Gruaja

Volejbollistja nga Divjaka në Drenicë

10641278_747639661963312_3236964944568587626_n

Xhuda Kruti, 22 vjeçarja nga Divjaka bregdetare e Shqipërisë,  një vend i vogël dhe i bukur e me njerëz shumë punëtor, ka vendosur që karrierën e saj si volejbolliste ta vazhdojë në Kosovë, pikërisht në ekipin e Grykës në Drenas. Një përvojë e veçantë dhe e dashur për Xhudën, e cila në këtë intervistë na zbulon më shumë rreth angazhimeve të saj në këtë sport dhe pse zgjodhi Kosovën si shtëpinë e saj të dytë.

 

Na flisni pak për veten tuaj?

Aktualisht jam duke studiuar në Tiranë  në fakultetin e Historisë Filologjisë, dega histori viti i dytë master. Kur isha në moshën 9 vjeçare babai im i adhuruar u nda nga jeta, kjo ka qenë edhe dhimbja më e madhe e imja dhe e familjes time. Kjo dhimbje me kalimin e kohës dhe me mbështetjen kryesore të mbretëreshës tonë “mamit” u kthye në forcë që ne të rriteshim duke e bërë babin të na shikonte nga lart dhe të ishte krenar për ne! Dhe kështu familja ime përbëhet nga 5 femra: mami,tri  motrat dhe unë që jam vajza e katërt e familjes. Kreva arsimin 9 vjeçar dhe të mesëm në shkollat e Divjakës. Gjatë kësaj kohe të tria motrat e mia të mëdha ishin pjesëtare të ekipit të volejbollit të klubit sportiv Divjaka, kështu pas tyre u bëra edhe unë.

Të rikthehemi në Shqipëri. Si ka qenë karriera juaj si volejbolliste atje?

Volejbolli në qytetin tonë të Divjakës në 30 vitet e fundit ka pasur një zhvillim të vrullshëm. Ka qenë pjesë e kampionatit kombëtar për të gjitha grupmoshat. Motrat e mia kanë qenë frymëzimi im për sa i përket sportit të volejbollit. Që në moshën 10 vjeçare volejbolli u bë pasioni im, mezi prisja të mbaroja mësimin që të shkoja te ushtroja në palestër dhe të dilja nga aty e rraskapitur deri në agim. Qysh në vitet e para trajneri ynë Josif Rrudho, më ka thënë që nëse do të kisha këtë vullnet gjithmonë, edhe kur të rritesha do të bëhesha një lojtare e dalluar dhe shumë e mirë, pasi kisha një teknikë të shkëlqyer dhe një shkathtësi të paimagjinueshme. Fjalët e tij më jepnin vullnet, kurrë nuk u ndala së ushtruari dhe vetëm mendoja se si të arrija sa më larg. Jam grumbulluar disa herë në ekipin kombëtar për grupmoshat e reja. Kështu duke rritur nivelin e lojës herë pas herë u bëra protagonistja kryesore për të nxjerrë ekipin e Divjakës për tri sezone me radhë, dy herë nënkampione dhe një herë Kampione e Shqipërisë në Kampionatin e të Rejave. Gjithashtu jam shpërblyer nga Federata e Volejbollit shqiptar si lojtarja më e mirë në këto kampionate. Dua të theksoj që në të gjithë këtë rrugëtim kemi hasur shumë vështirësi ekonomike për ndjekjen e kampionateve. Por sigurisht e gjithë merita shkon për trajnerin dhe njëkohësisht presidentin e klubit Divjaka, z. Josif Rrudho, që kurrë nuk na la në baltë edhe pse pa ndihmën e askujt. Ai për dashurinë dhe pasionin, që kishte për sportin arriti majat e objektivave për ekipin dhe vendin tonë. Nuk mund të rri pa përmendur këtu edhe xhaxhin tim Jorgji Kruti, i cili më ka mbështetur në çdo aspekt të jetës dhe për mua ka qenë si një baba i dytë. Mendoj që ka qenë fat për mua të merresha me sport që në moshë të vogël duke kultivuar shumë vlera dhe virtyte të larta njerëzore.

16807799_1261373393900281_5184947069765905730_n

Keni  përfaqësuar Shqipërinë në Beach Volley në disa kampionate, nga ku jeni kthyer edhe me çmime, si ka qenë kjo përvojë për ju?

