Gruaja

Së bashku më të fortë….historia frymëzuese e Suzanna Shkrelit

unnamed

Suzanna Shkreli është krenaria e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Një prokurore e zonja, grua e fortë, e guximshme, këmbëngulëse dhe me shpirt luftarak, ajo gjithashtu ka garuar për Kongresin Amerikan, duke dëshmuar dinjitet, përkushtim, aftësi dhe angazhim të pakusht për të përmbushur qëllimin që i ka vënë vetes; ta bëjë botën një vend më të mirë. Suzanna është një nga personazhet e veçanta, e cila njëkohësisht na nderon ne si revistë dhe të gjithë bashkëkombësit tanë, me veprat dhe shembullin pozitiv, sesi një emigrante shqiptare sfidon kohën, vendin dhe paragjykimet. Njihuni më mirë me njërën nga gratë dhe personalitetet shqiptare më të suksesshme në botë, Suzanna Shkreli në Flatra.

  

Na flisni pak për veten tuaj?

Jam gjenerata e parë shqiptaro-amerikane. Prindërit emigruan nga Mali i Zi në vitin 1970, im at ka lindur në Ulqin, ndërsa nëna me mbiemër të vajzërisë Lulgjuraj, ka lindur në Grudë. Unë kam lindur dhe rritur në Miçigan. Jam njëra nga katër fëmijët e familjes time. Jam rritur duke i parë prindërit e mi të përkushtuar jashtëzakonisht shumë ndaj punës, që të na jepnin mua dhe fëmijëve të tjerë një jetë më të mirë. Ata gjithnjë kanë synuar që të fitojmë njohuritë dhe edukimin më cilësor dhe na kanë inkurajuar që të jemi syhapur ndaj një mundësive të shumta që t’i ofron arsimimi. Dedikimi i tyre ndaj familjes dhe etika e tyre e punës kanë mbjellë tek unë vlerat të cilat më bëjnë ajo që jam sot; dashuri ndaj Zotit, familjes, komunitetit dhe mirësjelljes së përbashkët. Na mësuan se mënyra më e mirë për të fituar respekt është që ta shfaqim atë, të ngrihesh kur përshëndet dikë, të respektosh fjalën e dhënë dhe gjithnjë të sigurohesh që mysafirët të ndjehen si në shtëpinë e tyre-në mënyrën shqiptare.  Kam diplomuar në Oakland University në Shkenca Politike dhe Doktoraturë në Drejtësi, në Thomas M. Cooley Law School. Në moshën 24 vjeçare kam qenë prokurore në Macomb County, Miçigan, në çështje të ndryshme penale si krimet e vrasjeve, krimet e drogës, sulme dhe dhunës në familje.

Cila është karriera juaj deri më sot?

Pas rezultateve të zgjedhjeve, jam kthyer sërish në pozitën e prokurores. Aktualisht jam e caktuar në Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku ndjekë penalisht krimet e abuzimeve fizike dhe seksuale të kryera ndaj fëmijëve. Është një punë e vështirë dhe që rëndon emocionalisht, por gjej një përmbushje të madhe të vetvetes duke qenë e aftë që të mbrojë fëmijët dhe të flas për ta në sallën e gjyqit. Jam në një pozitë ku mbrohen të pambrojturit, ku i jepet zë atyre që në asnjë mënyrë tjetër nuk do ta kishin atë dhe tu tregosh këtyre fëmijëve se ata keqbërës nuk do të mund t’i lëndojnë prapë. Kjo punë ka qenë një nder në jetën time.

Ishit në një gare të rëndësishme për në Kongresin Amerikan, cilat janë politikat apo pikëpamjet tuaja, për të cilët do të donit të ishit një zë i fuqishëm në Kongres?

Kjo garë ishte tejet e rëndësishme, jo vetëm për mua dhe komunitetin tim, por më së shumti për distriktin 8 të Miçiganit. E nisa garën që të luftoj shumë për klasën e mesme të familjeve aty dhe që të jem zëri i tyre në Kongres. Kam kaluar fëmijërinë duke punuar në restorantin e familjes time dhe e di se bizneset e vogla janë jetëgjatësia e komunitetit tonë. Kam luftuar që të mos rriten taksat për pronarët e bizneseve të vogla dhe të shkurtohet shiriti i kuq që vështirëson sipërmarrësit të krijojnë vende të mira të punës në Miçigan.

