Arte Pamore

Një dashuri artistësh

diegofrida

Si e takoi Diego Rivera adoleshenten e guximshme Frida Kahlo dhe disa vite më vonë ra në dashuri me të?! “Atëherë nuk e dija këtë, por Frida ishte bërë personi më i rëndësishëm në jetën time dhe mbeti e tillë deri në momentin e ndarjes së saj nga jeta.”

Ka diçka të veçantë kur flasim për lidhjet që sollën momente epike, shpesh herë të turbullta, dashuritë e përjetshme, siç ishte ajo e Gertrude Stein dhe Alice B. Toklas apo e Sylvia Plath dhe Ted Hughes. Por një nga dashuritë më drithëruese, pasionante në historinë moderne është ajo e artistëve legjendarë Frida Kahlos dhe Diego Riverës, një fillim i pazakontë dhe i këndshëm për të cilin është rrëfyer Rivera, në librin “My Art, My Life”, një paraqitje e rrallë e jetës private të artistit, një autobiografi e botuar pas vdekjes së tij në vitin 1960, bazuar në intervistat e realizuara nga Gladys March, në mes viteve 1944 deri në vdekjen e tij, në vitin 1957.

March e përshkruan librin si ‘Rivera’s Apologia’, një autoportret i personalitetit kontrovers dhe kompleks, si dhe çelësin e suksesit të mbase ‘njërit prej artistëve më të mëdhenj që ka pasur Amerika ndonjëherë.’

Në kapitullin e titulluar ‘An Apparition of Frida’, apo shfaqja e Fridës, Rivera e përshkruan takimin e parë me adoleshenten e guximshme derisa po e realizonte muralin e tij të parë të rëndësishëm, “Creation”, në auditoriumin bolivian të Shkollës Kombëtare Përgatitore, në Mexico City, 1922. Kahlo ishte njëra nga 35 studentet, që vijonin mësimet në këtë institucion prestigjioz.

“Isha duke pikturuar dhe papritmas dëgjova një zë vajze, që thërriste me zë të lartë; Diego në roje, Nahui po vjen! (Nahui ishte emri i piktores së talentuar indiane, që ishte një nga figurat e auditoriumit).”

Zëri i vajzës së padukshme, vazhdoi t’i bënte rrëngje Diegos, deri në momentin që vendosi t’i prezantohej artistit. Një mbrëmje derisa Diego po pikturonte bashkë me atëherë bashkëshorten e tij Guadalupe ‘Lupe’ Marini, dëgjuan zëra të zhurmshëm nga studentët, të cilët po futeshin brenda auditoriumit. Rivera e  përshkruan atë moment, të cilin më vonë, në retrospektivë, do ta konsideronte si thelbësor në jetën e tij:

“Përnjëherë u hapën dyert dhe u fut brenda një vajzë, që nuk dukej më shumë se 11 apo 12 vjeçe. Ishte e veshur sit ë gjitha studentet e tjera të shkollës, por sjellja e saj e bënte më të veçantë. Kishte një dinjitet të pazakontë dhe siguri në vetvete, si dhe një zjarr të çuditshëm në shikim. Bukuria e saj ishte një bukuri fëmijërore. Më pa drejt në sy dhe më tha; Do të përbënte problem nëse qëndroj këtu me ju dhe ju shoh teksa punoni? Aspak zonjushë, kënaqësia është e imja, i thash. Ajo u ul dhe më shihte qetësisht. Sytë e saj përkuleshin në çdo lëvizje të brushës time. Pas disa orësh, xhelozia e Lupes ishte e papërmbajtshme dhe filloi ta ofendonte vajzën. Por ajo nuk i kushtonte aspak vëmendje fjalëve të Lupes. Kjo natyrisht se e nxiti edhe më shumë  gruan time, vuri duart në bel dhe u drejtua kah vajza për ta konfrontuar atë.  Ajo thjesht u ngurtësua dhe ia ktheu shikimin  Lupes pa fjalë. Dukej se ishte mahnitur jashtë mase, pasi Lupe buzëqeshi dhe me një dozë admirimi, më tha: “Shihe këtë vajzë! Kaq e vogël dhe nuk ka frikë nga një grua e gjatë dhe e fortë si unë. Më pëlqen shumë”. Vajza qëndroi përgjatë tri orëve dhe kur u largua tha vetëm; Natën e mirë. Pas një viti mësova se ajo ishte zëri, që nuk ia shihja fytyrën dhe se quhej Frida Kahlo. Por nuk kisha asnjë ide se një ditë ajo do të bëhej gruaja ime.”

Pas disa vitesh të dy artistët u ritakuan. Në kapitullin tjetër të librit ‘Frida becomes my wife’, Rivera sjellë detajet sesi filloi lidhja e tyre pasionante:

“Po punoja një nga afresket më të larta në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit, kur dëgjova një vajzë që më thërriste; Diego zbrit poshtë të lutem, kam diçka për të biseduar me ty! Ktheva kokën dhe pash poshtë. Një vajzë afër 18 vjeçe po më priste. Kishte një fytyrë të bukur delikate. Flok të gjatë, të zinj, vetulla të trasha që takoheshin tek hunda. Dukeshin si krahë zogu, të cilët u jepnin formë dy syve të jashtëzakonshëm ngjyrë kafe.”