Po  është shumë e vërtetë. Kam filluar të luaj beach volley tri vjet pas fillimit të volejbollit, pra në moshën 13 vjeçare. Duke pasur edhe plazhin afër ishte një plus për ne të stërviteshim çdo ditë për të arritur rezultate sa më të larta. Që në vitin e parë të marrjes pjesë në Kampionatin Kombëtar për të Rritura, së bashku me kushërirën time Diana Lala, kemi spikatur si lojtare luftarake, të lindura për këtë lloj sporti. Edhe pse të reja në moshë kemi arritur të korrim shumë fitore, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kemi përfaqësuar shumë herë Shqipërinë në grupmosha të ndryshme në vendet  ballkanike (Bullgari, Serbi, Maqedoni, Mali i Zi) dhe çdo herë jemi kthyer me trofe. Çdo kampionat ka qenë më i fortë se tjetri.  Arritja më e madhe ka qenë kur ne ishim 16 vjeçare, në Kampionatin U23, i cili zhvillohej në Strumica të Maqedonisë  ku u shpallëm Nënkampione të Ballkanit. Për shkak edhe pak të shtatlartësisë, veten e gjej më shumë në Beach Volley se sa në volejboll, sepse aty kam korrur sukseset më të mëdha, por edhe volejbollin asnjëherë nuk e lë pas dore. Janë përvojat më të rëndësishme të jetës time dhe kurrë s’do ti harroj.

Pse vendosët të jeni pjesë ë ekipit të Drenicës?

Duke fituar vendin e parë në një kampionat Beach Volley i organizuar në Prishtinë nga Federata e Kosovës, arrita të kisha oferta nga ekipet e volejbollit aty. Pranova të luaja jashtë Shqipërisë sepse me pëlqejnë eksperiencat e reja. Në fillim kam luajtur për ekipin e Vushtrrisë 1 vit, më pas në ekipin e Grykës në Drenas për 3 sezone dhe vazhdoj të luaj aktualisht edhe sezonin e katërt. Unë kam dhënë maksimumin tim në të dyja ekipet dhe do vazhdoj ta jap deri sa të jem pjesë e tyre. Në Turneun e Pavarësisë, që u zhvillua mes dy ekipeve vendase Grykës edhe Drenasit, fituam vendin e parë dhe unë u zgjodha lojtarja më e mirë e turneut. Të dyja ekipet kanë qenë dhe janë shumë mikpritëse, ku asnjëherë nuk jam ndjerë si lojtare e huaj.

Çfarë mendimi keni për zhvillimin e volejbollit këtu?

Gjatë kohës që kam jetuar dhe po jetoj në Kosovë,  kam parë ose jam njohur me njerëz që e duan vërtet sportin. Mendoj që zhvillimi i sportit të volejbollit këtu po ecën me ritme të mira, por ka nevojë qe të investohet më shumë sepse ka vajza dhe djem shumë të talentuar, që meritojnë kushte edhe më të mira që të shkojnë drejt sukseseve të mëdha.

Nga ana tjetër ju jeni edhe trajnere në Body Code, na flisni pak për këtë përvojë?

Përvoja ime si trajnere pranë kompanisë Body Code ka filluar që kur jetoja në Tiranë. Jam mjaft e kënaqur me punësimin tim në këtë kompani, mund të them më bindje, që unë vetë kam parë rezultatet e kësaj stërvitje, jam bërë fanse e shërbimit mjaft cilësor, që ofron kjo kompani dhe do ja sugjeroja të gjithëve të mos e humbnin rastin, që të paktën ta provojnë njëherë këtë stërvitje mrekullibërëse. Rrjeti i kompanisë Body Code, vendosi të zgjerohej edhe më një degë në Prishtinë dhe duke qenë se unë luaja volejboll në Kosovë, isha e zgjedhura e parë për të qenë një nga trajneret e kësaj dege. Kështu vendosa të vija dhe të jetoja në Prishtinë, ku ndjehem mjaft e plotësuar, nga njëra anë pasioni për voley dhe nga ana tjetër një punë mjaftë e mirë pranë kompanisë unike të Body Code, që më mbushin ditët plot eksperienca të bukura.

admin

Artikujt e tjetrë