Letërsi

Në parajsën e librave

DSCN4204

 “Ne jetojmë për librat”, ka thënë Umberto Eco dhe në vorbullën aktuale të teknologjisë dhe leximit online, çdo ditë e më pak shohim e takojmë të rinj, që preferojnë të lexojnë, e aq më pak të lexojnë në mënyrën klasike. Hana Limani është mbase nga të paktët persona, që pasionin e saj më të madh e ka leximin e autorëve e zhanreve të ndryshme dhe për ta njohur më mirë atë, sjellim këtë intervistë, në të cilën zbulojmë një këndvështrim tjetër për librin, për artin e fjalës se shkruar, fenomenet e ndryshme letrare, zhanret dhe autorët e preferuar.

 

 Cili është raporti juaj me librin, lexoni shumë?

E dua shumë artin e fjalës së shkruar. Lexoj, por nuk e di ç’do të thotë të lexosh shumë. Nëse e masim vetëm me kohën që njëri ia kushton leximit, nuk është matje reale. Mendoj se për një lexues, është përherë e pamundur të thotë në lexon shumë apo sa. Për vete, mund vetëm të them se lexoj tejet pak në raport me atë sa do doja të lexoja. Por që kjo matje ka vlerë vetëm në raport me dëshirën time; jashtë tij, ky vlerësim nuk thotë ndonjë gjë.

Kryesisht çfarë lexoni?

Përgjithësisht e kam të vështirë të definoj… janë disa vepra dhe shkrimtarë që njëri i lexon për të kuptuar fenomene letrare, zhanre të ndryshme, periudha të së shkruarit, e të ngjashme; ato që cilësohen si literaturë klasike e vendeve (gjuhëve) të caktuara. Mund të them se më shumë i kushtoj vëmendje stilit të së shkruarit, gjuhës, sesa narrativës (me aq sa mundem të ndaj këto të dyja). Përndryshe, poezinë e dua shumë; lexoj poet nga anë të ndryshme të botës, dhe të periudhave të ndryshme kohore. Pa anashkaluar asnjëherë tanët. Seç ka gjuha amë një prirje t’i atribuojë më shumë ndjenjë poezisë. Kohëve të fundit i kam dhënë vëmendje edhe artit të përkthimit, përshtatjes; kjo ndonëse edhe më është imponuar, duke qenë se poezinë shumë shpesh më duhet ta lexoj në përkthim. Kështu ama ndjej se kam zbuluar rëndësinë e këtij lloj arti. Të vëresh ndjesitë e ndryshme që të japin të njëjtat vepra në përkthime të ndryshme thotë mjaft për rëndësinë e tij. Kësisoj edhe i jap më shumë vëmendje gjuhës, dhe mjeshtërisë të së shprehurit. Ka disa vende literaturën e së cilave e kam lexuar më shumë sesa të disa tjerave. Megjithatë, është rrugë tejet e gjatë për të njohur në thelb e mirëfilli literaturën e një vendi; nuk e di në do i shkoj në fund ndonjëherë asaj rruge. (Më vjen ndërmend ajo ruse, gjermane, franceze, e kështu me radhë). Kësaj Ballkanase disi si i qëndroj më afër; në kuptimin që më flenë më shumë (s’do mend arsyeja pse).
Janë megjithatë disa shkrimtarë, dramaturg, e poet, të cilëve u rikthehem pandryshueshëm. Një nga ta është Beckett. Një tjetër, Rilke. E dashura Sylvia, Anne, e Dorothy (Plath, Sexton, Parker, v.j.)!  I quaj miqtë/mikeshat e mija. Ka shumë. Më pëlqen të komunikoj me ta duke i lexuar e rilexuar; sa herë që lexoj një të ri, u rikthehem. Qëndroj brenda një rrethi të padefinueshëm letrar për sa i përket leximit, por ndihem në shtëpi aty.

Sipas jush cilat janë sfidat e një shkrimtari sot dhe të një lexuesi?

Përderisa ka sfida që varen nga personi, apo nga kohërat në të cilat njëri jeton dhe vepron, ndër të tjera, mendoj se ato janë tejet të parëndësishme në krahasim me dy sfidat permanente të shkrimtarit dhe të lexuesit: terrorit të faqes së bardhë, dhe terrorit të librit te palexuar, respektivisht. Këtë të dytën e njoh mirë. Të parën, besoj e njohin shkrimtarët.

A besoni se njerëzit e suksesshëm gllabërojnë libra dhe njerëzit e zakonshëm, në vend të kësaj, janë gjithë kohës online?

Nuk besoj në ndasi të tilla mes njerëzve; të jesh i suksesshëm është klasifikim tejet relativ. Mund të jesh i suksesshëm (kushtimisht) pa gllabëruar libra, dhe e kundërta. Konceptin e të qenët i suksesshëm mbase mund ta quajmë konstrukt shoqëror. Suksesi për disa është të qenët  i lumtur; për të tjerë, të qenët i kamur; të jesh i zakonshëm mund të jetë sukses po ashtu, apo jo? …e kështu me radhë. Nuk besoj në konstruktet shoqërore dhe provoj të mos i fuqizoj duke mos u dhënë autoritetin e definicionit. Një nga të preferuarit e mi, Oscar Ëilde, thotë, “të definosh është të limitosh.” Pajtohem plotësisht me mikun tim, Oscar.
Besoj që njerëzit që duan leximin, dhe rrjedhimisht lexojnë, gjejnë një përmbushje që njerëz të tjerë gjejnë në gjërat që ata duan.
Teknologjia dhe platformat online s’para më interesojnë fare, andaj nuk mund të them shumë për këtë temë. Është gjithsesi zgjerim i qasjes në materiale leximi, zgjerim i burimeve të informatës; burim shtesë, lehtësi në qasje. S’e mohon dot njeri. Shumë të mira sjellin me vete rrezikun e joshjes në rrugën e gabuar që e kanë përbrenda; njëlloj edhe me kohërat e sotme të të qënit online, po deshe. Por sërish, nuk kam qëndrim të caktuar mbi këtë. Ata që duan leximin, nuk ua heq dot nga dora letrën e shtypur. Ata që joshen nga online platforma, mbase kanë dashuri më të theksuar për këtë të fundit, gjë që është, cilësoj unë, në rregull.

admin

Artikujt e tjetrë