Kam luftuar për zhvillimin e plotë të burimeve tona të ripërtërishme të energjisë dhe kam kërkuar të pozicionohemi më pranë pavarësisë së plotë energjetike. Duke shfrytëzuar teknologji të reja dhe duke rikonfiguruar burimet tona të energjisë, ne mund të krijojmë vende të reja dhe të përshtatshme të punës dhe të shërbejmë si shembull për të luftuar ndryshimet klimatike pa sakrifikuar rritjen ekonomike. Një çështje tjetër e rëndësishme që u bazua në platformën time ishte lufta për ndërtimin e një sistemi të fortë të arsimit publik, i cili do t’u ofronte studentëve aftësitë që ju duhen për të konkurruar në ekonominë globale të shekullit 21. Përmirësimi i nivelit të shkollave dhe sigurimi i një edukimi të duhur për familjet në Miçigan fillon me investime që në klasat parashkollore e deri tek  shkolla e mesme dhe tutje. Qasja tek mundësitë për një arsimim cilësor është çelësi i suksesit por edhe adresimi i çështjeve të përballueshmërisë për të siguruar se çdo fëmijë në Miçigan të ketë sukses. Si një produkt i shkollave dhe universiteteve publike në Miçigan, besoj që ne duhet ta bëjmë kolegjin dhe arsimin e lartë më të përballueshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin një diplomë kolegji. Kam luftuar për veteranët. Burrat dhe gratë që mbajnë uniformë dhe e vënë veten në rrezik për të mbrojtur liritë tona, duhet të marrin më të mirën nga sigurimi shëndetësor, këshillimi, tranzicionin e punës dhe mundësitë arsimore që ne mund të ofrojmë. Kam përkrahur rritjen e përfitimeve dhe shërbimeve të veteranëve – duke përfshirë edhe sigurimin për shëndetin mendor. Kam luftuar për gratë. Në Kongres, kam dashur të votoj që të riautorizoj “Aktin e dhunës ndaj grave” (VAWA), i cili mbron të mbijetuarat nga dhuna në familje. Kam dashur që ta kaloj këtë Ligj sikur në rastin e “Akti pagë e barabartë për punë të barabartë”, i cili parandalon diskriminimin në vendin e punës. Më e rëndësishmja, unë besoj se gratë janë të afta të vendosin për sigurimin e tyre shëndetësor dhe janë të dedikuara që të luftojnë kundër politikanëve të cilët duan ta zhveshin nga atributet ligjore të drejtën e grave për të bërë zgjedhjet e tyre.

unnamed (1)

Fakti që ju jeni me origjinë shqiptare si ndikoi në fushatë?

Duke qenë një shqiptaro-amerikane, ndikon në çdo aspekt të jetës time dhe ky është një nga tiparet më të rëndësishme dhe më të vlefshme të identitetit tim. Ka qenë një faktor i shquar në formësimin e personit që jam sot dhe ka pasur një ndikim të madh pozitiv në garën time për Kongres. Fakti që jam shqiptaro-amerikane më ndihmoi shumë që t’i jap formë identitetit tim politik. Më kujtohet si fëmijë, kur shihja ngjarjet si Lufta e fundit në Kosovë dhe deklaratën e presidentit Klinton për Kosovën, ku shprehu përkrahjen e palëkundur për shqiptarët. Administrata e Presidentit Klinton me aleatin tonë NATO-n i shpëtoi mijëra shqiptarë nga torturat e vazhdueshme, përdhunimet dhe masakrat. Kjo është një nga shumë arsyet, pse kur do të zgjedhem në Kongres, do të vazhdoj të ndjehem krenare që të jem përkrahës i madh i NATO-s. Ne si komunitet kemi parë ndikimin që NATO ka në ndihmën për të siguruar sigurinë e njerëzve anembanë globit. Duke parë Presidentin Klinton, arsyeja pse Amerika ndërhyri për të mbrojtur jetën e shqiptarëve të pafajshëm, vetëm përforcoi marrëdhënien e ngushtë që Amerika kishte me Shqipërinë në të gjitha periudhat. Përveç kësaj, u forcua edh më tej në mua fakti i të qenët amerikan, i vlerave dhe parimeve, se ne si një vend demokratik, i lirë dhe i pavarur do të pozicionohemi gjithmonë në  mbrojtje të aleatëve. Isha e lumtur të shoh se marrëdhëniet e ngushta vazhdojnë gjatë gjithë mandatit të Presidentit Xhorxh W. Bush dhe administratës së Presidentit Obama. Në vitin 2012, kur Shqipëria festoi 100 vjetorin e Pavarësisë, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, u kujtoi se Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar me popullin e Shqipërisë për 100 vitet e para të pavarësisë së vendit të tyre dhe do të qëndrojnë me ta përsëri për qindra vjetët e ardhshme dhe qindra vjetët që do vijnë. Gjatë fushatës, unë isha krenare që mora aprovimin nga Presidenti Obama, i cili e kuptoi dhe vlerësoi historinë e miqësisë midis dy kombeve dhe popujve dhe rëndësinë e vazhdimit të kësaj lidhjeje. Presidenti Klinton erdhi në Miçigan për të bërë fushatë për Hillarin gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 dhe pasi dëgjoi se një shqiptaro-amerikane po garonte për Kongres, ai këmbënguli që t’i bashkohesha atij në Lansing, Miçigan, kështu që unë munda ta takoja dhe ta prezantoja para një turme votuesish në UAW. Ai moment më dukej i pabesueshëm. E falënderova atë, për faktin se kishte qenë i fortë dhe i vendosur për të shpëtuar jetët e mijëra shqiptarëve, ndërsa Klinton shprehu dashurinë dhe mbështetjen e tij dhe të Hillarit për popullin shqiptar dhe tha se ishte krenar për të parë një kandidate shqiptaro-amerikan që garon për Kongres. Gjatë fushatës, kisha shqiptarë nga i gjithë vendi që më përkrahnin në garën time të radhës.  Për një çast, madje edhe unifikuan politikën shqiptare kur Edi Rama dhe Lulzim Basha mbështetën kandidaturën time. Ishte vërtetë prekëse për mua si kandidate, veçanërisht në ato ditë të vështira, që të merrja simpatinë dhe përkrahjen e komunitetit shqiptarë të cilët vazhdonin të më inkurajonin. Nuk e di as si nuk mund të filloj të ju tregoj se sa të rinj shqiptarë, sidomos vajzat, më shkruanin dhe më thoshin se kam pasur një ndikim pozitiv në jetët e tyre dhe për shkak të garës time, ato  janë të inkurajuara të luftojnë për atë që besojnë dhe janë frymëzuar më shumë që ta ndjekin ëndrrën e tyre pa marrë parasysh se sa e madhe apo e vogël mund të jetë ajo. Humbja është e vështirë, por momente të tilla më mbushin me vullnet dhe më kujtojnë se sa e rëndësishme është të ecim përpara. Lufta për drejtësi dhe për një të ardhme më të mirë është një luftë e ndershme dhe një realitet i arritshëm, pa marrë parasysh se ku jetojmë dhe se ne i detyrohemi njëri-tjetrit për ta ndjekur atë së bashku.

