Intervista

Arkitektura… një vullkan intuitash

IMG_7111

Arkitekti shqiptar Lis Cena, është emri tjetër që rreshtohet përkrah personaliteteve shqiptare, që kanë tejkaluar barrierat e vendit, gjuhës e nacionalitetit duke u bërë figura të rëndësishme në vendet më të zhvilluara të botës. I lindur në Prishtinë dhe rritur mes Tiranës e Prishtinës, Lisi ka përfunduar studimet në Nju Jork, ku dhe jeton prej 15 vitesh, dhe Konektikat. Është i angazhuar si arkitekt, ligjërues në disa universitete në lëndët e Dizajnit dhe Teorisë si dhe një pjesë të rëndësishme në jetën e tij e zë edhe muzika. Nëpërmjet kësaj interviste do ta njohim edhe më mirë personalitetin e veçantë dhe sukseset e pafund, që janë kryefjala e përkushtimit të arkitektit tonë.

 

Çfarë ndikimi ka pasur fëmijëria në rritjen tuaj profesionale?

Fëmijëria ime është pak e çuditshme. Shumicën e kohës e kam kaluar duke lexuar dhe studiuar muzikë, kurse në shkollë kisha pasion marramendës për Fizikë dhe Astronomi. Doja të studioja astrofizikën dhe kisha plane shumë konkrete që të shkoja në M.I.T apo CalTech (2 shkolla të famshme teknike në ShBA). Sa i përket fillit të studimeve të mia në drejtim të arkitekturës, ajo ishte një zgjedhje të cilën unë e bëra në një moment strategjik, pata fatin të pranohem në një shkollë fenomenale në Nju Jork – Cooper Union dhe u zhvendosa të jetoj në ShBA, por dua të them se gjithashtu kisha fatin e madh, të lind në një familje me një traditë të thellë intelektuale; gjyshërit e mi ishin edukatorë dhe si rezultat i kësaj u rrita në mesin e librave dhe u ushqeva me një pasion për dituri dhe kuriozitet të pafund. Gjyshi im, Salih Nushi, është një person shumë i rëndësishëm për mua, një model i një intelektuali ideal, një njeri me një mendje të shkathët dhe të pakomprometuar, një njeri i drejtë dhe bujar; ishte një dhuratë e vërtetë ta kaloj fëmijërinë time me të dhe të kalitem nën ndikimin e tij, prej ku mora virtytin e kureshtjes së pashuar. Ai mbetet inspirimi im jetik!

Mund të na përmendni disa nga parimet dhe karakteristikat, që ju përkufizojnë ju si arkitekt?

Më duhet ta evitoj të jap përgjigje personale, e cila do të vinte në pah karakterin tim e të linte mënjanë karakterin e punës që unë bëj, prandaj do të flas pak për metodologjinë e procesit tim kreativ. Puna ime ka fillin në një proces që bazohet në intuitë, e cila është në fërkim konstant me veprimtarinë e intelektit. Një ide inspiruese mund të lind në një moment dhe ajo ndezë një impuls, i cili shpreh një formë, ajo formë pastaj pasurohet me imazhe materialesh, ngjyrash, dhe në këtë mënyrë formohet një kompozicion në të cilin reflektohet ajo dëshira e thellë për të zbuluar diçka, për të krijuar diçka. Intuita ka një fuqi marramendëse, por kjo nuk mjafton; mendja herët a vonë i përvetëson këto impulse, fillon t’i organizojë, t’i kontrollojë, gjithmonë duke gjykuar një vijë, një formë, gjithmonë duke kërkuar diçka më të thjeshtë, diçka më komplekse, por në të njëjtën kohë më të qartë dhe në këtë mënyrë fillon t’i pastrojë skicat dhe vizatimet dhe të mënjanojë çdo shtresë të tepërt dhe çdo ide të stilizuar. Unë përpiqem t’i rezistoj maksimalisht krijimit nën ndikimin e stilit, krijimit të kurthëzuar nga impulsi i të bukurës, sepse unë besoj se kjo mënyrë pune krijon vepra sipërfaqësore, vepra që nuk kanë potencial të ndrisin mendjen dhe shpirtin. Besoj se stili simbolizon pezullimin total të kreativitetit dhe mbyt shprehjen e individualizmit kreativ, gjë që për mua ka rëndësi jetike. Unë e kuptoj procesin tim kreativ si një shpërthim intuitash, që maten nga një kuadër i ideve dhe nga shkathtësia e intelektit. Apo mund të them: impulset kreative i takojnë shkathtësisë së duarve, përderisa akti i krijimit të vetëdijshëm i takon shkathtësisë së mendjes.

