Gruaja

Barazia gjinore, realitet apo utopi?

DSC_0305 copy

Studime të shumta tregojnë që një nga problemet themelore, që pengon arritjen e barazisë gjinore dhe realizimin e plotë të potencialit të femrës në Kosovë, është kultura dhe tradita patriarkale. Megjithatë, duke analizuar të kaluarën tonë, që është ruajtur mirë edhe në epikën gojore, shohim se kemi shembuj ku promovohet roli i gruas përtej stereotipave gjinore.

  Nga Shqipe Neziri Vela

 Foto: Shenoll Zehri

 Në vitet e pasluftës, prej 1999 e deri më sot, janë realizuar nisma të ndryshme, që synojnë mbërritjen e barazisë gjinore atje ku mungon. Ligje, rregullore, politika publike, fushata për vetëdijesim për të kultivuar frymën e barazisë, nga insti­tucionet, nga shoqëria civile e nga organizatat ndërkombëtare. Por, çfarë ishte efekti i tyre? Disa theksojnë faktin se ka një ngritje të vetëdijes sa i përket të drejtave të vajzave dhe të grave, me anë të arsimimit të djemve dhe të vajzave, se gjinia nuk përbën dallim shoqëror. Në kohën e fundit, për efektet e veprimeve të tilla është thënë se kanë të bëjnë me  ngritjen e vetëdijes së vajzave dhe të grave për të drejtat e tyre pronësore, si hap themeltar për barazinë ekonomike ndërmjet gjinive dhe lirisë financiare të gruas. Në aspektin afatgjatë, nisma të ndryshme kanë synuar rritjen e përfaqësimit të gruas në institucione dhe në vendimmarrje publike përmes kuotave gjinore, gjë që ka rezultuar me prani më të madhe formale të femrave në institucione, sidomos në institucionet arsi­more dhe shëndetësore.

Sot, realiteti në terren nuk është edhe aq premtues. Studime të shumta tregojnë që një nga problemet themelore, që pengon arritjen e barazisë gjinore dhe realizimin e plotë të potencialit të femrës në Kosovë, është kultura dhe tradita patriarkale. Megjithatë, duke analizuar të kaluarën tonë, që është ruajtur mirë edhe në epikën gojore, shohim se kemi shembuj ku promovohet roli i gruas përtej stereotipave gjinore.

Në epikën tonë gojore heroike legjendare dhe historike femrat janë personazhe të ngritura në shkallën e heroinave, siç janë Nora e Kelmendit, Tringa nga Gruda, Bikë Alia e Kajë Galja nga Rugova. Në Eposin e Kreshnikëve, ku trimat janë meshkuj, të drejtuar nga Muji e Halili, shtjellohet edhe roli i femrës. Respekti për femrën është i madh në Epos: nëse para fuqisë se Mujit dridhet toka, ai para nënës përulet si fëmijë; ai e nderon gruan e motrën, i nderon vajzat e gratë e krahinës si motra. Ato përmenden për bukurinë e tyre, besnikërinë, rolin e dedikuar të amësisë. Vajzat e kreshnikëve luftojnë përkrah burrave për të mbrojtur kullën e sulmuar, por ka raste kur ato dalin edhe në dyluftime, të veshura si burrat. Kryepersonazhi, nëna e Mujit dhe e Halilit, po edhe motra Hajkunë, pastaj Hajkuna, gruaja e Mujit, reflektojnë shumëllojshmërinë e rolit të femrës: si vajzë, grua, motër, e nënë. Fryma e nderimit dhe shkalla e respektit ndaj tyre janë vijimësi e traditave të kohës së matriarkatit, e njohur ndër ne si koha ilire e Teutës mbretëreshë.

Qindra vjet me vonë, në Kanunin e Lekë Dukagjinit (sqarim: Kanuni ka elemente aq të vjetra, sa dalin të kohës së besimit pagan të ili­rëve), kushtetutë popullore, ndër më përparimtarët e këtij lloji në Evropë, një ndër kontratat sociale të para që rregullonin raportet shoqërore në Evropë, pozita e femrës në shoqërinë shqiptare, në prizmin juridik dhe etik-moral, paraqitet mes tjerash dhe pa të drejta për të vendosur për fatin e saj. Vajza s’ka tager: me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë për atë, për të cilin t’a fejojn; m’u përzi në shkuesi as në fejesë; as në këpucë e as në petka. Gruaja a’ në detyrë: me i ruajte nderën burrit; me i rrogue pa zhibla; me i ndejë nën sundim. Në anën tjetër, sado diskriminues, kishte edhe elemente ku roli i gruas ishte i barabartë me burrat: ajo merrte pjesë në kuvende burrash dhe në luftë bashkë me burrat.

600 vjet më pas, disa nga doket e zakonet që nga ajo periudhë ende zbatohen. Këto doke janë diskriminuese dhe nuk nuk e konsiderojnë gruan të barabartë me burrin. Çfarë duhet të bëjmë më shumë ne si shoqëri që të ndryshojmë këtë mendësi? A mjafton arsimimi i gjeneratave të reja, e ne veçanti i djemve, për pasojat që shkakton patriarkati te zhvillimi personal e profesional i gjysmës së popullsisë? A mjafton një fushatë për të drejtat pronësore, ku babai e ndan pasurinë njëjtë si për vajzën ashtu edhe djalin? Gratë dhe vajzat, duke synuar forma të ndryshme organizimi, e kanë në dorë thyerjen e tavanit të qelqtë, që pengon arritjen e barazisë gjinore. Kjo nënkupton realizimin e ndryshimit nga familja, shoqëria, lagjja, qyteti e deri në nivelin kombëtar përmes arsimimit. Duke promovuar trajtimin e barabartë mes vajzave dhe djemve si dhe prindërve në familje duhet atakuar stereotipet mbi ndarjen e punëve dhe profesionet që përcjellin vajzat e gratë gjithë jetën. Fundja, fëmijët tanë derisa arrijnë moshën madhore kanë përvoja të dorës së parë si modele shoqërore nga nënat, motrat, mjeket, mësueset dhe arsimtaret e tyre.

Po ashtu, gratë në pozita udhëheqëse në shoqëri duhet të synojnë arritjen e efektit shumëfishues duke mbështetur dhe kontribuar në arritjen e barazisë gjinore në secilin nismë ligjore dhe politike publike. Kuotat e përfaqësimit në institucionet publike nuk duhet parë si instrument për normalizimin e përfaqësimit gjinor në një përqindje të caktuar ndërsa në praktike roli i gruas në vendim-marrje është inekzistent. Andaj, politikat e tilla të përfaqësimit gjinor duhet parë si garanci për të siguruar përfaqësimin gjithnjë në rritje të gruas – përtej përqindjes së përcaktuar me ligj.

 

admin

Artikujt e tjetrë