Gruaja

Donjeta Sadiku, mbretëresha e boksit

Të gjithë e njohim vajzën e boksit shqiptar, e cila i ka sjellë Kosovës jo pak medalje, aktualisht nënkampione e Evropës dhe botës, 18 vjeçarja nga Prishtina, që vendos shpirtin e saj në çdo ndeshje boksi.

Ende edhe sot binomi femër-boks tingëllon i çuditshëm. Askush në fillim nuk e besonte, gruaja me doreza konsiderohej më shumë si hobi e megjithatë vajza si Donjeta Sadiku, të vërtetojnë krejt të kundërtën, se edhe ky sport nuk ka gjini. Ajo është krenaria e Kosovës në boks, Donjeta dashurinë për boksin për këtë sport luftarak e ka pasur që nga fëmijëria. “Në fakt me sport jam marr që fëmijë, si pesë vjeçare, më kanë tërhequr sportet luftarake dhe iu përkushtova tekuandos dhe karatesë. Vetëm në moshën dhjetë vjeçare vendosa që të merrem me boks, sepse gjithmonë më kanë pëlqyer këto sporte dhe çdoherë kam pasur talent, ndaj vendosa që ta zhvillojë më tej dhe t’i përkushtohem në mënyrë profesionale për ta plotësuar edhe ëndrrën time si sportiste në këtë drejtim.”- shprehet Donjeta Sadiku.

Të gjithë e njohim vajzën e boksit shqiptar, e cila i ka sjellë Kosovës jo pak medalje, aktualisht nënkampione e Evropës dhe botës, 18 vjeçarja nga Prishtina, që vendos shpirtin e saj në çdo ndeshje boksi. “ Kam marr pjesë në shumë gara të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Kampionate Ballkanike , Evropiane dhe ato Botërore. Kam sjellë në vendin tim dy Medalje të Arta nga kampionatet ballkanike, Medalje të Artë nga kampionati evropian dhe Medalje të Argjend në kampionatin evropian dhe botëror. Momentalisht jam nënkampione e Evropës dhe e botës. Megjithatë synimet dhe ambiciet e mira për të ardhmen janë edhe më të mëdha.  Mendoj të ngjitem në kulm të këtij sporti në arenën ndërkombëtare, si në kampionatin botëror dhe garat olimpike.”- thotë Donjeta.
Por në këtë numër të revistë Flatra, ne sjellim edhe një profil ndryshe të boksieres Donjeta Sadiku, jashtë ringut dhe jashtë medaljeve të shumta që na ka sjellë, vajzën, e cila nuk e ka pasur të lehtë të jetë këtu ku është sot dhe të na krenojë me arritjet e saj. Nuk është e lehtë t’i  afrohesh një palestre boksi për një vajzë në Kosovë, por edhe në botë. Para së gjithash mungon një vetëdije kudo nëpër botë se vajzat dhe gratë mund ta ushtrojnë këtë disiplinë të sportit po aq mirë sa edhe meshkujt. Veçanërisht në Kosovë është shumë e nevojshme përkrahja dhe motivimi i këtyre pak vajzave që merren me boks, dhe mes gjithë këtyre peripecive arrijnë të na sjellin medalje të arta dhe argjendi në vend. “Nuk është lehtë të merresh me një sport si ky që nuk ka qenë i afirmuar kurrë në vendin tim dhe që është konsideruar si sport i meshkujve. Në fillim më ka munguar përkrahja edhe nga rrethi familjar. Përkrahjen më të madhe e kamë pasur nga trajneri im Besim Brahimi dhe bashkëpunëtorët e tij. Sot kam përkrahje edhe nga qarqet e tjera sportive si Federata e Boksit, Komiteti Olimpik, Ministria e Kulturës dhe Sportit etj.”- thekson Donjeta.

Megjithatë të gjithë ne si media, shoqëri dhe institucione duhet t’i japim një forcë lëvizjes femërore në boks. Për fat të keq, pak është bërë në vitet e fundit, ka ardhur koha të punohet më shumë për të pasur sportiste si Donjeta. “Dua t’u japë një mesazh vajzave,  të cilat merrem me sport në të gjitha lëmit ku ato kanë talent. Nuk është me rëndësi se a është sport i afirmuar më parë për femra apo jo, ato le t’i hapin shtigjet e reja dhe të bëhen udhërrëfyese në fushat ku ato kanë talent.”- përçon këtë mesazh Donjeta, te të gjitha ato vajza që kanë ëndërr që një ditë të ngjiten në ring duke thyer paragjykimet e kohës vetëm pse janë vajza. Sepse ajo vet nuk do të ndalet. Tashmë është përballë sfidës së saj më të madhe, Kampionati Botëror, i cili do të mbahet në muajin nëntor të këtij viti në Indi. “Kjo garë për mua është një sfidë në vete, sepse është në pyetje përgatitja fizike, përqendrimi dhe preciziteti i veprimit dhe çdo humbje apo fitore është përcaktuese për pozitën time në këtë drejtim.”- përfundon Donjeta, mbretëresha e ringut shqiptar.

admin

Artikujt e tjetrë