Cena, Lis_Mountain House 1

Çfarë rëndësie ka për ju vendi, lokacioni, në kontekstin kur vendosni të realizoni një projekt?

Nga një pikëpamje materialiste, asaj të realizimit të një projekti, ndërtimit të një ndërtese, kontektsi fizik dhe programor i arkitekturës është thjeshtë çështje praktike dhe si e tillë identifikon disa prej obligimeve më të rëndësishme profesionale të arkitektit si një agjent shoqëror. Kjo ka një shpjegim shumë të thjeshtë: ndërtesa që punohet duhet t’i përshtatet vendit dhe duhet të pasqyrojë tiparet e banorëve të saj. Shembull: një bibliotekë universitare në qendër të një qyteti, në kamp të një universiteti me një popullatë të madhe studentësh dhe edukatorësh do të jetë një ndërtesë e veçantë dhe nuk do t’i ngjajë një biblioteke të një fshati të vogël malor. Po ashtu, një bibliotekë tekstesh shkencore mund të ketë disa tipare të njëjta me një bibliotekë instrumentesh muzikore, por programi i veçantë në të dy rastet do të krijojë gjithashtu dy objekte tërësisht të veçanta. Ky lloj konteksti është problem praktik dhe nuk më intereson shumë. Ajo që mua më brengos është konteksti i kulturës dhe historisë së një vendi dhe njerëzve të atij vendi, për kah kontekstit konceptor dhe filozofik të arkitekturës si një disiplinë me traditë dhe rrënjë. Puna ime është e ndikuar thellësisht nga veprat e arkitektëve të mëdhenj modern, si për shembull Corbusier, Louis Kahn, Paulo Mendes da Rocha, por kjo nuk do të thotë se arkitektura ime i ngjan në formë apo stil kësaj arkitekture historike. Dobia e këtij vëzhgimi historik është që të mësohet diçka me vlerë dhe ajo të aplikohet ne operimet e kreativitetit individual, të transformohet në punën tonë në diçka të re e jo diçka imituese: ky është konteksti i traditës. Së dyti, unë jam fëmijë i një kulture të veçantë; një kulture e cila ekziston në një udhëkryq kompleks historish njerëzore, një histori jo e pastër por një që është e thurur me tradita klandestine, histori e cila inspiron në punën time një dashuri për elemente të veçanta, materiale të veçanta, hapësira të veçanta. Këtu flas për arkitekturën Osmane dhe për modernizmin e veçantë jugosllav: ky është konteksti i historisë. Në anën tjetër, edukimi im intelektual dhe profesional, si dhe përfshirja ime në kuadrin kulturor bashkëkohor si një arkitekt dhe edukues, definon një kontekst të tretë: konteksti i përvojës personale. Gjithë këto që përmenda krijojnë një bazë inspirimesh dhe definojnë mënyrën e punës time si një arkitekt, si po ta dizajnoja një ndërtesë në Nju Jork apo një tjetër në Prishtinë. Anash këtij diskutimi, ajo çka më fascinon mbi tërë këto vëzhgime, është që ne jetojmë në një kohë kur arkitektura është më pak e më pak e preokupuar me hapësirën fizike dhe materiale e më shumë e varur nga koncepti i hapësirës virtuale. Ne tani jetojmë të burgosur në teknologji, në telefona dhe rrjete shoqërore dhe hapësira fizike; distanca fizike, kanë shumë pak rëndësi për ne. Shumë shpesh mendoj se çfarë do të ndodhë me arkitekturën në këtë botë të re në të cilën lidhjet njerëzore nuk kanë si bazë prekjen fizike, komunikimin në person, këtë botë ku hapësira publike nuk ka më kuptim të njëjtë. Ndoshta konteksti i kësaj arkitekture të re është një kontekst virtual e jo kontekst fizik. Tani, ky është një paradoks i vështirë: si të krijojmë arkitekturë kur nuk ekziston më konteksti fizik…?

Cila është, sipas jush, esenca e arkitekturës?

