Arte Pamore

Artistët e rinj përballë sfidave të kohës

Life is Beautiful 24

Ne mendojmë se ruajtja e artit bashkëkohor fillon me artistët. Shpend Havolli është njëri prej tyre, që sjellë frymëzimin nga realiteti nëpërmjet mediumeve të ndryshme artistike. Së fundi ai është shpërblyer me çmimin kryesor të garës “Artistët e Rinj”, një ngjarje e rëndësishme kjo që tenton të ruajë dhe të stimulojë artistët e rinj në Kosovë.

Vepra e Havollit duket se ngacmoi më së shumti syrin dhe mendjen, jo vetëm të jurisë përzgjedhëse por edhe vizitorëve të shumtë në hapjen e edicionit të sivjetmë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Vepra fituese të cilën autori e ka titulluar “Silphium”, na prezanton me një version krejtësisht tjetër të figurës më famëkeqe në historinë e njerëzimit. Një Hitler në një formë më qesharake, që e zhveshë pothuajse tërësisht nga të gjitha elementet e njohura të personazhit më të tmerrshëm, si subjekt i veprës artistike. Havolli tregon se ky çmim është një arritje e rëndësishme dh e ka bërë të ndjehet shumë mirë, duke u vlerësuar si çmimi kryesor i edicionit të sivjetmë të Artistëve të Rinj dhe i hapë rrugën për projekte të tjera edhe jashtë kufijve.

“Padyshim që ndjehem mirë, ideja është që unë ta shfrytëzoj maksimalisht qëndrimin në rezidencën Morra-Greco, të cilën e organizon Galeria Kombëtare në bashkëpunim me fondacionin Morra-Greco në Napoli të Italisë. Ndërsa kur jemi tek vepra fituese pyetja është se a mund të paramendohet kjo figurë famëkeqe si diçka qesharake ose si një arsye për të qeshur? Silphium ka qenë një bimë, që është përdorur në lashtësi nga e cila thuhet se ka ardhur edhe forma apo simboli i zemrës, po ashtu edhe kjo bimë është kontroverse në mënyrën sesi funksionon. Ajo është përdorur si mjet trajtimin e sëmundjeve mendore dhe si kontraceptiv herbal. Silphium konsiderohet si një bimë e zhdukur e species Genus Ferula.”

Fuhrer

Puna dhe vepra e Havollit shquhen për  lidhshmërinë me aktualitetin dhe harmonizimin e kontrasteve që mund t’i hasim shumë shpesh gjatë jetës. Si një artist i gjeneratës së re ai tregon se është i interesuar dhe frymëzohet rreth gjërave të reja në botën e sotme, një lidhje trekëndësh në mes të Njeriut, Natyrës dhe Teknologjisë. Ai gjithashtu është i angazhuar në mediume të ndryshme artistike si në vizatim, skulpturë, instalacion, fotografi, art konceptual etj. Ndërkaq thekson se ambicia e tij gjithmonë ka qenë që një ditë të bëhet artist dhe mendon se çdo artist e ka synim që të lërë gjurmë në historinë e madhe të artit, duke i kontribuuar shoqërisë në çfarëdo lloj forme.

“Të rinjtë sot përballen me sfida të shumta , sidomos artistët e rinj në Kosove, duke filluar nga gjendja financiare, liria e lëvizjes në vendet e tjera, mungesa e një tregu të artit e deri tek interesimi i vogël i qytetarëve/publikut për institucionet e artit në Kosovë. Megjithatë mendoj se çdo artist synon të lë gjurmë në historinë e madhe të artit duke i kontribuuar shoqërisë në çfarëdo lloj mënyre.”

admin

Artikujt e tjetrë