Lifestyle

70 medaljet e Arsim Qiriqit

1404769_10202672702008036_4141611824153966907_o

Kampioni i Kosovës në karate, Arsim Qiriqi, në një intervistë për Flatrën rrëfen për udhëtimin e tij në sport, mes medaljeve të arta dhe të argjendta, ai ka qenë një nga studentët më të mirë të Fakultetit të Edukimit, ndërsa vazhdon të kontribuojë edhe si trajner personal në BodyCode.

 

 Mund të na flisni për veten tuaj dhe sa i përket arsimimit?

Pas pak ditësh pres të bëj diplomimin në  Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës. Kjo është një etapë e rëndësishme në marrëdhënien e gjatë e të ngushtë që unë kam me sportin. Që kur isha fëmijë, kam qenë shumë i pasionuar pas sportit, por atëherë nuk e kisha menduar që do e studioja sportin. Atëkohë isha shumë i mirë në vizatimet teknike dhe kam  menduar që për mua më së miri do ishte të studioja arkitekturë. Ironikisht dashuria për sportin më ka bërë që edhe të studioj më shumë. Prindërit e mi kanë menduar se angazhimi im i madh me sport ishte një shpërqendrim nga mësimet e do më shkaktonte rezultate të dobëta në shkollë. Kështu që mua më është dashur të studioj edhe më shumë se të tjerët, e të shkëlqej në mësime në mënyrë që prindërit të më lejonin që të merresha me sport aq sa kisha dëshirë. Gradualisht për sportin fillova të thellohesha e të interesohesha më shumë e në fund vendosa të lidhja bashkë pasionin me profesionin e të fokusohesha tërësisht në sport e mos ta konsideroja thjesht hobi. Me notat që kisha mund të kisha vazhduar degë të tjera që konsiderohen më të lakmuara dhe jam i sigurt që disa të afërmve të mi ende nuk iu ka dalë inati që vendosa të studioj sport e jo arkitekturë apo mjekësi.

Kur keni filluar të merreni me sportin e karatesë dhe si është zhvilluar karriera juaj në këtë drejtim?

Në moshën 13 vjeçare fillova ta provoj karatenë i shtyrë kuptohet si shumë fëmijë të tjerë nga ndikimi i filmave, pra mund të konsiderohem një viktimë e filmave të Hollivudit. Por me këtë sport u mishërova shumë lehtë e shpejtë fal trajnerit tim të mrekullueshëm, Ismail Fazliut. Ai është një pedagog i mrekullueshëm dhe ma ka prezantuar artin e karatesë në mënyrë shumë tërheqëse duke më lënë të kuptoj që nuk bëhet fjalë vetëm për aktivitet fizik apo sport luftarak por për një filozofi të mirëfilltë. Karriera ime filloi të pasurohet shpejt falë tij dhe përkrahjes së të afërmve dhe miqve të mi. Në garat e shumta, brenda dhe jashtë vendit, deri më sot ia kam dalë të marr gjithsej 70 medalje në të cilat 35 janë të arta, 20 të argjendta dhe 15 të bronzta. Po ashtu kam arritur të jem pesë herë kampion mbarëshqiptar dhe kombëtar.

IMG_20161120_132131

Cilën do ta konsideroni sfidën tuaj më të madhe sportive?

Karateja është sport me disiplinë të rreptë dhe duhet të jesh shumë i disiplinuar e këmbëngulës për të arritur suksesin kështu që në një farë mënyre je gjithë kohën i sfiduar. Prandaj mendoj se sfida më e madhe në këtë sport është sfida me vetveten. Në sporte ekipore shpesh është e lehtë që ta eksternalizosh përgjegjësinë e t’ia vësh fajin ndonjë pjesëtari të ekipit mirëpo në këtë sport individual gjithçka varet prej teje e prej kurrkujt tjetër. Nuk është çështje fati por vetëm përgatitje dhe dedikim. Një tjetër sfidë kuptohet ka qenë izolimi me të cilët jam ballafaquar jo vetëm unë por edhe shumë sportistë të tjerë. Shpesh e kam pasur të vështirë të marr pjesë në gara të rëndësishme për mungesë të vizës apo pamundësi të udhëtimit çka na ka vënë në një pozitë të disavantazhuar krahasuar me sportistë të vendeve të tjera. Megjithatë unë jam optimist se këto pengesa do të kapërcehen dhe në një të ardhme jo të largët edhe ne do të jemi në pozita të njëjta me kolegët e vendeve të tjera.

Gjithashtu ju merreni edhe me trajnime personale, na flisni pak rreth punës suaj.

Përvoja e gjatë me sportin, por edhe dituria që kam fituar në shkollë, më kanë vetëdijesuar që sporti ka përfitime të shumta në shoqëri si për shembull aspektet e garës, mirëmbajtjes së formës së mirë fizike, dimensionit estetik apo dobitë shëndetësore. Unë besoj në rëndësinë e madhe që ka sporti jo vetëm në mbajtjen e një shoqërie të shëndetshme dhe të lumtur por edhe ne pajisjen e te rinjve me aftësi e shprehi që do i bëjnë edhe më të suksesshëm në jetë e do I bëj motorë të zhvillimit të kombit tonë. Falë përvojës sportive të rinjtë pajisen me shprehi të disiplinës, durimit, këmbënguljes dhe fitojnë edhe etikën e punës, Sporti i pajis ata me kurajë, me besim në vetvete, me shpirt iniciative, me aftësi për të menaxhuar kohën si dhe me shpirtin e ekipit. Sportistët kanë zotësinë për të mbajtur një objektiv të qartë para tyre dhe e kuptojnë që fitorja vjen vetëm nëpërmjet punës së palodhur. Të gjitha këto janë shprehi, shkathtësi që kultivojnë një karakter e personalitet të njerëzve të suksesshëm. Pra, sporti do i bëj të rinjtë tanë profesionistë më të zotë, punëtorë më efikas, liderë më të realizuar dhe sipërmarrës më të suksesshëm. Në këtë aspekt unë përpiqem që të jap kontributin tim modest , jo vetëm si garues por edhe si trajner personal duke dhënë instruksione të personalizuara për individët që janë duke u angazhuar me sport. Këtë gjë e bëj qoftë duke punuar në BodyCode ku stërvitja bëhet me një metodë të avancuar shkencore që konsiston në stimulimin elektrik të muskujve e qoftë si trajner personal në gym-e të ndryshme. Si trajner personal, unë besoj se është shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin udhëzime profesionale të mbështetura në ekspertizë e në rezultatet e studimeve të fundit e mos të bien pre e amatorëve që nuk kanë prekur një libër sporti me dorë gjatë gjithë jetës.  Në mungesë të kujdesit profesional këta qytetarë stërviten në mënyrë jo efikase, nuk arrijnë rezultatet që dëshirojnë e ndonjëherë edhe iu shkaktohen probleme fizike. Prandaj e shoh me shumë rëndësi përfshirjen time dhe të kolegëve të tjerë që kanë mbaruar të njëjtin fakultet me mua, në përkujdesjen e sportistëve të rinj apo individëve të tjerë që fillojnë të ushtrojnë, në mënyrë që këta të fundit të marrin këshilla e instruksione sa më të kualifikuara e profesionale.

 

 

admin

Artikujt e tjetrë