Gruaja

Pse duhet të votohen gratë?

MARGARET-THATCHER-IRON-LADY

“Në politikë, nëse do që diçka të thuhet, kërkojua burrave. Nëse do që diçka të bëhet, kërkojua grave”- një thënie që udhëhoqi tre mandate Margaret Thaçerin. 

Pse është e rëndësishme që gratë të jenë të pranishme mes përfaqësueseve të politikës? Ka më shumë rëndësi nëse një vendim e merr një burrë sesa një grua? Nëse diskutojmë çështjen e kuotave rozë nuk ka vend për pyetje. Shumë kanë kërkuar t’i japin përgjigje. Por ajo që duhet theksuar është se gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm me prezencën e tyre në politikë. Sa më të pranishme në role jo-tradicionale ashtu siç është mësuar shoqëria t’i shoh, aq më shumë ndikim, pozitivitet dhe progres do të sjellin ato. Ne ju sjellim në këtë numër disa nga kandidatet në garën për zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat na tregojnë më shumë se pse duhet të votohen gratë dhe të jenë zëri ynë në politikë?

 

Merita Veseli, kandidate për Asamblenë Komunale të Gjilanit

merita

Duke marrë parasysh se subjektet politike dhe KQZ-ja, kanë dështuar në Ligjin mbi Barazinë Gjinore, unë mendoj se gratë duhet te votohen me qëllim që të përfaqsojnë interesat e grave në Parlament apo në Kuvendin Komunal, në mënyrë që të luftojnë për arritjen e barazisë gjinore. Kemi shumë shembuj të mirë të grave lidere dhe vendim- marrrëse siç janë: Margaret Thaçer, e njohur si “Gruaja e Hekurt”, ecila kaloi tri mandate, pastaj kemi Korason Akuino, presidente e Filipineve 1986, Benazir Buto, Angela Merkel, kancelaren e Gjermanisë, Mbretëreshë Elizabeta I dhe II, Indira Gandi e shumë e shumë gra të tjera. Në anën tjetër, gruaja shqiptare ka arritur suksese në të gjitha fushat tjera të jetës, e pse mos t’i jepet rasti edhe në vendimmarrje. Andaj, nxitoni dhe votoni gratë në këto Zgjedhje Komunale se na pret shumë punë për t’u bëre!

 

Arbenita Halilaj, kandidate për Asamblenë Komunale të Prishtinës

arbenita

Nё njё shoqëri si e jona, një grua e suksesshme nё politikë, mё konkretisht nё jetёn publike nuk ёshtё sfidё aspak e lehtё.  Pёrkundёr aftёsive profesionale dhe dёshirёs pë të zhvilluar karrierёn nё politikё, gratё ballafqohen me shumё pengesa. Atyre fillimisht ju mungon guximi, pёrkrahja dhe mbёshtetja e familjes apo rrethit ku jetojnё, pastaj mungon hapёsira e zhvillimit institucional. Konsideroj, qё kjo vjen nga fazat e mёhershme si rrjedhojë e shoqërisё sonë duke filluar nga fёmijёria, atyre mё shumё ju imponohet tё jenё shtëpiake tё mira sesa profesioniste tё mira, ku nё njё tё ardhme tё mund tё synonin pёr lidere apo pozita vendimmarrёse nё biznes, politikё apo çfarëdo fushe tjeter. Disa parti politike ku pjesëmarrja e gruas ёshtё mё e ulёt duhet filluar tё ju japin mё shumё hapesirё. Kontributi i grave nuk duhet tё shikohet vetёm si njё e drejtё obligative pёr pёrmbushjen e kuotës, por si nevojë e shoqёrisё/vendit pёr kontributin e tyre profesional. Unё besoj se njё grua qё ёshtё nё gjendje tё kujdeset me pёrkushtim tё madh pёr fёmijёt e saj, me tё njёjtin pёrkushtim do të mund tё kontribuonte edhe pёr vendin e saj. Asaj i duhet vetёm hapёsirё pёr tё vepruar. Njё grua duhet tё votohet sepse do të mund tё ishte njё zё shumё mё i fuqishёm pёr ndryshime pozitive nё vend. Si natyrё emocionale qё janё, ato mund tё jenë shumё mё tё pёrkushtuara dhe mё tё kujdesshme nё vendimmarrje dhe si detaiste që janë, gratë nuk marrin vendime të shpejta pa e analizuar mirё situatën se a do të jetё nё dёmё tё vendit apo jo. Një dukuri tjetër shumë e favorshme ёshtё kultura e komunikimit dhe me balancimin e gjinisё, politika do të mund tё krijonte njё frymё demokratike nё vend sepse gratё janё tё prira tё jenё tё suksesshme nё punë ekipore. Pra, me pёrkrahjen e gruas nё politikё mund tё luftojmё pёr barazi gjinore, si një e drejtë themelore e njeriut.

 

Fjolla Dembogaj, kandidate për Asamblenë Komunale të Pejës

Fjolla

Është dëshmuar gjithnjë se gratë janë më të përkushtuara në punë dhe të pa korruptuara. Të suksesshme po ashtu, në të gjitha iniciativat e pjesëmarrjet në jetën shoqërore e publike. Këtë duhet instaluar edhe në komuna, duhet të rritet niveli i mirëqeverisjes dhe përgjegjësisë publike. Këtë duam ta dëshmojmë me listën tonë zgjedhore sepse qytetarët e Pejës kanë nevojë. Ata e meritojnë.

