Gruaja

Çka do të thotë të veprosh me integritet?

18236058_10208569384983192_1616472067_o

Nga Arjeta Spahiu

Shpesh dëgjojmë fjalën integritet, e cila përdoret dhe stër-përdoret, me vend e pa vend, dhe me bindje themi se ai ose ajo ka apo nuk ka integritet. Por çka është në të vërtetë integriteti?

Integriteti është kualiteti personal i një individi që vepron me drejtësi, sinqeritet, ka antidozë të vetë-interesit, si dhe kur fjalët e po atij individi janë të vëna në veprim. Integriteti është i lidhur ngushtë me etikën, të drejtën universale dhe moralin. Por sa është e vërtetë dhe sa qëndron një e drejtë universale? Cili është zëri i arsyes apo i së drejtës universale? Këtu mendimet ndryshojnë lehtësisht dhe pikë-përputhjen e kanë në pragmatizëm, ku: “e drejta jote shtrihet derisa nuk e cenon të drejtën e tjetrit” – pasiqë e drejta jote nuk është më e drejtë, se e drejta e tjetërkujt.

E mira e integritetit është se nuk jemi lindur me të, por është virtyt që kultivohet. Secili individ ka një set të vlerave e principeve. Por a janë këto principe e vlera të njëjta për çdokë? Sigurisht që jo, pasiqë secili prej nesh ka vlerat dhe principet personale. Këto vlera e principe zhvillohen gjatë stadeve të jetës. Ekzistojnë 4 stade ku zakonisht zhvillohen vlerat dhe principet:

Stadi i parë është në vegjëli kur mësojmë nga prindërit vlerat apo principet që secila familje i ka. Këto vlera e principe në këtë stad janë zakonisht të adoptuara “siç janë”, pa ndonjë reflektim ose vetëdije të plotë. Pastaj tek zhvillohemi dhe edukohemi, sistemi arsimor dhe rrethi social ka ndikim tek ne dhe fillon stadi i dytë i adoptimit të vlerave e principeve. Në pjekuri në mënyrë të vetëdijshme adoptojmë vlerat tona personale më të rëndësishme, të cilat zakonisht e në parim, mbesin të pandryshuara dhe përbëjnë stadin e tretë. Mirëpo me arritjen e mezo-moshës shumica e individëve kalojnë një “revolucion personal”  e me këtë revolucion personal edhe principet ndryshojnë, gjë që kemi stadin e katërt.  Kjo ndodhë për arsye se individët në mezo-moshë janë me të vetë-dijshëm dhe të vëmendshëm për kahjen e jetës së tyre dhe kur reflektojnë mbrapa dhe i thirren kujtesës së tyre, kuptojnë se disa nga principet që kanë adoptuar më herët, kanë qenë të tjetërkujt e që në të vërtetë nuk i kanë krijuar ata vetë në mënyrë të vetëdijshme. Megjithatë, përpos këtyre stadeve kur zakonisht ndodhin reformimet, principet e vlerat zhvillohen e modifikohen gjatë tërë jetës sonë.

Pra kur dikush thotë se dikush tjetër nuk ka integritet, zakonisht ka ndeshje vlerash dhe principesh,  mungesë e anti-dozës së vetë-interesit, mos-kongruencë në mes fjalëve dhe veprimeve, si dhe cenim i së drejtës së tjetrit .

Vlerat dhe principet luajnë rol të madh në krijimin e raporteve me të tjerët. Zakonisht individët krijojnë raporte profesionale me ata të cilët ndajnë vlera e principe personale të njëjta, e aq më tepër në raporte miqësore sepse zakonisht individët gravitojnë kah ata më të cilët janë të njëjtë ose kah ata të cilët kanë vlera e principe që janë inspiruese për të tjerët. Të veprosh me integritet nevojitet guxim dhe nuk është e lehtë sepse anti-doza e vetë-interesit është vështire të aplikohet, veçanërisht në shoqëri ku vetë-interesi çmohet si shkathtësi e integriteti si naivitet.

Pavarësisht këtyre vlerave e principeve, secili nga ne e din dhe e ndjenë se cila është e drejta dhe jo e drejta, dhe me një fjalë integriteti është “veprimi i drejtë, edhe atëherë kur askush nuk të shikon”.

Një thënie e shkrimtarit Robert Brault e rrumbullakson jo-integritetin:

“Nuk zgjohesh një mëngjes si një njeri pa integritet. Kjo ndodhë me 1000 dorëzime ë vogla të vetë-respektit për hir të vet-interesit”.

admin

Artikujt e tjetrë