundjes, ky është një moment i vështirë, pasi ne si mjeke duhet të aplikojmë metodat e duhura psikologjike për faktin se në njërën anë duhet t’i kumtojmë një diagnozë shumë shqetësuese dhe në anën tjetër të mbajmë motivimin e pacientes për të ndjekur një rrugë drejt shërimit të saj, por bashkërisht t’i drejtohemi ndërhyrjes kirurgjikale. Shqetësimi tjetër është kur gruaja bëhet me dije se do t’i hiqet një pjesë ose i gjithë gjiri, por ne kemi zhvilluar metoda të reja alternative për të kompensuar indin e humbur, që quhet estetika e gjirit dhe në këtë rast bëjmë implantet dhe kemi shumë raste kur heqim gjirin, kryejmë implantin, i rrëfejmë pacientes që pasi ta kemi kryer implantin ato nuk do ta vërejnë se cili gji u mungon dhe me këtë lajm atyre u kthehet buzëqeshja. Këtë e shpjegojmë edhe në një mënyrë më figurative, për shembull, kur hyn në tunel, hyn me idenë që ka një dritë në fund, aty siç mbaron edhe nis rruga, këtë ia transmetojmë edhe ne grave që i drejtohen klinikës tonë.

Në anën tjetër  konfuzioni vjen ngaqë po përballesh më të panjohurën, gjithçka që ti njeh nga ajo sëmundje është vetëm fjala kancer, të cilën e përkthen si vrasës. Vetë fakti se pacienti është informuar se e ka vrasësin në trupin e vet, shqetësimi dhe konfuzioni janë të pranishëm. Por mjeku ka detyrim që t’ia shpjegojë se ai vrasës nuk do të vrasë pasi mjeku nuk do ta lejojë këtë gjë, duke bërë çfarë është ë mundur që atë vrasës ta largojë dhe pacienti të ketë një jetë normale.  Duhet cekur fakti që gratë nuk po drejtohen më në spitale private apo atyre jashtë vendit, pasi këtu në Kosovë ne ofrojmë shërbimet më të larta, pra kemi formuar një zinxhir me hallka të shëndetshme, të cilat i ofrojnë siguri pacientit. Megjithatë frika është e pashmangshme, pasi nuk mund t’i thuash dikujt, që je diagnostikuar, do të kurohesh për këtë sëmundje dhe të mos prishet qejfi.

Por pse ekziston ende një tendencë nga gratë apo familjarët e tyre, që të vizitohen apo edhe kurohen jashtë Kosovës …Pse po ikin?

Nuk po ikin, dyndja dhe rruga që më përpara merrnin ka pësuar një rënie të madhe, për faktin se tani e kanë kuptuar që këtu punohet, trajtohet shumë mirë, pavarësisht kësaj është në vendin e tij, afër shtëpisë dhe familjarëve, të cilët janë një mbështetje e madhe. Unë mund t’ju garantoj se në asnjë vend tjetër nuk ka asgjë më shumë apo më pak se këtu, ama këtu është më afër për ta dhe me koston zero të mjekimit dhe ajo çfarë është më rëndësi, profili shumë i mirë i mjekëve dhe nuk duhet anashkaluar pasi rrugëtimi jashtë vendit përbën rrezikun sepse nuk e di tek cilat duar do të biesh, sidomos në ato private, ku standardi i ndërhyrjeve kirurgjike dhe trajtimeve është tërësisht i kundërt me reklamimin, që është në shpërputhje me protokollin, duke bërë gabime të tilla siç mund të jetë për shembull, kur pacientes duhet t’i hiqet një pjesë e gjirit në klinikat private i hiqet e gjitha edhe e kundërta. Përveç kësaj, ne mundësojmë edhe implantin e gjirit gjë që në spitalet private nuk behët sepse ka një kosto shumë të lartë, ndërsa te ne është falas, përveç protezës që e mundëson pacienti, pasi është një luks, saqë as sigurimi shëndetësor nuk e mbulon dhe operacioni kryhet për merak.

 Çfarë mund të na thoni për akuzat e shpeshta që po bëhen mbi bluzat e bardha?

Në aspektin e pakënaqësisë dhe thashethemeve në lidhje me shërbimin shëndetësor, nuk them që e gjithë QKUK është e përkryer, por unë flas në drejtimin e trajtimeve të kancerit të gjirit. Ata të cilët mund të kenë pakënaqësi apo janë mosmirënjohës kundrejt shërbimeve që ofrohen. Të gjithë e dimë, që në botë siç kanë ekzistuar edhe do të vazhdojnë të ekzistojnë njerëz, që janë të pakënaqur me diçka edhe ne nuk do t’i kënaqim kurrë, jo vetëm ne po asnjë shtet në botë. Mbi të gjitha ne i sigurojmë qytetarët e Kosovës për shërbimin profesional, të duhur sipas protokolleve dhe standardeve evropiane pa asnjë diskriminim, zhvatje apo keqkuptim. Ama nga pacientët edhe diçka duhet të kryhet dhe ajo është pritja, e cila është shkaku kryesor, që pacientët e marrin për pakënaqësi. Qytetarët e Kosovës ende nuk janë mësuar me terminë, për t’i kryer të gjitha punët, që nga mjeku e deri te frizerja.  Në perëndim njerëzit presin 2-3 muaj sipas patologjisë dhe rrezikshmërisë. Çdo pacient hyn në databazën, ku rastet më urgjente kalojnë në linjën e parë, e me radhë sipas karakterit dhe rëndësisë. Pritja është në çdo shtet të botës, shkoni  në shtetet skandinave dhe shikoni sa keni për të pritur për një radiografi dhe mamografi ose për një rezonancë dhe e kuptoni se pse ata më të gjithë ato standarde dhe buxhet presin, që do të thotë krahasimi me pritjen te ne është në fakt e pakrahasueshme, maksimumi pacientët presin dy javë. Ne si staf  bëjmë maksimumin në kushtet tona, me motivacionin që kemi. I bëjmë një shërbim shumë të sinqertë dhe vëllazëror pacientëve tanë. I konsiderojmë si njerëzit tanë dhe pa hezitim e japim maksimumin, pasi ne jemi pjesë e tyre siç ata janë pjesë e jona, siç ata duan shërbimet tona ne na duhet motivacioni dhe falënderimi i tyre për të na dhënë kurajo dhe forcë për të ecur përpara në këtë rrugë të suksesit. Prandaj, unë i njoftoj, që pa hezitim të vijnë edhe të pyesin, çdo ankesë të tyre të vijnë ta shtrojnë, tek ne ose tek institucionet përkatëse. Ankesat verbale në media, në kafene nuk janë në të vërtetë ankesa, ato janë diskutime të kota që veç e përkeqësojnë imazhin te të tjerët, saqë ne jemi përballur me plotë raste kur pacientët kanë gjetur krejtësisht të kundërtën e asaj që kanë dëgjuar. Njerëzit ndonjëherë kanë prirje, pasi edhe kur iu japin një pikturë,  pesë prej tyre nuk ja kanë idenë çfarë po shohin dhe pesë të tjerët e dinë që ajo është art, dhe me pak fjalë kështu mund ta përgjithësojmë mjekësinë.

admin

Artikujt e tjetrë