Intervista

Prizreni … sfida ime e radhës

IMG_7905 (1)

Nga basketbolli në politikë, Shaqir Totaj tashmë është në garë për të parin e Prizrenit, kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve. Prej shumë vitesh është angazhuar në zhvillimin e mëtejshëm të basketbollit, plotë 20 vjet në Administratën Tatimore të Kosovës e tani e ka radhën qyteti i tij. Në këtë intervistë flet për arsyet pse vendosi të kandidojë për kryetar të komunës së Prizrenit, lidhjet, sfidat dhe prioritetet, që do të ketë për këtë qytet.

Na flisni për të jetën tuaj në Prizren, kush është Shaqir Totaj si dhe arsyet pse vendosët të inkuadroheni në skenën politike?

Jam i lindur dhe rritur në Prizren. Jam i martuar prej 28 vitesh me Fluturën dhe kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, Elenën e cila është shkolluar në Austri dhe Adonisin, student i ekonomisë në Prishtinë.  Gjithë jetën time ia kam dedikuar këtij qyteti, komunitetit e veçmas sportit, por pa lënë anash pjesën profesionale prej menaxheri për më shumë se 20 vite në Administratën Tatimore të Kosovës. Kam punuar e jam angazhuar vazhdimisht që te jap kontribut sa më të madh për vendin tim. Prizreni është qendër e përbashkët e shumë komuniteteve që jetojnë aty dhe gjithmonë kam dashur ta shoh të zhvilluar, me shërbime më të mira komunale, shëndetësore, cilësi më të madhe të arsimit e një qytet është destinacion në rajon për turistët. Arsyeja pse kam hyrë në këtë garë, është që t’i përdor aftësitë e mia menaxheriale të fituara gjatë përvojës jetësore dhe ato profesionale të marra edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta shndërruar Prizrenin në atë që të gjithë prizrenasit kanë ëndërruar. Pa dyshim që për ta arritur ndryshimin pozitiv që i duhet Prizrenit duhet punë dhe angazhim i madh, por unë kam vullnetin e pashtershëm që përnjëmend Prizrenin ta bëjmë ashtu siç e meriton, një qytet të zhvilluar me mirëqenie për qytetarët dhe më të rëndësishmin në trekëndëshin Prishtinë-Prizren-Tiranë.

Lidhja juaj me Prizrenin. Na tregoni më shumë për kujtimet që keni në këtë qytet?

Unë prejardhjen e kam nga Hasi, por gjithë jetën time e kam kaluar në Prizren. Çdo ditë e kam nisur dhe përfunduar në atë qytet, si i thonë një fjalë kam ndarë të mirat dhe të këqijat me njerëzit gjatë gjithë jetës sime. Lidhja ime me Prizrenin është emocionale dhe shpirtërore. Kujtimet më të mira i kam në këtë qytet. Fëmijët e mi, Elena dhe Adonisi kanë lindur e janë rritur në këtë qytet. Këtu i kanë mësuar fjalët e para, kanë bërë hapat e parë, kanë marrë mësimet e para, por kanë pasur edhe zhgënjimet e para, pa të cilat jeta nuk do të ishte e plotë. Pa lënë anash që edhe ekipi im i zemrës vjen nga ky qytet si një sportist që jam. Unë gjithë jetën ia kam dedikuar dhënies së kontributit vullnetar për qytetin tim duke qenë edhe këto 6 vitet e fundit si Kryetar i klubit të basketbollit KB Bashkimi, një nga ikonat e qytetit. Në një mënyrë, jeta ime është e lidhur në çfarëdo rrethane me këtë qytet. Madje kam refuzuar edhe mundësitë profesionale për tu larguar në shtete tjera për të punuar, por nuk kam mundur ta bëj. Çdo herë kam një tërheqje të brendshme për të jetuar dhe për të punuar për këtë qytet madhështor.

Foto e bilbordit

Jeni edhe sportist diçka që nuk hezitoni ta përmendni. Cila është, sipas jush, ngjashmëria mes sportit dhe politikës diçka që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e përdor shumë në jetën e vet publike si ish sportist?