Ndërsa ai po zbriste poshtë skelës, Frida nuk bëri asnjë përpjekje për të fshehur qëndrimin e saj  ambicioz dhe të ashpër, duke i thënë Riverës:

“Nuk kam ardhur këtu për tu argëtuar. Më duhet të punoj që ta fitoj bukën e gojës. Kam realizuar disa piktura, të cilat kam dëshirë të vlerësohen në mënyrë profesionale. Dua një opinion të drejtpërdrejtë sepse nuk dua vetëm ta qetësoj kotësinë time. Dua të më tregosh se a mund të bëhem një artiste e mirë dhe që ia vlen të fokusohem në këtë drejtim. Kam sjell tri piktura. Do të vish poshtë që t’i shohësh?”

Rivera zbret dhe i sheh pikturat që Frida i kishte vënë në një kabinë.

Kujtesa e tij kap magjinë e pashprehur të një ngjarjeje të rrallë – atë precize të paçmuar të bashkimit krijues ku një artist është i përulur nga një tjetër, një njohje që pashmangshmërisht lulëzon në dashuri:

“Ajo më tregoi secilin prej tyre, duke u mbështetur në mur, për t’u përballur me mua. Ishin të tre portrete të grave. Ndërsa i shikoja ato, një nga një, menjëherë u impresionova. Pëlhurat zbuluan një energji të pazakontë të shprehjes, përcaktimin e saktë të karakterit dhe ashpërsinë e vërtetë. Ata nuk treguan asnjë nga truqet në emër të origjinalitetit që zakonisht shënojnë punën e fillestarëve ambiciozë. Kishin një sinqeritet dhe një personalitet artistik të tyre. Të tri portretet komunikonin një sensualitet jetësor, të plotësuar nga një fuqi e pamëshirshme por e ndjeshme e vëzhgimit. Ishte e qartë se kjo vajzë ishte një artiste autentike.”

Megjithatë, Kahlo, duke qenë e paralajmëruar për reputacionin e Riverës si ‘I pasionuar pas grave’, ishte skeptike ndaj  entuziazmit të dukshëm në fytyrën e tij dhe menjëherë e qorton atë me një ton të ashpër mbrojtës:

“Nuk kam ardhur këtu që të më japësh komplimente. Dua një kritikë të mirëfilltë nga një njeri serioz. Nuk jam as amatore por as dikush që dashuron artin. Jam thjesht një vajzë që duhet të punojë për të jetuar.”

Rivera ishte prekur – intelektualisht, kreativisht dhe megjithëse ende nuk e kishte kuptuar, romantikisht. Ai thjesht vë në dukje:

“U ndjeva thellësisht i zhveshur nga admirimi për këtë vajzë.”

Prandaj, kur ajo këmbënguli në mendimin e tij të ndershëm në lidhje me atë nëse ajo ka atë që duhet për t’u bërë një artiste profesioniste apo nëse do të duhej të ndjekë një linjë tjetër pune, ai i përgjigjet me vendosmëri:

“Sipas mendimit tim, pa marrë parasysh se sa e vështirë mund të jetë për ju, duhet të vazhdoni të pikturoni.”

Duke u zotuar të ndjekë këshillën e tij, Kahlo i kërkon një favor të fundit – të vijë në shtëpinë e saj të dielën e ardhshme dhe të shohë pjesën tjetër të pikturave të saj. Rivera e përshkruan më pas reagimin e tij, i cili ishte një lloj hezitimi por që do të ndërpritej menjëherë nga insistimi i saj, gati duke i mbyllur gojën me dorë e ndikuar nga emocionet. Sytë e saj morën një shkëlqim djallëzor.

Pothuajse me kërcënim, ajo tha “Po dhe pastaj çfarë? Unë isha ajo vajza në auditorium, por kjo nuk ka të bëjë asgjë me të tashmen. Dëshiron ende të vish të dielën tek unë?”

Dëshiroja t’i thosha: Më shumë se kurrë! Por që të mos e shprehja aq shumë entuziazmin i thash vetëm: Po.

Të Dielën që erdhi, Rivera u shfaq në shtëpinë e Khalos dhe e gjeti atë:

“Ishte ngjitur në një pemë të lartë, e veshur me pantallona të gjera, pastaj duke zbritur poshtë dhe duke qeshur me gëzim, më mori dorën e më çoi në shtëpi, e cila dukej se ishte e zbrazët. Pastaj i vendosi të gjitha pikturat e saj para meje. Dhoma e saj, prania e saj, pikturat… më mbushën plot hare. Atëherë nuk e dija këtë, por Frida ishte bërë shumë e rëndësishme për mua dhe vazhdoi të jetë e tillë deri në momentin që vdiq, njëzet e shtatë vjet më vonë.”

Disa ditë më vonë, ata do të fillonin romancën më të njohur në botë dhe megjithëse Frida ishte tetëmbëdhjetë vjeçe dhe Diego dyfishi i moshës e saj, asnjëri prej tyre “nuk ndihej aspak  çuditshëm”. Katër vjet më vonë, më 21 gusht , 1929 u martuan në një ceremoni civile nga kryebashkiaku i Coyoacán, një nga gjashtëmbëdhjetë qarqet e qytetit të Meksikës, i cili shpalli bashkimin “një ngjarje historike”. Kahlo ishte 22 vjeç dhe Rivera 42. Ata qëndruan së bashku deri në vdekjen e Kahlos në korrik të vitit 1954. Pavarësisht se kishin një martesë të hapur ku secili kishte punë të ndryshme për të bërë, për Friden biseksuale, më e rëndësishmja ishte lidhja me këngëtaren franceze, balerinën dhe aktoren Josephine Baker dhe teoricienin marksist Leon Trockin. Por si Frida Kahlo ashtu dhe Diego Rivera pohuan se ishin dashuria e jetës për njëri-tjetrit.

admin

Artikujt e tjetrë