Intervista

Edi Demaj…shtegtari i suksesshëm

Edi Demaj është një shembull frymëzues për të gjithë ato familje, të vjetër dhe të rinj që në vitin 1999, dhunshëm u shpërngulën nga atdheu i tyre. Sot, mundi dhe sakrifica shpërblehen me suksese ndërkombëtare. Në çdo rresht të përgjigjeve të Edi Demaj, i cili së bashku me Etritin, vëllain e tij, është sot bashkë-themelues i Rocket Fiber, kupton dhe ndjen vështirësitë, këmbënguljen, kurajën për të lënë gjurmë për veten, familjen dhe Kosovën, shqiptarët kudo që janë. Një intervistë, e cila të mbushë me shpresë dhe krenari.

 

 Prej disa vitesh jetoni në SHBA, na tregoni pak më shumë sesi ishin fillimet tuaja dhe të familjes në një vend tashmë krejtësisht tjetër nga vendlindja?

Jetoj në SHBA prej vitit 1999. Për ne që jemi largu gjatë luftës, stabilizimi në vende tjera ka qenë edhe më i rëndë për mendimin tim, për arsye që kemi qenë të traumatizuar në maksimum. Prindërit u detyruan të fillojnë punë fizike në industri, në të cilat nuk i kishin punuar kurrë më parë; fabrika e ndërtimtari. Unë edhe vëllai  filluam shkollën edhe punonim pas punës për të ndihmuar familjen. Puna e parë që kam bërë ka qenë në një restorant ku pastroja enët. Gjatë gjimnazit edhe një pjese të madhe të fakultetit kam punuar nëpër restorante në pozita te ndryshme. Prindërve iu është dashur të sakrifikojnë gjithçka prej vetes së tyre për të na mundësuar një të ardhme më të mirë për mua dhe vëllain tim, për më shumë se një dekadë prej vitit 1999 kur erdhën në SHBA. Falë mundësisë së ardhjes në SHBA edhe Zotit, mbas përfundimit të studimeve, kemi pasur mundësi që të gjejmë punë dhe pozita më të mira, që e kanë lehtësuar jetën e familjes.

 Jeni bashkë-zhvillues dhe partner në disa projekte online dhe bashkë-themelues i Rocket Fiber, mund të na flisni pak më shumë në lidhje me këtë?

Mbas përfundimit të Fakultetit, dëshira e vetme ka qenë të gjej një punë të mirë, e cila më jep mundësi të paguhem mirë edhe të ndihmoj familjen më shumë. Pagesa edhe ngritja materiale e familjes ka qenë qendra e jetës sime për disa vite. Kemi provuar disa biznese të ndryshme me Etritin (vëllain); blerjen, renovimin, shitjen e shtëpive, kemi pas një restorant etj. Mandej kemi filluar të përqendrohemi më shumë në teknologji. Në fillim duke ndërtuar websites për biznese të ndryshme. Inxhinierët softverik i punësonim në Kosovë, punën e merrnim në SHBA edhe kështu të gjithë fitonim. Në Kosovë krijoheshin vende të punës, në Amerikë përfundonte një punë ndërsa ne fitonim përqindjen tonë. Në vitin 2011 mu dha mundësia që të punoj për një kompani, e cila ishte krijuar nga një ndër njerëzit më unik në botë, Dan Gilbert, Bedrock Real Estate. Në atë kohë, unë, isha në mes të planifikimit të darsmës edhe me përkrahjen e Arianes, vendosa qe ta pranoj mundësinë që të afrohem Aty kam mësuar çka domethënë të punosh, jo vetëm për përfitime, por edhe për pasion dhe impakt. Aty kam mësuar që edhe në biznes e punë, sikur në jetën e përditshme, nëse e gjen atë që të fle në shpirt, atëherë do ta gjesh suksesin që dëshiron. Dashuria për qytetin e Detroitit ka qenë arsyeja pse kemi vendosur ta fillojmë Rocket Fiber. Detroiti ka qenë zemra e Amerikës për shumë vite. Mandej ka pasur disa vite ku problemet nuk kanë ditur të ndalen. Në vitin 2010-11 Detroiti ka filluar rilindjen falë punës, vendosshmerisë edhe angazhimit të disa njerëzve me në krye Dan Gilbert. Unë mendoj që mënyra më e mirë për ta ringjallur një qytet ose shtet sot është ndërtimi i infrastrukturës së teknologjisë në atë vend. Rocket Fiber e ka bërë Detroitin qytetin me internetin më të shpejt dhe infrastrukturën e teknologjisë më të përsosur në botë.

