Kulturë

Mbas Verës vjen Vera

shtrydhja e rrushit 1

Me orën poetike, hapjen e ekspozitës së artistëve,  me përzgjedhjen e mbretëreshës së Rrushit, të dielën  është përmbyllur edicioni i 16-të i Festës së Vjeljes së Rrushit, “HardhFest.”

Këtë vit, numri i pjesëmarrësve në HardhFest arriti mbi 50 mijë, gjë që tregon se interesimi  për këtë festë, është duke u rritur. E veçanta e këtij edicioni ishte performanca e legjendës së rockut Joe Lynn Turner, ish vokalist i bendeve më të njohura, Deep Purple dhe Rainbow, gjithashtu George Giakis dhe grupi Troublemakers. Në Hardh Fest këtë vit, u rikthye në skenë grupi 403, të cilët për një kohë të gjatë nuk u panë në skena të mëdha. Gjatë katër ditëve festive, n’Konak dhe në qendër të Rahovecit, u mbajtën aktivitete të ndryshme tradicionale e artistike. Parakalimi i mekanizmit bujqësor, nga qendra e qytetit, deri tek Konaku, ishte aktiviteti i parë që i dha frymën e festivalit dhe qytetit të Rahovecit. Ndërsa, me prerjen e Kalaveshit të Rrushit, filloi ceremonia zyrtare, ku të pranishëm ishin  personalitete nga sfera e politikës, artit etj. Gjatë kësaj ceremonie u bë edhe shpallja e vreshtarëve dhe vertarëve më të mirë.  Interesim të madh kishin secili nga aktivitetet e mbajtura, si vizita në vreshta HardhTour, garat në shpejtësinë e vjeljes dhe shtrydhjes së rrushit, karnavali në qytetin e Rahovecit, demonstrimi i pjekjes së rakisë etj. Ndërsa në panairin e verës dhe rakisë, për të cilin organizohet i gjithë festivali, u pa një interesim i jashtëzakonshëm i vizitorëve  vendorë e turistë të huaj, të cilët degustonin verërat në secilën verari, që ishin të hapura përgjatë 4 ditëve të festës. Dita e parë u përmbyll me Sofrën Tradicionale, e përcjellë me instrumentistë dhe këngëtarë të muzikës tradicionale shqiptare si dhe me performimin Unplugged të bandit Magnituta n’Konak rreth “kazanit” dhe vazhdoi në HardhCamp.

Me 8 shtator, festa nisi me performimin e dj në Promo Skenat n`Konak, demonstrimi i pjekjes së rakisë po vazhdonte, si dhe artistë nga vende të ndryshme të botës, vazhdonin të pikturonin në Kolonia e Artit.
Në anën tjetër, HardhTour vazhdoi vizitën në monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore si dhe vizitë bodrumeve të Rahovecit. E n ‘Konak u organizua koncerti i parë i kësaj feste, ku të parët që hipën në skenën e madhe ishin familja Shtavica, rock grup ky i përbërë nga tri gjeneratat e kësaj familje, e pas tyre atmosferën e “ndezën” Offchestra, për të pritur në skenë rikthimin e grupit 403.

HardhCamp ishte një ndër atraksionet më të mëdha të festës, ku ishin kampistët të parët që fillonin festën n`Konak, e që përcillnin gjitha aktivitetet e festës.
Edhe në ditën e tretë, aktivitetet vazhduan të kishin interesim nga turistët, të cilët, prisnin me padurim koncertin e dytë të kësaj feste. Koncerti madhështor filloi me muzikën cover të muzikantit nga Rahoveci Naser Dula, e më pas rock grupi nga suedia Memory Writws, për të vazhduar me BB Poqi vazhdoi dhe  George Giakis e Troublemaker nga Greqia. Ndërkaq me shfaqjen në skenë të ikonës së muzikës rock Joe Lynn Turner, së bashku me pjesëtarë të grupit, atmosfera arriti kulmin, ku pothuajse për gjithë publikun, ishte hera e parë që po i dëgjonin live në një koncert, këngët e grupit Deep Purple dhe Rainbow.

Gamblemania & Band, Dj Oda dhe Dj Gruda, arritën të mbanin të zgjuar publikun deri në mëngjesin e së dieles. Edhe në ditën e tretë u organizuan aktivitete të ndryshme si  ekspozita e artistëve nga Kolonia e Artit si dhe orën poetike, me poezitë e poetit rahovecian, Xhevdet Bajraj.

Festa e vjeljes së rrushit  Hardhfest ka tri vite që është ri brenduar me format të ri dhe  mbahet në Rahovec, duke arritur nivelin e organizimeve më të rëndësishme në Kosovë. Këtë vit ky event  u mbajt nën sloganin  “Mbas Verës vjen Vera”.

admin

Artikujt e tjetrë