Gruaja

Doruntina Sylejmani vajza e artë e matematikës

15871312_845821885560942_1624478000_n

Numra, ekuacionet, shifrat duket se e kanë shoqëruar tërë jetën vajzën e matematikës, Doruntina Sylejmani, fituese e bursës në Princeton University. E rritur nga dy prindër, të cilët sot janë mësues matematike, Doruntina është fituese e shumë çmimeve në gara ndërkombëtare dhe olimpike për matematikë. Sot ajo është bërë një histori frymëzuese për të gjithë ne, veçanërisht për të rinjtë, të cilët nuk ndjekin ëndrrën e tyre. Sepse të arrish kaq shumë vetëm me punë dhe përkushtim do të thotë se të gjithë mund t’ia dalin të bëhen më të mirë për vete dhe shoqërinë ku jetojnë. “Kam lindur në Gjilan, prindërit e mi janë arsimtarë matematike në shkolle të mesme të ulet, kam edhe një vëlla i cili tani vijon klasën e 11. Klasën e parë deri të tetën e kam përfunduar në Gjilan në shkollën “Thimi Mitko”, kurse klasën e nëntë deri në të dymbëdhjetën në kolegjin Mehmet Akif me bursë të plotë, të  cilën e fitova pasi përfundova e para në testin pranues në klasën e tetë. Kam marrë pjesë në gara të matematikës që nga klasa e gjashtë. Pas çdo eksperience që fitoja nga njëra, merrja një vullnet të ri për të vazhduar tek tjetra. Secila garë ishte ndryshe nga tjetra, por ajo që do ta veçoja është pjesëmarrja e pare në IMO (International Mathematical Olympiad) në Santa Marta, Kolumbi në klasën e nëntë. Kjo ishte hera e parë që u njoha me matematicientë të rinj nga gjithë bota. Çdo gjë nga kjo olimpiadë ishte e mrekullueshme. Një eksperiencë tjetër që ia vlen ta theksoj është edhe kuizi Evropa më afër. Ky ishte kuiz me karakter garues, që testonte njohuritë për shtetet e Bashkimit Evropian. Unë sëbashku me katër vajza tjera dolëm fitimtare dhe si shpërblim fituam një udhëtim të mrekullueshëm nëpër Evropë.”- tregon Doruntina. Në fakt në shkencë, sidomos në matematikë, numri i femrave është shumë i vogël në botë, dhe i papërfillshëm në vendin tonë, por vajza si Doruntina përbëjnë një aset të çmuar për shoqërinë tonë. Ajo ishte e para që i solli Kosovës një medalje ndërkombëtare për matematikë. “Atë ditë do mbahej një mbledhje mes liderëve të të gjitha ekipeve ku do të vendosnin cut-off për medaljet. I gjithë ekipi u mblodh para dyerve, ku mbahej mbledhja. Prisnim me padurim që të kuptonim se çdo të ndodhte. Herë pas here bënim nga një shëtitje të shkurtër nëpër korridor që koha të kalonte, por nuk kishte efekt. Pas një kohe të gjatë dyert e mëdha para nesh u hapën. Mbledhja kishte përfunduar. Garuesit e tjerë po gjenin liderët e tyre dhe po diskutonin se çfarë kishte ndodhur. Në mesin e gjithë turmës pame edhe liderët tanë. “Urime” më thanë, “ke fituar medaljen e bronztë”.

15935249_845549918921472_1497832782_o

Në ato momente nuk e di se si ndjehesha. Edhe tani kur e mendoj kam ndjenja të përziera e të paqarta. “Urime, urime” anëtarët e tjerë të ekipit më thoshin. E para gjë që më erdhi ndër mend ishte tu tregoja prindërve. U kisha treguar që atë ditë do të shpalleshin rezultatet dhe tërë ditën kishin qenë në merak. Prindërit u gëzuan jashtë mase kur iu kumtova lajmin.

Kjo ishte medalja e parë për Kosovën nga një olimpiade kaq prestigjioze siç ishte IMO. Kjo më bëri të ndjehem krenare dhe të lumtur që gjithë ajo punë dhe mund që kisha bërë tashmë po shpërblehej.”- kujton Doruntina. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, një vajzë si ajo, që kishte në kokë të gjitha llogaritjet ende pa shkuar në shkollë dhe kultivohej më shumë nga prindërit e saj. “Kur isha shumë e vogël – ende pa filluar klasën e parë – ishim në qendrën tregtare me babin dhe vëllaun. Pasi babi kishte blerë të gjitha gjërat e nevojshme për në shtëpi u afruam tek arka për te paguar. Teksa babi kishte blerë gjërat unë në mendjen time i kisha mbledhur çmimet e tyre. Në fund ia thashë shumën e të gjithave. Ai mbeti i habitur kur pa se i njëjti çmim shfaqej në ekran. Që atëherë ai filloi të më mësonte çdo ditë gjëra të reja. Blinte libra të rinj që kishin detyra nga më të ndryshme. Mendoj se pasioni për matematikën mu formësua gjate ushtrimeve me babin, nga mënyra se si çdo gjë të re e bënte atraktive për mua. E sa i përket talentit, besoj se është gjenetik. Mirëpo të kesh thjesht talent është një gjë, duhet punë dhe mund i madh për ta zhvilluar atë.”- thotë Doruntina.

“Matematika është mbretëresha e shkencave” i thoshte babai vazhdimisht, por nuk ishte kjo arsyeja pse e pëlqente kaq shumë këtë lëndë. Nuk është as ajo ndjenja e bukur pasi që zgjidh një problem të vështirë, menjëherë fillon të mendosh për tjetrin. Nuk janë as garat e çmimet e ndryshme. Është thjesht procesi i te menduarit, është gëzimi kur mëson një gjë te re, te cilën thjesht mund ta imagjinosh asgjë më shumë, është dëshira për të ditur më shumë. “Për mua matematika është një botë në vete, është “my komfort zone” dhe besoj se gjatë studimeve ky pasion për të nuk do venitet, vetëm se mund të rritet. Të studiosh matematiken nga matematicientët më të mëdhenj të botes është ëndërr e çdo kujt. Madje edhe ata qe nuk duan ta studiojnë matematiken do kishin dëshirë të dëgjonin ligjërata nga këta profesorë. Princeton University e ka këtë mundësi dhe do bëj çfarëdo që është e mundur që ta shfrytëzoj në maksimum. Por njëkohësisht kjo është edhe një barre e madhe, si studentja e parë nga Kosova në këtë universitet, unë do të përfaqësoj jo vetëm veten time, por do jem edhe një pasqyre për të tjerët nga Kosova. Mirëpo besoj se jam gati për këtë. Jam gati për hapin tjetër te madh në karrierën time.”- shprehet ajo duke shtuar se nuk mund ta dimë se ku do të na dërgojë e ardhmja, mirëpo, kudo që të ndodhem pas 5, 10 apo 15 vitesh, mund të them që do përpiqem që të krijoj një imazh sa më të mirë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

admin

Artikujt e tjetrë