RF and KODE Edi - Etrit Pic (4)

Cilat ishin vështirësitë e para të qasjes në një treg me konkurrencë aq të madhe dhe si arritët të drejtoni një kompani kaq të suksesshme në sferën e teknologjisë?

Vështirësia e parë ka qenë gjetja e investimit. Nuk ka shumë njerëz në botë, të cilët kanë mundësi të investojnë dhjetëra miliona dollarë në diçka që ende nuk ka pasur dëshmi të konceptit. Kemi punuar mbi një vit e gjysmë në dilligjencë edhe ndërtim të biznes planit. Vështirësia tjetër ka qenë mosnjohja e industrisë së telekomunikacionit. Asnjeri nga ne tre bashkëthemeluesit nuk kishim drejtuar diçka të ngjashme më herët. Paralel krijimit të biznes planit, na është dashur të  mësojmë edhe për detajet edhe politikat e industrisë. Mandej mbas marrjes së investimit fillestar, kemi pasur vështirësitë e fillimit të punës, rekrutimit të njerëzve të duhur, krijimin e servisëve ashtu siç i kishim menduar më parë, krijimin e një kulture të punës brenda kompanisë, marketingu etj.

Na flisni për sfidat kryesore me të cilat vazhdoni të ballafaqoheni edhe sot në punën tuaj?

Ne kemi krijuar një kulturë kompanie që mua më pëlqen shumë në Rocket Fiber. Ne ishim të qëllimshëm në ndërtimin e kulturë, të cilën e kemi sot. Është po kjo kulturë që na ka futur në mesin e kompanive më të  mira për të qenë pjesë e tyre në Detroit sipas Detroit Free Press. Mbajtja e së njëjtës kulture gjatë rritjes së kompanisë edhe ekipit është një ndër sfidat kryesore me të cilën ballafaqohemi tani. Sfida tjetër me të cilën merremi është aftësia për të vazhduar të qenët inovativ edhe në krijimin e produkteve, eksperiencës  që të qëndrojmë përpara konkurrencës. Automatizimi dhe përmirësimi i proceseve brenda kompanisë vazhdon të jetë diçka që merremi me të rregullisht. Sfidat nuk ndalen kurrë, vetëm zëvendësohen me të reja. Atëherë kur sfidat ndalen, nuk je duke u munduar të krijojmë diçka unike edhe speciale për mendimin tim.

Jeni i përfshirë edhe në projekte që kanë të bëjnë me Kosovën, mund të na tregoni pak më shumë se për çfarë bëhet fjalë dhe cilat janë kapacitetet e vendit tonë këtë sektor?

Dashuria për Kosovën, Shqipërinë edhe Shqiptaret është shumë natyrale për arsye se atë e kam marr prej momentit kur kam lind nga familja. Inkuadrimi në projekte, të cilat kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë edhe shqiptarët në përgjithësi ka qenë i qëllimshëm. Unë jam partner në Gjirafa.com që është startupi më i suksesshëm i krijuar nga shqiptarët dhe për shqiptarët. Unë edhe vëllai im Etriti kemi edhe kompaninë tjetër, KODE Labs me të cilën vazhdojmë të investojmë edhe punojmë me kompani të ndryshme në Kosovë. Njëra prej kompanive kryesore që bashkëpunojmë me të është ZAG Apps me të cilët punojmë ne disa projekte të ndryshme me treg ndërkombëtar. Jemi duke punuar edhe në diçka të re me mikun tonë Lorik Canën, i cili edhe jashtë sportit vazhdon qëllimin e tij jetësor, ngritjen e mundësive të reja për shqiptarët përmes sportit e tash edhe teknologjisë e biznesit. Unë mendoj që Kosova edhe Shqipëria janë para testit më të madh deri më tash. Arsyeja pse është se për herë të parë në historinë tonë kemi dy shtete shqiptare pa askënd mbi ne. Unë mendoj që kemi mundësi ta ndërtojmë një infrastrukturë teknologjie, e cila do të ishte unike për të gjithë Ballkanin edhe Evropën. Do të krijonte ngritje ekonomike dhe vende pune më shumë se kurrë më parë. Kjo e do një strategji të mirë që fillon prej  fëmijëve në shkollën fillore, të cilët janë themeli i një shteti. Ne shqiptaret e kemi treguar veten se mundemi të konkurrojmë më gjithë kombet e  tjera nëse na jepen mundësitë. Unë mendoj që qeveritë tona i kanë shanset të krijojnë këto mundësi nëse i inkuadrojnë njerëzit e duhur në krijimin e planit për një të ardhme, e cila mund të jetë më e mira në rajon.

admin

Artikujt e tjetrë