 Cili është roli i diasporës shqiptare në Amerikë?

Besoj se roli i Diasporës në Amerikë dhe jashtë saj është të krijojë mbështetje organizative për shqiptarët në mbarë botën për të pasur sukses në të gjitha fushat e jetës. Duke ndihmuar shqiptarët të krijojnë dhe të zgjerojnë bizneset e tyre, të zgjedhin shqiptarët amerikanë në zyrën publike në të gjitha nivelet e Qeverisë për të siguruar që ne të kemi një vend në atë tryezë. Këto janë thjesht dy shembuj të shumë mënyrave sesi ne si komunitet mund të arrijmë.

Përveç kësaj, roli i Diasporës duhet të synojë bashkimin e shqiptarëve anembanë botës. Për të krijuar një mirëkuptim të gjerë dhe mikpritës midis të gjithëve, pavarësisht se prej nga e kemi origjinën, qofshin Malësia e Madhe, Maqedonia, Shqipëria apo Kosova dhe pa marrë parasysh se kujt i lutemi apo cilat janë pikëpamjet tona politike, sepse para se gjithash ne jemi shqiptarë. Gjatë gjithë historisë sonë kolektive na kanë sunduar dhe madje asgjësuar të tjerët, por kemi mbijetuar. E di që flas për këdo që e di dhe e kupton historinë dhe kulturën tonë duke thënë se ne meritojmë më shumë sesa thjesht të mbijetojmë, ne meritojmë të lulëzojmë. Sidoqoftë, suksesi i njërit është sukses për të gjithë, duke u kthyer në atë kohë kur kemi filluar karrierën tonë dhe duke i zgjatur dorën e ndihmës vëllezërve dhe motrave tona shqiptare, kurdo që na jepet mundësia.

Gjatë luftës në Kosovë, pamë se Diaspora bashkohet dhe lufton për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë. Pa atë angazhim, praninë dhe zërin e tyre, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Ajo nuk ishte mbledhur asnjëherë bashkë ashtu siç u mobilizuan për Luftën e Kosovës dhe mendoj se është koha që të bashkohen sërish. Ekzistojnë shumë arsye për shqiptarët që të luftojnë, qoftë integrimi në BE apo qasja në trajtimin mjekësor. Këto çështje kanë nevojë për vëmendjen dhe përkushtimin e Diasporës dhe nuk mund të presim derisa të ndodhë një tragjedi tjetër, që të veprojmë. Kemi një brez të ri dhe dinamik që është i etur për ndryshim dhe mundësi dhe me angazhimin e Diasporës, ekziston një e nesërme më e mirë për shqiptarët në mbarë botën.