Esenca e arkitekturës është e vështirë të përkufizohet sepse arkitektura si disiplinë preokupohet me kontekstin njerëzor në tërësi. Kjo do të thotë se arkitektura është pikë së pari një disiplinë politike, e pastaj një praktikë, e cila kontribuon në strukturat kulturore, shoqërore dhe edukative të grupeve dhe ambienteve të ndryshme njerëzore. Nga një këndvështrim i vetëdijshëm esenca e procesit te krijimit, të ndërtimit të një ndërtese apo të një qyteti, është e definuar nga përgjegjësia e arkitektit ndaj mirëqenies së njeriut. Por kjo përgjegjësi nuk do të thotë se procesi i krijimtarisë arkitekturale të kufizohet, të përmbytet nga rregulla e qëndrime të cunguara në tradita konservative, të prehet nga rehatia e mendjes së palëvizshme; në të kundërtën, kjo përgjegjësi duhet të shoqërohet nga një qëndrim i mbushur me vullnet për të sfiduar dhe shtyrë përpara kufijtë e procesit kreativ.

Si arkitekt, si arrini që të ruani balancën në mes përvojës personale dhe mesazhit, që duhet ta materializoni nëpërmjet punës tuaj?

Mesazhi, apo më mirë do të thosha: ideja e punës time informohet nga një proces i vazhdueshëm interaktiv mes edukimit të mendjes dhe praktikës profesionale. Për mua idetë e punës time pasqyrojnë njëkohësisht eksperiencat e mia intelektuale dhe kulturore të ndërlidhura me eksperiencat personale në fushën e profesionit të arkitekturës. Këto eksperienca nuk veprojnë në vakum; në të kundërtën ato ofrojnë një bashkëpunim natyral mes njëra-tjetrës. Sa i përket ekzekutimit të një projekti apo të ndonjë shkrimi apo publikimi, mesazhet janë gjithmonë të veçanta dhe janë rezultat i kontekstit të punës.

Cena, Lis_Mountain House 3

Çfarë mendoni për arkitekturën në Kosovë dhe si e shihni të ardhmen në këtë kuadër?

Unë mendoj se Kosova ka mbetur e mbërthyer dhe e ngulfatur në një paradoks të pamëshirshëm, në një vend me një histori komplekse, të cilën mundohet ta refuzojë dhe kundërshtojë çdo ditë. Realiteti bashkëkohor politik dhe shoqëror, favorizojnë dukshëm një përgjegjësi për një qasje ndaj vështirësive shoqërore dhe politike, një proces i cili ka kapacitet që ta varfërojë një disiplinë kreative sikur arkitektura dhe ta mbajë peng të një jete ku krijimtaria profesionale dhe kulturore është e dedikuar vetëm në përmbushjen e nevojave jetike dhe të sigurimit të mirëqenies shoqërore. Por kjo nuk do të thotë që veprimtaria e arkitektëve kosovarë të përkufizohet nga këto kushte. Nuk dua të tingëllojë pesimist, por vetëm dua të them se arkitektët kosovarë duhet të jenë më të sinqertë dhe më të guximshëm, të mësojnë prej historisë së arkitekturës vendase, asaj arkitekture që i ka rënë pluhuri i historisë sikurse dhe asaj të një kaluare më të afërt (flas këtu njëkohësisht për materialin historik turko-shqiptar dhe atë modern jugosllav), dhe të përpiqen të krijojnë një sintezë të kontekstit bashkëkohor. Mendoj se në këtë aspekt ekziston një rezistim i paarsyetuar ndaj historisë së vendit, diçka që ka shkaktuar sjelljen e ndikimeve dhe vlerave pseudo-amerikane/evropiane dhe ndërtimin e një klase të re ndërtesash, të cilat nuk kanë asnjë vlerë arkitekturale – po flas për të gjitha këto “fshatrat sub-urban amerikane” me shtëpi pa karakter, të mbyllura pas grilave 2 metërshe apo qendrave tregtare me panele alumini, të cilat kanë dalë sikur kërpudha pas shiu; kjo është me të vërtetë shumë dekurajuese. Unë po pres të shoh një arkitekturë të veçantë kosovare, diçka të guximshme, diçka që pasqyron një shpirt hulumtues dhe imagjinativ. Ma merr mendja se gjeneratat e reja të arkitektëve do të arrijnë të krijojnë një arkitekturë të tillë.

admin

Artikujt e tjetrë

  • Bashkim Rizvanolli

    U kenaqa duke lexuar artikullin,por dhe ma teper kur e pashe.E kam njohun kur ishte femi,ne Shqiperi,tani qenka bere burre,por jo vetem ne pamje por dhe ne mendine.Mu bo shum qejfi dhe i uroj suksese te matejshme.