Gruaja

E dua Shqipërinë një vend më të drejtë

e para

Për një grua, diplomacia sigurisht që duket të jetë një sfidë më vete. Megjithatë përtej stereotipave, që krijohen për gruan dhe “punën e meshkujve”, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Odeta Barbullushi, na dëshmon çdo ditë se vullneti dhe përkushtimi janë elementet e suksesit pavarësisht gjinisë. Në këtë intervistë për Flatrën vjen edhe përtej “petkut” të diplomacisë.

  

 Cila është pjesa më e bukur e punës tuaj?

Për mua janë dy privilegje të mëdha: së pari, është të përfaqësuarit e vendit tënd; kur ke përpara teje, në një tavolinë apo platformë ndërkombëtare, ‘Albania’ të shkruar në një pllakë, e ndjen veten shumë të vogël përkundrejt asaj çfarë përfaqëson. Së dyti, është mundësia e të mësuarit vazhdimisht, të njohjes së botës përreth, e asaj çka konsiderohet e ‘huaj’, të përballurit me pikëvështrime të ndryshme, histori të vendeve të tjera, të biseduarit dhe e shpresës se me anë të fjalës dhe vetëm nëpërmjet saj, do të ndryshosh diçka për mirë.

Cila është pjesa më sfiduese e punës suaj?

Për dikë me profilin tim profesional, ndonjëherë është e vështirë të mos thuash atë që mendon.

Çfarë mendoni është kryesore për suksesin ne këtë punë?

Besimi. Ideja se shtetet orientohen vetëm nga interesat e tyre individuale dhe sillen vetëm si të ishin qenie egoiste me njëri tjetrin është fort i ngulitur si në psikologjinë popullore ashtu dhe të praktikuesve e studiuesve të fushës. Sigurisht që përfaqësuesit e një vendi kanë objektiva të caktuara që duan të arrijnë në ndërveprim me të tjerët. Por në praktikë, kur ndërvepron me liderë apo diplomatë të vendeve të tjera, mund të bësh mirë punën tënde vetëm nëpërmjet të kuptuarit e pozicionit të tjetrit, e kontekstit nga vjen, e kufizimeve, vlerave apo bindjeve që mbart. Marrëdhëniet mes shteteve, ashtu si ato mes njerëzve, kanë një përbërës bazë: besimin. Sigurisht që ashtu si dhe në marrëdhëniet njerëzore, dhe besimi i humbur ose i dëmtuar mund të rifitohet sërish. Në këtë kuptim, asgjë nuk është e shkruar mbi gur njëherë e përgjithmonë.

Cilat janë sfidat më të mëdha veçanërisht për një grua në këtë fushë? A punohet më mirë me burra apo me gra?

Punohet shumë mirë me të dyja gjinitë kur ka përkushtim. Shumica e grave dhe vajzave me të cilat kam punuar, si në këtë fushë, ashtu si dhe në atë universitare, janë individë të cilët janë përherë në përpjekje për t’u përmirësuar, për të tejkaluar vetveten dhe kushtet nga e kanë nisur rrugëtimin e tyre. Janë shpesh shumë kërkuese si ndaj vetes ashtu dhe realitetit rrotull dhe kjo mund t’i bëjë dhe të vështira në marrëdhënie me të tjerët. Kjo bën që edhe përgjegjësinë ta kërkojnë te vetja shumicën e herëve, dhe këtu mendoj se ndryshojnë kryekëput me burrat. Po ashtu, duhet pranuar që, edhe në këtë fushë, standardet për vlerësimin e punës së grave ndryshojnë nga ato të vlerësimit të punës së burrave. Ajo që është veçanërisht e trishtueshme është një prirje në sferën publike, për të kritikuar me kategori të huazuara nga sfera private e pa asnjë kriter racional, punën dhe performancën e grave në këtë fushë. Ato shihen si ‘gratë e’ dikujt (të një burri/drejtuesi etj) dhe jo për atë se çfarë janë  dhe bëjnë individualisht.

e dyta

Çfarë po lexon më në fundmi?

Që kur kam filluar punë në Ministrinë e Jashtme, kam fituar vesin e të lexuarit te disa librave njëherësh. Në zyrë, mbi tavolinën e punës kam dy libra, të cilët po i përfundoj: ‘Faik Konica: Dritëhijet e një diplomati’, të Agron Alibalit dhe ‘When facts change’, një përmbledhje e eseve të historianit të shkëlqyer të shekullit të njëzetë, Tony Judt. Punimi i Alibalit ka meritën që, ashtu siç premton në titull, hedh dritë në disa aspekte të jetës profesionale dhe politike të Konicës, të cilat i shpëtojnë gjykimeve klishe e të ideologjizuara, e nëpërmjet të cilave e kemi parë këtë figure. Ndërkohë, kur lexon esetë e Judt mbi tema aq të rëndësishme të shekullit të njëzetë, që nga idealet e lëvizjeve të 1968-ës e vizioni i Evropës së Bashkuar, e deri te rëndësia e hekurudhave për Evropën moderne, kupton më mirë dhe burimet e krizës së sotme të demokracisë. Në gusht fillova dhe ‘The Volcano Lover’ të Susan Sontag’ dhe ‘Letër El Grekos’ të Nikos Kazanzaqis. Libri i parë është rreth një diplomati koleksionist anglez në Napolin e 1700-ës, shkruar në stilin e njohur dokumentar dhe erudit të Sontag. Sa për Kazanzaqis, pasi mposhta padurimin me ankthet adoleshente të heroit në kapitujt e parë, fillova të ndjej zërin e autorit, zë i një mesdhetari të vërtetë, në kërkim të një tradite shpirtërore, i ndërgjegjshëm sa për historinë aq dhe për shkurtësinë e jetës.

Çfarë do të donit të ndryshonit në Shqipëri sot?

 Si shumica e shqiptarëve do të doja që ky të bëhet një vend më i drejtë. Një vend, ku drejtësia nuk është përzgjedhëse. Ku asnjëri nuk e sheh bukurinë e vendit si të tijën, po si të tërëve. Ku më i miri ka më shumë mundësi të ngrejë karrierën dhe jetën e tij nëpërmjet aftësive profesionale. Këto i duam pothuaj të gjithë. Por, ne gjykimin tim, më e rëndësishmja është të ndryshojë mendësia e krahasimit vetëm me vetveten dhe e dembelisë së njohjes së vetvetes, në të njëjtën kohë. Është kryesore, sidomos për të rinjtë, të lëvizin, të udhëtojnë, të njohin vendin e tyre, të lexojnë, të arrijnë ta vënë në kontekst atë çfarë lexojnë, të krahasojnë, të jenë më të ndërgjegjshëm. Prandaj dhe dijet, aftësitë, arsimi dhe kultura janë fushat ku duhet të investojmë përditë; çdo gjë tjetër rrjedh nga këto.

 

admin

Artikujt e tjetrë