 Çfarë do të duhej të bëhej më shumë në këtë drejtim?

Ka shumë mënyra për të pasur një ndikim pozitiv, duke u nisur nga përvoja personale, diasporën duhet angazhuar me anë të investimit. Unë gjithmonë kam qenë krenare për trashëgiminë time, por kjo ndjejnë u bë edhe më e gjallë kur vizitova vendin e prindërve të mi, Malësinë e Madhe. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë emocionin e fortë të lidhjes që ndjeva kur isha atje. Habitesha sesi të gjithë përreth meje flisnin shqip, por përtej gjuhës, të gjithë e kuptonim njëri-tjetrin pas pasur nevojë për shpjegime. Që nga ai moment, kam kaluar më shumë kohë duke mësuar historinë e shqiptarëve. E njihja historinë e madhërishme të heroizmit dhe guximit të Gjergj Kastriotit, por u përkushtova më shumë për të mësuar rreth Gjergj Fishtës dhe Lahutës së Malcisë, Kanunin e Lekë Dukagjinit, egërsinë dhe forcën e udhëheqësve si Isa Boletini, Adem Jashari, si dhe diplomacinë dhe taktika e Gandit të Ballkanit, Ibrahim Rugovës. E zhgënjyer nga ato që dija prej shkrimeve të Ismail Kadaresë dhe poezive të Migjenit dhe krenare për historinë e grave të forta shqiptare si mbretëresha Teuta e detit, Nora Kelmendi, Shote Galica dhe Shën Nënë Tereza. Që nga ajo kohë kam vizituar shumë qytete të Shqipërisë, duke lundruar në det në Dhërmi dhe Ksamil, për të shijuar shkëlqimin e heshtur dhe madhësinë e maleve në Theth. Ndjenja e kësaj lidhjeje ka nxitur në mua dëshirën për të kontribuar në zonat ku banojnë shqiptarët. Më dhanë privilegjin të përfaqësoja Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, Zyrën e Zhvillimit të Prokurorisë dhe Trajnimin në verën e vitit 2016, ku vizita nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë, duke ua prezantuar prokurorëve rëndësinë dhe vlerën e të drejtave të viktimave. Do të kthehem sërish në Shqipëri gjatë këtij muaji (korrik 2017),  për të bërë të njëjtën gjë, pastaj në Kosovë për t’u takuar me të rinjtë dhe të flas me ata se si mund të bëjnë një ndryshim në komunitetet e tyre. Ndoshta anëtarët e diasporës mund të shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë dhe të angazhohen në procesin politik duke ndihmuar anëtarët e parlamentit të krijojnë ligje adekuate dhe të zbatojnë një politikë efektive në vendet dhe shtetet ku jetojnë, duke pasqyruar vlerat e lira, të pavarura dhe demokratike,  vende si Shtetet e Bashkuara ose Evropa Perëndimore. Më e rëndësishmja, në nivelin individual, është krijimi dhe angazhimi në krijimin e rrjeteve për shqiptarët, veçanërisht për brezin e ri, në mënyrë që ata të mund të përfitojnë nga mundësitë si në komunitetet e tyre ashtu edhe jashtë tyre. Për pronarët e bizneseve të ofrojnë mundësi për të rinjtë shqiptarë që të punojnë në mjediset e tyre dhe të ndikojnë në rritjen aftësive e tyre. Që profesionistët të mentorojnë dhe japin këshilla të shëndosha për shqiptarët e tjerë qoftë afër apo larg. Të bashkohen me grupet e komunitetit si DiaporaFlet, të cilat janë të pavarura dhe të përqendruara në lidhjen e diasporës dhe që të mund të ecim përpara në të gjitha sferat e jetës, e këtë ta bëjmë  së bashku.

 Së fundi si do ta përkufizonit Suzanën si person?

Kjo pyetje gjithmonë më bën për të qeshur. Nuk preferoj shumë të flas për veten dhe në vend të kësaj mendoj se duhet të flasin veprimet për atë se çfarë personi jam. Sidoqoftë, nëse më duhet të përgjigjem, do ta përshkruaja veten si një grua të thjeshtë. Kënaqem me gjërat e vogla në jetë. I jam pafundësisht mirënjohëse Zotit për shëndetin tim, familjen dhe mundësitë që më janë ofruar në jetë. Jam e përkushtuar që ta lë këtë botë, një vend më të mirë sesa kam gjetur. Më pëlqen edhe ta shijoj natyrën. Kam shpirt bujar, dashamirëse, e ndershme dhe e fortë. Ashtu si shumë shqiptarë, herë pas here mund të kem mosmarrëveshje me veten time, por gjithmonë e gjej vullnetin për të luftuar për atë që është e drejtë dhe energjinë për të vazhduar.

admin

Artikujt e tjetrë