Gruaja

Mamadeus, dedikim për nënat dhe fëmijët

Amësia është një nga dhuratat më të bukura të natyrës, ndjenjë e re, e pa përjetuar më parë, emocione pafund dh çdo ditë gjëra të reja për të zbuluar. Tingëllon si një univers tjetër paralel, megjithatë nënat e dinë se këtu qëndron e bukura e gjithë atyre përpjekjeve për të bërë më të mirën e mundshme, për të shkëlqyer në çdo sferë dhe të nesërmen të nisin sërish nga e para…

Mamadeus, është blogu më i ri dhe i vetmi tek ne, që rrëfen në detaje çdo hap të një nëne të re, të rrethuar nga puna, fakulteti dhe përkushtimi ndaj vajzës së saj të vogël. Të gjitha këto momente të këndshme e të njohura për të gjitha nënat, i sjellë përmes hapësirës Mamdeus, Dea Venhari Dragaj, në një mënyrë aq të natyrshme dhe origjinale bashkë me fotografi të shkrepura nga përditshmëria e saj si nënë.

Ajo është në përfundim të studimeve në degën e Dramaturgjisë, Fakulteti i Arteve dhe 8 orë të ditës i kalon në zyrën ku punon, ndërsa pjesën tjetër të ditës e kalon me vajzën e saj të vogël, Anikën dhe familjen, duke u munduar të shijojë çdo moment dhe të kënaqet sa më shumë në shoqërinë e tyre.

“Jam bërë nënë qe një vit e gjysmë dhe kjo ma ka ndryshuar jetën për të mirë, përjetimi dhe përvoja më e mirë në jetën time. Ideja për të pasur një blog të tillë më lindi nga nevoja për të shkruar dhe nga insistimi i të afërmve të mi që t’i ndaj në një platformë të veçantë këto shkrime dhe fotografi që i bëjmë Anikës, ndërsa emri “mamadeus” erdhi duke e bashkuar fjalën “nënë” me emrin tim Dea”.  

Për këtë iniciativë goxha të madhe kur flasim për kohën që lypset për të realizuar dhe mbajtur një blog të tillë, Dea tregon se gjatë tërë ditës është e zënë rreth punëve të saj të përditshme dhe me vajzën e vogël, por mundohet që t’i shfrytëzoj orët kur ajo është në gjumë gjatë natës, që të shkruaj dhe t’i dedikohet logut.

“Kjo është zgjidhja, që unë e kam gjetur për të pasur një ditë sa më produktive dhe për të mos e lejuar blogun të më marrë kohën që e kam të paraparë për angazhimet tjera nga të cilat nuk mund të largohem”,- nënvizon ajo, ndërsa kur kemi parasysh një blog ndryshe që jo vetëm iu drejtohet nënave të reja, por ka një përmbajtje dhe guxim për të ndarë përvojën personale me të tjerët, Dea thotë se që nga momenti i parë kur ka menduar të fillojë një blog, e ka ditur se blogu personal kërkon sinqeritet të plotë.

“Shkrimet e mia në “mamadeus” janë krejtësisht të bazuara në përjetimet personale dhe pikërisht kjo e bën blogun të përkojë edhe me storjet e lexueseve, të cilat shpeshherë e gjejnë veten në këto shkrime. Këtu qëndron esenca kryesore e blogut. Jam befasuar për të mirë me përkrahjen që kam marrë nga jo vetëm prindërit, por të gjithë ata që e kanë klikuar blogun. Komenti më i shpeshtë është se po pëlqehet që ky blog shkruhet në shqip dhe i drejtohet shqiptarëve kudo që ndodhen.”

Deri tani ka kjo hapësirë është vizituar dhe vazhdon të klikohet nga një numër i madh i të interesuarve duke u shndërruar kështu në një kënd të nevojshëm për të krahasuar përvojat personale, por edhe për ta njohur më mirë botën e nënave të reja, që ndajnë 24 orëshin e tyre mes obligimeve profesionale dhe amësisë.

admin

Artikujt e tjetrë