 

 Zorica Zdravkovic, kandidate për Asamblenë Komunale të Kllokotit

zorica

Gratë duhet të votohen sepse duhet të jenë të barabarta me burrat. Të mos jenë të diskriminuara. Personalisht mendoj se gratë janë mjaft të afta për të kontribuuar si delegate dhe për të mirën e qytetarëve. Pa marr parasysh se nga cili subjekt politik vijnë. Zëri i gruas duhet të dëgjohet  larg dhe të vlerësohet.

 

Flutura Bektashi, kandidate për Asamblenë Komunale të Prishtinës

flutra

Dora që tund djepin e që i jep kuptim jetës, që u bën ballë sfidave nga më të ndryshmet, duhet të fuqizohet në mënyrë, që të fuqizohet familja e shoqëria. Gratë përbëjnë 50% të popullsisë dhe është e drejtë juridike elementare të përfaqësohen në mënyrë të barabartë me burrat, gjë që është bazament i demokracisë. Votimi i grave do të ndikojë pozitivisht në ndalimin e dhunës në familje, diskriminimin seksual dhe në zvogëlimin e varfërisë. Gratë duhet të jenë të barabarta në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe shoqërore.

 

Sanije Abazi, kandidate për Asamblenë Komunale të Prizrenitsanije


Gratë janë pjesë e botës dhe duhet pranuar ky fakt. Fatmirësisht gratë sot janë të emancipuara dhe të shkolluara në proporcion të barabartë me burrat prandaj edhe duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes. Duke u votuar gratë kanë mundësinë të përfaqësohen vetë dhe jo të jenë nën mëshirën e udhëheqësve, të cilët në mungesë të grave me iniciativë dekorojnë administratën, drejtoritë institucionale duke i vendosur si kukulla në bazë të preferencave personale. Me fjale të tjera pjesëmarrja e gruas në garë për zgjedhje, është vendimtare për ndryshimin dhe çrrënjosjen e ideve se gruaja duhet të jetë e udhëhequr. Me pjesëmarrjen e gruas në garë për zgjedhje dhe me votimin e sa më shumë të grave, kjo politikë e njohur tash e shumë kohë ndryshon. Prandaj unë bëj thirrje që të votohet sa më shumë gruaja!

 

Mirlinda Sopi, kandidate për Asamblenë Komunale të Prishtinës

mirlinda

Ka shumë arsye pse duhet të votohen gratë: Fillimisht gratë përbëjnë gjysmën e popullatës në Kosovë, e që rrjedhimisht do të duhej që përfaqësimi të jetë i barabartë me burrat në politikë. Sepse përbëjnë gjysmën e shoqërisë, e që vazhdon të vuajë mendësinë patriarkale, mospjesëmarrjen në sferën sociale, ekonomike dhe politike të vendit, por që në të njëjtën kohë ka brenda vetes potenciale e aftësi të jashtëzakonshme. Roli i gruas në shoqëri është krucial për një edukim shkollim e mirëqenie të plotë të familjes, e njëjta vlen edhe për shtetin dhe institucionet. Këtë që po e them, marr shkas nga statistikat dhe e kaluara qeverisëse e grave, ku shumë rrallë kemi raste ku janë të përfshira në afera korruptive dhe keqpërdorime të detyrës zyrtare. Gruaja e ka dëshmuar se pozitat udhëheqëse i merr shumë seriozisht dhe gjatë gjithë mandatit është korrekte si me institucionin ashtu edhe me qytetarin, që i ka dhënë besimin. Personalisht këtë mandat 4 vjeçar si asambleiste në Kuvendin Komunal në Prishtinë, po e përfundoj me pjesëmarrje aktive në të gjitha mbledhjet e kuvendit, me pjesëmarrje në çdo debat e çështje që është diskutuar në kuvend dhe çka është me e rëndësishme pa përfshirje në asnjë nga aferat apo keqpërdorimet e detyrës si asambleiste. Unë jam një nga këto gra prishtinase apo kosovare, e të tilla janë pothuajse te gjitha, vetëm duhet të mbështeten e të ju jepet hapësira e duhur. Meqenëse në ambientin patriarkal ku ne jetojmë, angazhimi në politikë është edhe një detyrë shtesë për gruan, e cila edhe ashtu është e stërngarkuar me obligime rreth familjes, shtëpisë e punës, por askush më mirë se gruaja nuk përfaqëson gruan. Prandaj duhet të votohen gratë e të jemi të përfaqësuara jo vetëm në nivelin komunal, por edhe nacional, e kjo bëhet përmes elementit më demokratik, votës. Nga këtu bëj thirrje që të votohen gratë pavarësisht përkatësisë partiake.

 

Blerta Mahmuti, kandidate për Asamblenë Komunale të Mitrovicës

blerta

Sepse një burrë, kurrë nuk mund t’i përfaqësojë 100% interesat e grave. Sepse gruaja është emocionalisht më e ndjeshme ndaj shoqërisë dhe si e tillë është më e sinqertë në përfaqësimin e qytetarëve të vendit. Asnjë burri nuk i jepet e drejta që ta ndaloj gruan apo vajzën për ta mbështetur me votën e saj një subjekt politik,sepse një burrë është një individ e një grua është një familje.


Ky artikull u sponsorizua nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS). Projekti DEMOS mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Kosovë ndërsa implementohet në kuadër të organizatës HELVETAS Intercooperation.

admin

Artikujt e tjetrë