Gruaja

Një politikane si Blerta

blerta hoti

Foto: Maite Morren

Blerta Hoti është këshilltare politike në Parlamentin Evropian për eurodeputetët e partisë Socialdemokrate të Suedisë. Duke qenë një ish refugjate, asaj i është dashur të punojë dyfish më shumë si vajzë, dy herë më shumë si “e huaj” dhe dy herë më shumë pse është rritur në një lagje të varfër…

 Janë frymëzuese historitë e këtyre personazheve, si Blerta Hoti, e cila një vajzë vetëm 6-vjeçare i jep lamtumirën vendlindjes, Polac të Skenderajt, duke u nisur drejt Suedisë, pa e ditur sesi do të merrte jeta e saj. Sot Blerta është këshilltare politike në Parlamentin Evropian për eurodeputetet e partisë Socialdemokrate të Suedisë. Ishte viti 1992 dhe familja e saj, së bashku me Blertën dhe tre fëmijë tjerë të vegjël, vendosen në Suedi, pa e ditur gjuhën dhe të pa punë. “Nuk mund ta imagjinoj sa të vështirë e kanë pasur prindërit e mi, me fëmijë të vegjël, pa njohur gjuhën dhe kyçjen në tregun e punës. Konsideroheshim të huaj, një margjinalizim tjetër ndaj nesh, nga pjesa tjetër e shoqërisë, por në anën tjetër, shteti suedez, i cili është një ndër shtetet më të forta në botë sa i përket barazisë ekonomike dhe mirëqenies sociale, për ne ishte shumë me vlerë, që Suedia i hapi dyert e saj dhe na mundësoi të kërkonim azil dhe të kishim strehim. Edhe pse unë kam përjetuar diskriminim si e “huaj”, unë prapë jam shtetase e Suedisë, ndaj besoj që është shumë e rëndësishme si shtetas i vendit ku jeton, t’i kërkosh drejtat e tua, por edhe ta bësh detyrën  si shtetase. Shumë herët kuptova se këto mundësi që mi dha Suedia janë falë një qeverisje të mirë, por nuk duhet të merren si të garantuara, por gjeneratat e reja duhet të luftojnë për këto të drejta. Dhe kjo më nxiti të marr vendime në jetë, sa i përket studimeve, punës dhe angazhimit politik. Motivi për angazhimin politik gjithmonë ka qenë për padrejtësitë në shoqëri, ndaj duhet të flasim, të ngrehim zërin për ata, që ende nuk i kanë këto mundësi, nuk kanë lirinë  e të shprehurit, demokracinë, barazinë ekonomike dhe gjinore dhe që ende përjetojnë shtypje për shkak që i takojnë një pjese të margjinalizuar.”- shprehet Blerta Hoti.

Por nuk ka qenë aspak e lehtë për të. Sfidat kanë filluar që në pjesën në të cilën i është dashur të rritet, ku një person jeton 9 vite më pak sesa në anën më të pasur të të njëjtit qytet. Duke qenë një ish refugjate, Blertës i është dashur të punojë dyfish më shumë si vajzë, dy herë më shumë si “e huaj” dhe dy herë më shumë pse është rritur në një lagje të varfër. Ndaj është për tu vlerësuar dhe krenuar karriera e vajzave si Blerta, të cilat mes sfidave të shumta arrijnë të kenë suksese kaq të mëdha. Por cili është mendimi i saj për rolin e diasporës në Kosovë?!

“Sa e kemi një pjesëmarrje të madhe nga BE-ja në Kosovë, po aq e kemi edhe një Kosovë të madhe brenda shteteve të BE-së e cila përmes shqiptarëve të diasporës kontribuon nën zhvillimin e BE-së qoftë në politik, në tregun e punës apo në sport e kulturë. Kjo marrëdhënie reciproke është cilësi  për Kosovën edhe për shtetet e BE-së. Sa i përket rolit të diasporës mund të them se është një nga faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës. Duke pasur parasysh kontributin që ka dhënë historikisht, sidomos gjatë viteve ’90 para luftës, por edhe prej remitancave ekonomike gjatë gjithë kohës. Sipas statistikave përafërsisht 30%  e GDP-së së Kosovës vjen nga diaspora, e cila do të thotë që një në tre kosovarë jeton nga remitencat e diasporës. Por unë besoj që çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë është edhe kthimi i trurit prej diasporës në institucione, në sektorin publik por edhe atë privat. Por mendoj që ende nuk ekzistojnë kushte të mirëfillta për investime kapitale dhe intelektuale  të diasporës në Kosovë dhe në këtë drejtim qeveritë aty duhet të bëjnë më shumë për të krijuar këto kushte. Diaspora luan një rol të rëndësishëm për t’ju treguar realitetin e situatës në Ballkanin Perëndimor sepse shpeshherë ka paragjykime ndaj nesh, por besoj se këto paragjykime do të rrallohen duke pasur parasysh që më shume prej gjeneratave të reja janë të kyçur në tregun e punës, punojnë dhe kanë mjaft sukses të madh në politik, sektorin publik dhe atë privat, në muzikë dhe sport.”- tregon Blerta.

 

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë