Kulturë

“Lala Meredith-Vula… Urtësi sot e mot” në Shkodër

Lala Meredith-Vula, Kujtesë Gjaku, Malishevë, 2 maj 1990

Fjalët që karakterizojnë ekspozitën e Lala Meredith-Vula në Muzeun Marubi në Shkodër i gjejmë të shkruara mbi një pankartë, në njërën nga fotografitë që artistja shqiptaro-angleze shkrepi në Vranjevc të Prishtinës, më 4 maj 1990. Ato shprehin parimet që udhëheqin një transformim historik delikat brenda një komuniteti. Këto fjalë duket sikur përkojnë me të gjithë punën artistike të Meredith-Vula- e cila na paraqitet në të njëjtën kohë imediate dhe e çdokohshme duke u integruar me proceset e ngadalshme që kërkojnë një shoqëri të gatshme për të pranuar një ndryshim të tillë si dhe bashkëveprim me tokën, duke përfshirë këtu edhe materialet natyrore që ajo ofron.

Në gusht 1988, katër ditë pas instalimit të ekspozitës së famshme, Freeze me studentët e artit të Goldsmith, Lala Meredith-Vula e la Londrën (qytet ku ishte vendosur në moshën katër vjeçare pas ikjes nga Sarajeva) për të shkuar në fshatrat kosovarë, ku ajo filloi të fotografonte mullarët. Në këto forma agrare, ajo kishte gjetur “thelbin e veprës së artit.” E nëse dëshironte të rilidhej me atdheun e saj, një dëshirë e tillë abstrakte duhej të rrënjoset diku thellë në tokë, ashtu si vetë mullarët.

Pas tre dekadash dhe qindra fotografish, projekti vazhdon akoma. Por roli i Meredith-Vula si dëshmitare u transformua kur në vitin 1990, ajo mësoi mbi planet e pajtimit të gjakrave në rajonin ku kishte fotografuar mullarët.

Duke vënë mënjanë për pak kohë magjepsjen nga skulpturat rurale, ajo e orientoi objektivin e saj drejt qindra njerëzve që grumbulloheshin nën drejtimin e folkloristit dhe studiuesit Anton Çeta (1920-1995), për të përmbyllur në mënyrë ceremonial, gjakmarrje që kishin vazhduar për shekuj të tërë, duke paralizuar kështu edhe komunitetet.

Lala Meredith-Vula, Mullarët, Viča,11 nëntor 2016 (1)

Mullarët, Viča,11 nëntor 2016

Dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith- Vula – Haystacks (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku)- janë sjellë për të ndërvepruar me hapësirën e Muzeut Marubi. Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14. Megjithatë, ekspozita që po ju paraqesim, përbën një rast unikal për t’i parë të dyja seritë të ekspozuara së bashku. Përtej tyre, një imazh historik- ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914, pjesë e ekspozitës Rroftë! kuruar nga Blerta Hoçia- është përfshirë këtu për të hapur një dialog mes imazheve unike të Meredith-Vula me trashëgiminë e pasur të dinastisë Marubi si dhe me historikun e ekspozitës të këtij muzeu, të themeluar në nderim të tyre.

Bashkëbisedimet e hapura janë shumë të rëndësishme për artin dhe për ndërtimin e ekspozitave. Edi Hila, piktori i mirënjohur shqiptar dhe profesor dashamirës i gjeneratave më të reja të artistëve që kanë studiuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, është shprehur mbi fotografitë e mullarëve të mikes dhe artistes. Hila komenton: “ Lala ndërton një dialog me secilin nga mullarët. Ata personifikojnë atë çfarë Lala ka parë dhe ç’ka i kanë thënë asaj.” Ndërkohë, pjesëmarrja e Meredith-Vula në dokumenta 14 si dhe ekspozita e saj në Muzeun Marubi u mundësuan falë këshillave të vyera të Erzen Shkollollit, i cili në rolin e tij si këshilltar kuratorial në documenta 14  ishte i pari që ia prezantoi punën e fotografes, ekipit të kuratorëve të dokumenta 14. Tani është momenti që bisedat e ndryshme t’jua shtrijmë ju-publikut.

Ekspozitë personale e Lala Meredith-Vula

Kuruar nga Monika Szewczyk

E premte 20 tetor 2017

admin

Artikujt e tjetrë