Lifestyle

Nazif Cungu: Sfidat dhe arritjet për Ulqinin

DSCN4375

 “Ulqini është adresa e parë, veçanërisht për qytetarët e Kosovës, jo vetëm për bregdetin e mrekullueshëm, i cili i plotëson të gjitha kushtet, duke nisur nga pastërtia e plazheve, shumica të certifikuara me çmimin “Flamuri i kaltër”, duke u renditur në listën botërore të plazheve të pastër,  por edhe për vlerat e trashëgimisë kulturore”- shprehet në një intervistë për revistën Flatra,  lideri politik i shqiptarëve të Malit të Zi , kryetari i  Ulqinit, z.Nazif Cungu, ai flet për prioritetet, sfidat dhe arritjet.

 

Janë ditët më të nxehta të korrikut e megjithatë kryetarin e komunës së Ulqinit e gjetëm në zyrën e tij,  prej vitesh nuk merr asnjë ditë pushim në stinën e verës. “Tashmë familjarisht e kemi kthyer në një traditë duke pushuar në dimër, edhe në mandatin e parë si kryetari i komunës së Ulqinit, por edhe këtë mandat të dytë, kam preferuar mos të largohem asnjë ditë nga qyteti, duke pasur parasysh fluksin e turistëve, kërkesat dhe përgjegjësitë që ka një qytet i tillë bregdetar në kulmin e verës. Duhet të jem këtu për çdo ngjarje që mund të ndodhë, kemi pasur zjarre në zona të ndryshme apo përmbytje të shkaktuara prej vërshimit të lumit Buna, dhe në të tilla raste duhet të jem pranë qytetarëve të mi duke iu ofruar gjithë ndihmën e mundshme.”- shprehet për revistën Flatra, kryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu. Tashmë ulqinakët i kanë besuar një tjetër mandat për të udhëhequr komunën e tyre dhe duket se për të është përgjegjësi shumë e madhe, të cilën do ta konkretizojë me vepra. “Ulqini është adresa e parë, veçanërisht për qytetarët e Kosovës, ndaj ne si Komunë, kemi bërë përpjekje që sezoni turistik të plotësojë të gjitha kushtet për pushuesit, duke nisur nga pastërtia e plazheve tona, shumica prej tyre janë të certifikuara me çmimin “Flamuri i kaltër”, duke u renditur në listën botërore të plazheve të pastra. Po ashtu kemi marrë masa për mirëmbajtje e parqeve dhe mbjellje e luleve të reja. Sigurisht edhe një sërë aktivitetesh  kulturore, të cilat kanë karakterizuar Ulqinin që nga 1 Maji, si data zyrtare e hapjes së sezonit, si Panairi i librit Ulqini 2017, 30 botues të ndryshëm, ekspozita dhe takime të ndryshme artistësh. Gjithashtu Southern Soul Festival është bërë një traditë e bukur që pasuron ofertën turistike të Ulqinit dhe ka fituar një reputacion të shkëlqyer ndërkombëtar duke u konsideruar si një nga festivalet më të rëndësishëm në Evropë. Sivjet erdhën serish muzikantëve të shumtë dhe të njohur si Amp Fidler, John Gomez, Shuriken, Volcov.”- thekson kryetari i Ulqinit, duke shtuar se komuna që udhëheq do të ndërmarrë nisma, të cilat nxjerrin në pah bukurinë e trashëgimisë sonë kulturore e natyrore duke e bërë qytetin edhe më atraktiv për turistët. Sepse Ulqini nuk është thjeshtë vetëm një sezon veror apo një bregdet, i cili josh turistët gjithandej botës, është një nga qytet shumë i pasur me trashëgimi kulturore dhe arkitekturë. Një nga destinacionet kryesore, i cili jep edhe madhështinë këtij qyteti është Kalaja. “Duhet të theksoj se potenciali i turizmit të Ulqinit nuk qëndron vetëm tek bregdeti mahnitës, por gjithashtu edhe tek peizazhi natyror dhe monumentet kulturore. Prandaj unë jam i bindur se në të ardhmen do të mund të zhvillojmë edhe turizmin rural në Anë të Malit dhe në Krajë, i cili do mund të zgjasë gjatë gjithë vitit. Të gjithë së bashku duhet të kultivojmë dhe të ruajmë trashëgiminë tonë të pasur kulturore e folklorike. Jo vetëm sepse është amaneti i të parëve tanë dhe lidhet me identitetin tonë kombëtar, por sepse në të njëjtën kohë është një instrument i vlefshëm zhvillimi në kuadër të turizmit kulturor.”- shprehet z. Nazif  Cungu.  Një ndër prioritetet kryesore të krykomunarit të Ulqinit është edhe bashkëpunimi i ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, projekte të përbashkëta ekonomike dhe kulturore mes vendeve. “Gjithmonë e kam potencuar se gjithë biznesmenët nga Kosova dhe Shqipëria janë të mirëpritur në qytetin e Ulqinit për zhvilluar idetë e tyre biznesore, ne kemi krijuar kushtet e duhura për ta. Personalisht mendoj se zhvillimet të tilla ekonomike përforcojnë më shumë bashkëpunimin mes shqiptarëve, qoftë ata në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni. Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe në aspektin infrastrukturor, në Planin Hapësinor të Komunës së Ulqinit tashmë të miratuar, është përmbushur një nga kërkesat tona dhe është paraparë ndërtimi i pikës së re ne Bunë duke na integruar me bregdetin e Velipojës.”- thotë z.Nazif Cungu. Vetëm disa muaj më parë u finalizua projekti i Rrugës së Bjeshkëve si dhe u përurua pika e re kufitare Cemi–Trieshi–Grabom e cila i afron më shumë me shqiptarët e Plaves dhe Gucisë. Lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, duke qenë se drejton partinë kryesore të shqiptarëve që jeton në këtë shtet, ai thekson se zhvillimi ekonomik është një obligim patriotik me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare. “Nëse më përpara shqiptarët kanë braktisur trojet e tyre për shkak të pastrimit etnik, dhunës, persekutimit e diskriminimit politik, sot po e braktisin kryesisht për shkaqe ekonomike.” Prandaj zbrazjen e trojeve shqiptare në Mal të Zi mund ta ndalë sipas tij vetëm rimëkëmbja ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punës, dhe këtu ai sheh një potencial të madh kontribuues të diasporës.

Qyteti bregdetar mbetet sfidë e përhershme për kryetarin, i cili kërkon të lë gjurmë jo vetëm për një administrim të mirë të Ulqinit, për vlerat, turizmin, trashëgiminë kulturore, por mbi të gjitha një avancim dhe zhvillim të shqiptarëve në Malin e Zi.

admin

Artikujt e tjetrë