Gruaja

Arsimimi është çelësi i suksesit të grave

xhana_Intw_11

Një profil i një gruaje të suksesshme ulqinake, mes sfidave dhe ambicieve, krenarisë dhe arritjeve profesionale, Mehrixhana Llazorja, farmacistja e vetme shqiptare,  anëtare e Kuvendit të Odës Farmaceutike të Malit të Zi, në Flatra.

  Na flisni pak për veten tuaj, arsimimi, profesioni?

Çdo gjë fillon në familje. Arsimi është ajo për çfarë prindërit e mi më kanë inkurajuar përherë që të studiojë dhe më kanë edukuar që t’i përkushtohem shkollës. Mirëpo zgjedhja e profesionit ishte e rastësishme pasi dëshira ime e parë ka qenë që të  ndjek hapat e babait tim dhe të bëhesha edhe unë inxhiniere ndërtimi mirëpo kjo gjë nuk ndodhi. Në vend që të ndiqja karrierën e tij vendosa që të ndjek këshillën e tij për të studiuar farmaci dhe sot jam e bindur që ka qenë veprimi i duhur.  Kështu pata privilegjin që të studioj në Universitetin e Sarajevës, i cili është konsideruar si një ndër më të mirët në ish Jugosllavi. Përveç kësaj, Sarajeva  ishte qytet i madh dhe dinamik që ofron shumë jo vetëm në aspektin profesional por edhe social, por kuptohet që lidhja ime me familjen dhe vendlindjen më bëri që të kthehesha në Ulqin për ta ndërtuar këtu jetën profesionale.

Sot ju udhëhiqni një rrjetë barnatoresh në Ulqin ndërkohë jeni ndër të parat magjistër të farmaciste, si ka qenë për ty ky rrugëtim?

Pasi mbarova magjistraturën në Sarajevë u ktheva në Ulqin dhe fillimisht hasa në vështirësi pasi realiteti i këtushëm ndryshonte shumë nga ai i atjeshëm. Nuk ishte e lehtë për mua që të mësohesha nga një qendër të madhe urbane, të vija dhe të aplikoja profesionin në një qytet të vogël si Ulqini e sidomos në farmacitë shtetërore. Angazhimi im në farmacinë shtetërore ishte intensiv, por i shkurtër dhe zgjati deri me lindjen e vajzës. Aty kuptova mangësitë e sektorit publik dhe nevojën për të dhënë një shërbim më të mirë farmaceutik nëpërmjet sektorit privat. Këtu filloj rrugëtimi im në ndërtimin e farmacisë time që tani është rrjet farmacive “Pharmalife” si kompani e respektuar edhe përtej komunës së Ulqinit. Këtë rrugëtim e filluam bashkë me bashkëshortin tim ku kombinimi i aftësive tona, unë në sektorin shkencor farmaceutik e ai në drejtimin menaxherial të kompanisë ishte kyç në suksesin tonë.

Sipas jush, sa e vështirë është për një grua të ketë një karrierë të suksesshme në Ulqin?

Sipas mendimit tim gjithçka varet nga guximi personal që një grua ka për sa i përket kahjes ku dëshiron ta çoj jetën dhe nga përkrahja që gjejnë tek familja dhe të afërmit e tjerë.  Unë kam vënë re se gratë tek ne kryesisht dështojnë në karrierën e tyre si pasojë e mungesë së përkrahjes familjare. Megjithatë jam krenare të them se sot në Ulqin ka shumë gra të suksesshme çka e bën shoqërinë tonë edhe më të shëndetshme dhe shpresëdhënëse për të ardhmen. Këto gra të realizuara janë model shembullor edhe për mbarë Malin e Zi duke qenë se në përgjithësi ky shtet është konservator dhe jo shumë i avancuar për sa i përket barazisë gjinore. Edhe pse i vogël, Ulqini ka një traditë të pasur e të gjatë qytetare, ka qenë një pikë e rëndësishme historike e tregtisë dhe komunikimit detar dhe kjo ka bërë që shoqëria jonë të jetë relativisht më e emancipuar dhe mëndje hapur.

Mendoni se bëhet mjaftueshëm për të avancuar pozitën e gruas në përgjithësi në komunën tuaj?

Kurrë nuk mjafton përpjekja për të avancuar pozitën e gruas tek ne. Avancimi i pozitës së gruas varet nga shumë elemente që duan kohë për t’u ndryshuar e përmirësuar. Për shembull një prej tyre që meriton vëmendje më të madhe është forcimi i një respekti të përgjithshëm  të shoqërisë ndaj gruas si nënë. Në kompaninë time 100% të punësuarve janë gra dhe asnjëherë lindja nuk ka krijuar problem. Përkundrazi zgjerimi i familjeve të grave të punësuara e ka përcjellë edhe zgjerimi i kompanisë sonë. Pra, kisha këshilluar gjithë që ushtrojnë profesion biznesi mos të bëjnë presion grave të punësuara për sa i përket lindjes. Lindja e një grua të punësuar përkohësisht kushton, por në një kohë të dytë shpërblehet sepse kthehet në përkushtim, sakrificë dhe dashuri sepse të qenët nënë i mbart me vete këto veti.  Po ashtu mendoj se më shumë mund të bëhet në aspektin e arsimit, pasi gratë më të arsimuara janë ato që jo vetëm kanë më shumë kurajë për sa i përket vetëdijesimit për të drejtat e tyre, por edhe kanë më shumë autonomi profesionale e financiare çka e bën më të lehtë për to që të marrin në dorë të fateve të jetës së tyre. Prandaj shkollimi sa më i mirë i grave është padyshim një garanci për forcimin e rolit të grave në shoqëri, për përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike dhe për respektimin më të mirë të të drejtave të tyre.

Si janë raportet e bashkëpunimit mes jush dhe kolegëve tuaj në Prishtinë, Tiranë apo Shkup, a ka mjaftueshëm shkëmbim përvojash?

Si anëtare e Kuvendit të Odës Farmaceutike të Malit të Zi, marr shpesh pjesë në seminaret dhe konferencat farmaceutike që organizohen në Shqipëri dhe Kosovë. Kështu për shembull gjatë këtij viti isha anëtare e këshillit organizativ të Konferencës së II-të të farmacisë së Kosovës.  Si shqiptare në këtë ambient ndihem shumë e përkëdhelur dhe krenare që përfshihem në kësilloj aktivitetesh që forcojnë më shumë lidhjet profesionale e sociale mes pjesëve të shkëputura të kombit tonë. Këto takime rajonale kuptohet që nxisin bashkëpunimin shkencorë dhe sado që dikujt mund t’i duket e çuditshme ka shumë  shqiptarë që janë profesionist të mirë dhe lënë përshtypje goxha pozitive në këto aktivitete rajonale. Po ashtu në shkrimet që vazhdimisht shkruaj në revista shkencore të Malit të Zi këmbëngul me redaksitë që emri im të qëndroj i shkruar me alfabetin shqiptar, duke thyer sadopak paragjykimet ndaj shqiptarëve. Besoj se edhe më shumë mund të bëhet në forcimin e bashkëpunimit ndër-shqiptare megjithatë jam optimiste sepse po shoh që jemi duke ecur në rrugën e duhur sepse ky bashkëpunim natyrshëm sa po vjen e po shtohet.

admin

Artikujt e tjetrë