Kulturë

Let’s Dance me Vjollca Llugiqin

????????????????????????????????????

“Që kur isha e vogël, mungonte një shkollë  baleti në Kosovë, që unë mund ta ndiqja dhe të realizoja ëndrrën time, por tani për fëmijët tanë është një mundësi e mirë, prandaj hapja e kësaj studioje është arritja e një synimi të madh për mua.”

Balerina Vjollca Llugiqi sapo ka nisur një rrugëtim të ri duke e pasuruar edhe më tej karrierën e saj artistike. “Let’s dance” është studioja e saj e  baletit,  e cila sapo është hapur dhe do të përgatisë fëmijët e moshës 4-14 vjeçare që në të ardhmen të jenë balerinë profesionistë dhe të gatshëm për sfida të reja. Në mungesë të një shkolle baleti në vendin tonë, hapësirat e tilla janë të domosdoshme dhe plotësojnë kërkesat e shumë prindërve dhe fëmijëve të tyre, të cilët  duan të bëhen pjesë e botës së bukur të vallëzimit. Në këtë intervistë sjellim detajet, të cilat i shpalos për lexuesit tanë Vjollca Llugiqi.

 Pse vendosët të hapni një studio baleti për fëmijë?

Baleti ishte një ëndërr për mua të cilën e realizova dhe vazhdoj ta realizoj çdo ditë duke qenë pjesë e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës . Që kur isha e vogël  mungonte një shkollë  baleti në Kosovë që unë mund ta ndiqja dhe të realizoja ëndrrën time, por tani për fëmijët tanë është një mundësi e mirë, prandaj hapja e kësaj studioje është arritja e një synimi të madh për mua. Puna e kryer për 9 vite me fëmijë ka qenë një mundësi për fëmijët të cilët ëndërrojnë që të vegjël të kenë një vend ku të realizojnë ëndrrën e tyre, pa vështirësitë që ne kemi kaluar. Një mundësi e mirë  që të bëhen balerinë ose thjesht të vallëzojnë është dera gjithmonë e hapur në sallat ku zhvillohet prezantimi dhe puna, që bëhet në trupën e baletit kombëtar, me qëllimin e vetëm, të mbajturit gjallë këtë art fisnik me anë të cilit një ditë do të prezantohemi si shtet.

Çfarë e karakterizon studion tuaj të baletit?

Studio “Let’s Dance ”  është një studio që përfshin fëmijët nga mosha 4-14 vjeç , punoj në 3 lloje vallëzimesh të ndryshme ku baza do të jetë gjithmonë klasikja e përfshirë në të gjitha grupmoshat por duhet të përmendim që nuk mbeten prapa as vallëzimet kontemporane përveç planit të përmendur. Shtoj gjithashtu se salla plotëson kushtet për vallëzim duke ofruar hapësirë të madhe siç ofrojnë studiot e mëdha të baletit.  Kryesore për fëmijët , përveç mësimit të koreografisë është edhe përshtatja përpara kamerave, pasi që siç dihet ne jemi në një bashkëpunim me televizionin RTV 21 , i cili do të jetë prezent në xhirime apo shfaqje tonat, duke ndjekur punën dhe zhvillimin e fëmijëve në vazhdimësi.

Na flisni pak për projektet tjera në të cilat jeni e angazhuar?

Mendoj që Baleti Kombëtar i Kosovës është institucioni i vetëm në Kosovë që punon intensivisht duke shfaqur 4  premiera dhe mbi 60 shfaqje te tjera në vit, duke u bërë pjesë e festivale të ndryshme jashtë vendit të cilat janë vlerësuar shumë.  Ky vit përbën 45 vjetorin e baletit në Kosovë, dhe ne po përgatisim një shfaqje me përmbajtje shqiptare me koreograf  Pëllumb Agalliun dhe titull “Një legjendë për dashurinë”. Për dallim nga vitet e tjera ky vit do të ofrojë 6 premiera, 3 prej të cilave kanë përfunduar, për këtë sezon do të kemi edhe 3 shfaqje të tjera nga koreograf të huaj, gjerman dhe amerikan, duke thënë me siguri të plotë që ky është një nga vitet më të suksesshme të baletit në Kosovë.

Cili është mendimi juaj për baletin që po zhvillohet në Kosovë?

Baleti po zhvillohet çdo herë e më shumë dhe e gjitha kjo në meritë të profesorit Ahmet Brahimaj, i cili me përkushtim, vendosmëri, ka arritur që ta mbajë gjallë një art, i cili kërkon shumë sakrificë dhe punë, duke bërë të ditur që baleti dita ditës po shuhej në vendin tonë. I gjithë mundi i tij është vlerësuar pasi ka arritur që të ketë publik besnik në çdo shfaqje baleti që ai ka bërë. Ky është një mision që e kemi arritur me shumë këmbëngulje, por duke korrur sukses me realizimin e tij. Merita e balerinëve sigurisht nuk ngelet prapa, puna e palodhur, angazhimi dhe talenti i tyre bën një çelës tjetër suksesi në shfaqjet tona. Prurjet e balerinëve të rinj, kanë bërë të mundur vazhdimin e shfaqjeve të suksesshme gjithmonë me vendosmërinë që i karakterizon.

admin

Artikujt e tjetrë