Kulturë

Si të identifikosh profesionin për të cilin ke pasion?

18236058_10208569384983192_1616472067_o

Nga Arjeta Spahiu

Shtatori është afër! Shumë të rinj e të reja që fillojnë jetën studentore, gjenden në udhëkryq të rrugës profesionale. Shpesh të rinjtë marrin profesione për të cilat prindërit u kanë sugjeruar/imponuar, e që në fakt janë ëndrra të parealizuara të vet prindërve, por nuk reflektojnë pasionin e këtyre të rinjve. Zakonisht në familje mjekësh, juristësh, ekonomistësh ekziston presoni që fëmijët të vazhdojnë rrugëtimin e prindërve të tyre. Nuk ka asgjë të keqe këtu, por vetëm nëse fëmija ka dell për këtë profesion dhe ka pasion për ta ushtruar atë. Kot s’thuhet se kur ushtron profesionin për të cilin ke pasion, ndalon së punuari. Pasioni është bazamenti i suksesit në profesion por gjithashtu edhe të jetuarit e një jete më kuptimplotë.

Por si të identifikosh se cili është pasioni yt? Si të evidentosh pasionin për të cilin je në gjendje të kushtosh jetën tënde profesionale? Më poshtë ke 10 hapa udhërrëfyes në këtë rrugëtim:

  1. Bëhu mendje hapur – Mund të jetë dekurajues fakti se disa nga miqtë tuaj e dinë saktësisht se cili është pasioni i tyre. Nëse ke mendje të mbyllur dhe mendon se nuk do ta gjesh pasionin tënd, do ta kesh vështirë të eksplorosh.
  2. Eksploro ide për të cilat je kureshtar – Gjetja e pasionit zakonisht fshihet tek gjërat për të cilat je kureshtar të mësosh më shumë. P.sh. dëgjon një storje për një galaktikë të re të zbuluar dhe dëshiron të dish më shumë; vallëzim i vallëzuesit tënd të preferuar që menxi pret të mësosh hapat; mësimi i një programi kompjuterik apo lojë kompjuterikë të re; paragliding ose yoga ; apo libri më i ri i shkrimtarit tënd të preferuar të cilin menxi pret ta lexosh. Si do që të jetë, fokusohu në këto “gjurmë” të vogla kuriozitetit, që të ngjallin apetitin të mësosh më shumë;
  3. Drafto listë idesh – Pasi të eksplorosh drafto një listë idesh. Mos ngurro që të evidentosh edhe idetë më të thjeshta por që të ngjallin kureshtjen;
  4. Kërko ide që kryqëzohen me njëra tjetrën – Steven Kotler në një artikull mbi pasionin thekson se nuk mjaftojnë vetëm idetë dhe gjërat për të cilat je kurioz, sepse nuk ka energji dhe përkushtim të mjaftuar për veprim. Nevojitet ajo shkëndijë që rritë adrenalinën tënde. Më tutje Kotler këshillon që të shohësh me vëmendje se ku kryqëzohen këto ide, pasi që kur multikurioziteti pritet në udhëkryq krijohen kushtet për evidentimin e shtigjeve që shpien në lidhjen e ideve së bashku;
  5. Eksploro udhëkryqet – Kur të evidentosh ato ide që kryqëzohen me njëra tjetrën, eksploro video, libra dhe artikuj lidhur me këto ide. Kyçu në bllogje dhe shoqërohu me individ që kanë njohuri dhe merren me këto lëmi. Eksploro profesionet që janë të lidhura me këto ide të kryqëzuara;
  6. Evito “bllokuesit” – Zakonisht ka individ në rrethin tënd të cilët po t’ju tregosh idenë apo pasionin të cilin e ke do të “bllokojnë” me eksperiencën e tyre të mëparshme apo me “analiza” se pse kjo ide nuk do të funksionoj. Nuk është e thënë se këta individ kanë qëllime të këqija, por nisen prej eksperiencës së tyre, kanë qasje negative dhe apati për fillimin e diçkaje të re pasi që janë tej mase kalkulativ. Është ajo fjala “paralize përmes analizës” që shumë ide i len të pa zhvilluara;
  7. Transmeto idenë rrethit tënd – Mos e mbaj idenë të izoluar. Ka shumë individ që e dinë së cili është pasioni i tyre, por kanë frikë nga paragjykimet e tjerëve e sidomos kur familjarët kanë pritje të tjera për ta. Transmetoja idenë tënde rrethit, vepro me konfidencë duke gjetur bashkëmendimtar të tjerë dhe shoqërohu me ata që të mbështesin;
  8. Dallo në mes hobit dhe pasionit profitabil – Mund të kesh hobi dhe pasion në të bërit e diçkaje por nuk do të thotë se mund të jetosh nga ajo. Gjersa është mjaft e dobishme që të kesh hobi, mundohu të gjesh një profesion për të cilin ke pasion por të jetë profitabil. Profesioni mund të jetë i lidhur me hobi psh. Trajner Personal Fizik apo Yoga Instruktor, por kujdes edhe këtu sepse për disa individ një aktivitet i cili ka qenë “adhuroj ta bëj” shndërrohet në “duhet ta bëj” pasi që të kthehet në profesion. Prandaj dallo në mes hobit dhe profesionit që do ta ushtrosh;
  9. Mos ke frikë nga “gabimi” i zgjedhjes së profesionit – Shumë të rinj e marrin si tej serioze gjetjen e profesionit dhe druajnë se do të gabojnë. Gjatë jetës sonë mund të kemi më shumë se një profesion, prandaj mos hezito të eksplorosh mundësi.
  10. Zgjero zonën e komfortit – Është e natyrshme të ndjesh veten më të sigurtë në zonën e komfortit. Por, zona e komfortit njihet edhe si “zona e vdekjes profesionale” nëse rrihet një kohë të gjatë në të. Gjersa nuk është e nevojshme të “katapultosh” nga zona e komfortit, eksploro mundësi për zgjerim të horizonteve dhe neglizho zërat e brendshëm që ju frenojnë duke i rezistuar ndryshimit për shkak të frikës së dështimit. Shtyj limitet e trimërisë tënde.

Së fundi, mos u frikëso të shkosh pas asaj qe ke pasion – pasioni i jep kuptim jetës tënde. Mos ngurro, merr një laps e një letër dhe shëno idetë tuaja. Nëse nuk provon do si do je i humbur, por nëse gjen pasionin, do të bësh ndryshim pozitiv në jetën tënde.

Kujto gjithmonë thënien e Thomas Edison: “Nuk kam dështuar. Kam gjetur 10,000 mënyra që nuk funksionojnë”.

admin

Artikujt e tjetrë