Nuk ka shumë kohë që i kam hyrë politikës, por më besoni që shoh mjaft ngjashmëri sidomos në kuptim të lidershipit, dinamikës, punës në ekip dhe përballjes më rivalët. Madje si një sportist, garat më motivojnë dhe konkurrenca më motivon që të jem më i suksesshëm dhe më i mirë se ata. Është diçka që në sport e ke të mishëruar dhe lehtësisht mund të përdoret edhe në politikë. Është e rëndësishme që avantazhet e sportit që i jep veçmas sa i përket mentalitetit të fituesit të mund të aplikosh edhe në politikë. Po ashtu sporti të forcon shpirtin e ekipit, të mëson të durosh dhe të këmbëngulësh duke e pasur të qartë para teje objektivin. Sporti të jep gjithashtu një ndjesi të madhe përgjegjësie, sepse e kupton që asgjë nuk arrihet pa punë të pandërprerë e pa përpjekje të vazhdueshme. Prandaj përgjithësisht sporti, veçanërisht basketbolli është një anë e imja pa të cilën nuk do të mund ta imagjinoja jetën time. Këtyre ditëve të fushatës po e shoh se politika dhe sporti po e plotësojnë shumë mirë njëra-tjetrën tek unë.

Cili është vizioni juaj për Prizrenin, për të cilin thoni që ju ka motivuar për t’iu bashkuar politikës?

Pa mëdyshje mund ta them që Prizreni është kryeqyteti shpirtëror e historik i të gjithëve. Bagazhin e historisë, kulturës dhe ngjarjeve të rëndësishme që ka qyteti ynë i bukur, duhet ta vëmë në funksion në të mirë të së tashmes së Prizrenit dhe qytetarëve që sot jetojnë dhe punojnë në Prizren. Unë kam një program të qartë me 17 prioritete. Të gjitha këto prioritete janë konkrete dhe janë të matshme, si dhe çdo pikë e programit tim prek drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve, në funksion të rritjes së mirëqenies së tyre. Më saktësisht prioritet i imi është që pensionisti ta ketë një jetë dinjitoze, nxënësi të ketë arsimim sa më cilësor, që të gjithë qytetarët të kenë qasje më të lehtë në shërbimet komunale të cilat do t’i afrojmë edhe më afër tyre përgjatë mandatit katër vjeçar, shërbime më të mira shëndetësore dhe ngritje të potencialit turistik.

Kemi planin konkret për stimulimin e studentëve të Prizrenit, me lehtësira të shumta për ta, duke filluar nga transporti publik pa pagesë, bursa për të gjithë studentët që kanë vendosur të studiojnë në fushën e teknologjisë informative, pastaj përmes Fondit për Zhvillimin e Qytetit, në vlerë prej dy milionë eurosh do t’i mbështesim idetë inovative që vijnë nga të rinjtë tanë.

Secili qytetar, nga dita kur unë ta marr mandatin do ta ketë një adresë ku të drejtohet për zgjidhjen e problemeve të tyre. Prizreni është ndër vendet më atraktive në Kosovë. Unë kam planin konkret për zhvillimin e turizmit në qytetin tonë të bukur e historik. Komuna e Prizrenit dhe unë si kryetar do të sigurohem që të përkrahen iniciativat kulturore, artistike e sportive të cilat tërheqin turistë në Prizren. Prizreni ka “Dokufestin”, festivalin i cili çdo vit tërheq qindra mijëra vizitorë nga e mbarë bota, është i njëjti festival i cili ka vënë Kosovën në faqet e para të mediave botërore të kulturës, artit dhe filmit. Mbi të gjitha, është një eveniment që plotësisht vlen të investohet më shumë dhe unë zotohem se Komuna e Prizrenit do t’i vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta përkrahur këtë festival.

Si e sheh të ardhmen tënde në PDK dhe politikë?

Arsyeja e kandidimit tim krah Partisë Demokratike të Kosovës, është sepse kam besimin që kjo parti ka fuqinë dhe energjinë për të shtyrë përpara ndryshimet konkrete që i duhen Prizrenit. Unë si Kryetar i ardhshëm i Prizrenit do të angazhohem që të jem përfaqësim sa më i mirë i PDK-së në Prizren, por po ashtu do të punoj dhe do të angazhohem në modernizimin e partisë, gjë për të cilën është i përkushtuar edhe kryetari Kadri Veseli. Kjo është edhe një arsye tjetër pse kam vendosur që të kandidohem me PDK-në: sepse kjo parti ndër vite ka ndryshuar dhe zhvilluar vendin tonë, duke e ndryshuar dhe zhvilluar vetveten. Unë e shoh angazhimin për Prizrenin si një mision timin jetësor pavarësisht në cilin pozicion jam, në politikë apo jashtë saj. Sepse Prizreni është qytet që më ka dhënë shumë gjatë gjithë jetës sime, dhe jam i gatshëm që t’ia kthej të mirat duke punuar për zhvillimin dhe ndryshimin pozitiv që i duhet.

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë