Kulturë

Roli i diasporës në politikbërje

Nga Liza Gashi

Drejtoreshë e Programeve në Germin

 

Duket se vera është kthyer në stinën e diasporës në Kosovë. Ardhja e bashkatdhetarëve tanë përbënë tashmë një traditë në vete. Duhet theksuar se çdo e treta familje në Kosovë ka të paktën një anëtar të saj që jeton jashtë vendit; mërgimtarët tanë janë kontribues kyç në ekonominë e vendit, dhe në zhvillimin e saj shoqëror e politik.

Mirëpo me zhvillimin e institucioneve të Kosovës gjatë dekadës së fundit, të drejtat politike dhe sociale të diasporës shqiptare si përfaqësimi dhe përfshirja e tyre në politikëbërje nuk ishin tema shumë të rëndësishme për Qeverinë e vendit. Fakti se remitencat që këta shqiptarë dërgojnë në Kosovë kap shumën mbi 750 milionë euro në vit, indikator ky, i cili sinjalizon se diaspora, do të duhej të ishte një nga prioritet e Qeverisë sonë.

Qeveria e Kosovës ka themeluar Ministrinë e Diasporës në maj të vitit 2011, me qëllim të krijimit të lidhjeve më të ngushta në mes të bashkatdhetarëve tanë, përfaqësimit të interesave të tyre, si dhe krijimin e mekanizmave për angazhimin e tyre. Qeveria gjithashtu ka hartuar Strategjinë për Diasporën dhe Planin e Veprimit 2013-2018, e cila është miratuar në korrikun e 2013-tës, që zyrtarisht njeh disa të drejta politike dhe sociale të diasporës në Kosovë. Mirëpo, deri më  tani, nuk është bërë shumë për t’a njohur kontributin e mërgatës, dhe për të adresuar të drejtat sociale dhe politike të tyre. Për këtë arsye, mendoj që ka ardhur koha që Qeverina të zgjeroj debatin rreth diasporës përtej përfitimeve të remitencave, dhe të filloj një komunikim të dyanshëm me mërgatën tonë. Sot, është thelbësore që institucionet e reja të Kosovës të gjejnë mënyra të reja për t’a angazhuar diasporën në proceset e hartimit të politikave, si dhe përfshirjen e saj në diskutimet e tjera kuptimplote për çështjet e rëndësishme të Kosovës. Po ashtu, është mëse e nevojshme që të debatohet mbi rolin e diasporës në proceset politikëbërëse, si dhe të gjejmë mënyrën e duhur që të shfrytëzojmë potencialin dhe aftësitë  e tyre  për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë.

Nga përvoja dhe bashkëbisedimet e mia kohëve të fundit me shumë bashkatdhetarë në takime formale dhe joformale, si pjesë e Dialogut të Strukturuar për Iniciativën e të Drejtave të Diasporës, u binda edhe më shumë për nevojën dhe domosdoshmërinë e Qeverisë për të rishikuar politikën e saj rreth diasporës. Është e nevojshme që mërgimtarët të përfshihen në proceset politikëbërëse, veçanërisht në ato politika, të cilat i adresojnë nevojat e tyre, të cilat njohin kontributin e tyre dhe propozojnë hapa konkret për angazhimin e diasporës. Unë besoj që bashkatdhetarët tanë duhet të trajtohen si partner serioz në zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, nëse dëshirojmë të përfitojmë nga angazhimi dhe investimet e tyre afatgjata.

admin

Artikujt e tjetrë