Ekonomi

Studentët mes universitetit dhe punës

foto Petrit Prenaj (2)

Në prag të nisjes së vitit akademik ne ju sjellim profilin e një studenti, Ajet Vranovci, një përvojë personale e një djali që studion dhe punon paralelisht. Shembulli i një të riu, që përpiqet të sigurojë vetë jetën… një kampioni të sportit taekwondo të Kosovës, i cili punon si kamerier.  

 

Foto: Petrit Prenaj

 

Mund të na flisni pak për vetën tuaj?

Unë vij nga një familje tradicionale e Suharekës dhe jam në vitin e fundit të studimeve për ekonomi në Universitetin e Prishtinës. Dëshira për të pasur një autonomi personale, por edhe për t’i kontribuar sadopak familjes ka bërë të nis të punoj që para 8 vitesh kur të gjithë shokët e shkollës së mesme e kalonin kohën duke luajtur futboll apo duke u mësuar me kafiqat. Përveç këtyre ushtroj me shumë pasion prej fëmijërisë sportin luftarak Taekwondo ku edhe kam arritur të bëhem kampion i Kosovës. Sa herë që gjej kohë të lirë vazhdoj të stërvitem në këtë sport mirëpo ngarkesa mes shkollës e punës bën që mos ta ushtroj këtë sport aq shumë sa kam dëshirë. Edhe pse në pamje të parë duket sikur shkolla, puna dhe sporti nuk kanë lidhje me njëra tjetrën , unë mendoj  se i ndihmojnë goxha njëri tjetrit. Sporti për shembull më ka kultivuar disiplinën, këmbënguljen dhe durimin që ma bëjnë shumë më të lehtë qoftë punën, qoftë edhe studimin.

 A mendoni se puna ju ofron liri edhe për studim?

Kuptohet që angazhimi në punë ma kufizon kohën në dispozicion për studimet apo për të bërë lexime jashtëshkollore mbi ekonominë. Megjithatë më shtyn që të bëhem më racional dhe të kujdesshëm me kohën që kam për studim duke me detyruar që të kem rendiment më të lartë me studimin. Më duhet të shtoj se puna është një shkollë më vete dhe të jep disa aftësi që nuk i jep dot universiteti. Unë punoj si kamarier në një lokal popullor ku gjatë orarit të drekës si dhe mbrëmjeve të të mërkurave dhe premteve ka ngarkesë të madhe me klientë dhe më kërkohet që të jem shumë i shpejtë e i vëmendshëm jo vetëm me shërbimin në tavolina por edhe me llogaritjen e porosive dhe faturave. Kjo punë më ka përmirësuar aftësitë komunikuese, më ka bërë një person më social dhe më të aftë që të punoj në ekip apo nën presion.

Si ju duket mënyra e jetesës, pagat e ofruara  a janë të mjaftueshme për një student?

Pagat besoj se nuk janë asnjëherë të mjaftueshme për një të ri si unë sot që dëshiron të shkoj në kinema me ndonjë shoqe, të dalë për ndonjë gotë me shokët apo të blej ndonjë veshje të re që është në modë. Mirëpo për mua të ardhurat kanë ardhur duke u përmirësuar dhe ia dal që të mbuloj të gjitha shpenzimet e mia. Mënyra e jetës është interesante, më pëlqejnë kolegët e punës e shkoj mirë me ta. Po ashtu më bie të takoj e njoh klientë që janë njerëz shumë interesant e të këndshëm  që përndryshe s’do më kishte rastisur kurrë që ti takoja. Puna është bërë pjesë përbërëse e jetës sime prej një kohe të gjatë dhe tashmë e kam të vështirë ta mendoj veten pa punuar. Madje ditët e pushimit më duken disi të çuditshme e të panatyrshme.

  A ka programe të cilat mund t’ju sigurojnë një eksperiencë pune gjatë kohës që ju studioni?

Në shkollën tonë ka disa programe internshipi nëpër institucione por që me sa di janë më shumë formalitet sesa japin një përvojë konkrete të dobishme. Kam përshtypje tek ne ende nuk i jepet rëndësia e duhur praktikave të punës gjatë shkollës. Kam dëgjuar nga bashkëmoshatarë se jashtë vendit në perëndim studentët bëjnë shpesh punë në grup, prezantime, projekte apo simulime si pjesë të programit mësimor ndërkohë që në Kosovë ende vazhdohet në mënyrën e leksioneve dhe provimeve klasike të mëparshme. Eksperiencën e punës gjatë kohës së studimit mund ta sigurosh vetëm nëpërmjet iniciativës personale dhe mundësitë janë goxha të kufizuara.

Aështë më e vështirë të gjesh një punë, kur ju prezantoheni si student, apo jo?

Varet nga lloji i punës. Nëse bëhet fjalë për ndonjë punë që  kërkon kualifikime të mëtejshme profesionale atëherë mendoj se punëdhënësit hezitojnë që të marrin në punë studentë. Ta zëmë për operator makinerie në ndonjë fabrikë  Studentët konsiderohen me të drejtë të përkohshëm e nuk pëlqehen shumë për këto poste. Në këto raste ata kanë për të investuar kohë në kualifikimin e kandidatëve prandaj preferojnë dikë për të cilin janë të sigurt se do të qëndrojë gjatë në të njëjtin vend pune. Në rastin e lokaleve  studentët besoj se janë më të pëlqyeshëm sepse konsiderohen më të  arsimuar, më të sjellshëm e komunikues. Po ashtu studentët që nëpërmjet punës financojnë studimet janë më nevojtarë për të ardhura kështu që konsiderohen më të përkushtuar në punë.

admin

Artikujt e tjetrë