Arte Pamore

Në pikturë shpirti gjen të vërtetën

_DSC2186 copy (2)

 “Artisti me hiper ndjeshmërinë e tij dhe me artin që zotëron, e ushqen dhe rrit ndjeshmërinë njerëzore drejt të bukures dhe së vërtetës që në fund të fundit nuk janë veç se një, e bukura është e vërteta dhe e vërteta është e bukur.”- shprehet në këtë intervistë piktori i mirënjohur Buron Kaceli.

 

Çfarë iu frymëzon më shumë në jetën tuaj artistike?

Gjithçka që prek ndjeshmërinë time, që ka të bëjë me natyrën në përgjithësi si dhe me natyrën njerëzore. E bukura, sensualja, natyra me të gjitha shfaqjet e saj, si dhe natyra njerëzore në thellësinë e brendshme shpirtërore më frymëzojnë dhe përpiqem t’i trajtoj në dy gjinitë e mia të preferuara të pikturës, në peizazhin si dhe në portretin.

 Cili mund të jetë roli i artistit në shoqërinë e sotme që duket se është “zhveshur” nga ndjeshmëria?

Roli i artistit në shoqërinë njerëzore është pikërisht rritja e ndjeshmërisë së shoqërisë në funksion të emancipimit të saj drejt përsosmërisë. Artisti me hiper ndjeshmërinë e tij dhe me artin që zotëron, e ushqen dhe rrit ndjeshmërinë njerëzore drejt të bukures dhe së vërtetës që në fund të fundit nuk janë veç se një, e bukura është e vërteta dhe e vërteta është e bukur. Të shohësh botën që të rrethon nga këndvështrimi i artistit do të thotë ta jetosh jetën bukur. Këtë i ofron artisti shoqërisë përmes veprës së tij.

Shkrimtarja Margaret ka shkruar dikur se piktorët kanë obsesionet dhe ritualet e tyre, nëse është kështu, cilat janë tuajat?

Artet pamore, artet e bukura, për mendimin tim janë shprehja më e lartë dhe komplekse e botës së brendshme shpirtërore të natyrës njerëzore, dhe piktori në procesin e tij krijues, në varësi të personalitetit dhe kërkesës së tij artistike ndërton dhe i nënshtrohet ritualit jetësor më të përshtatshëm për të realizuar në krijimtarinë e tij shprehjen më të lartë të mundshme artistike. Duke qenë një art tepër individual piktorët në përgjithësi dhe ndër to dhe unë, ndërtojnë dhe i nënshtrohen ritualit që përgjithësisht zhvillohet në shoqërinë e së bukurës, në shoqërinë e një gote vere, në shoqërinë e muzikës së preferuar dhe gjithmonë nën pushtetin e pa anë dhe universal të vetmisë.

061 copy

Cili është mendimi juaj për artin pamor shqiptar në përgjithësi ?

Ne jemi një popull homogjen që trashëgojmë një kulturë të vjetër sa bota që njohim, por që për rrethanat historike aspak të favorshme kemi mbijetuar vërtet në hapësirën mbarë shqiptare, por të ndarë në disa shtete. Rrjedhimisht edhe zhvillimet e artit pamor kanë përcjelle veçori në varësi të influencave dhe shkollave të ndryshme me dallime konceptuale, te cilat falë bashkimit kombëtar që ne artistet dhe të gjithë punonjësit e kulturës e kemi arritur me aktivitetet e përbashkëta dhe me shkëmbimet e eksperiencave tona, kam bindjen se po shkojmë drejt niveleve gjithnjë e më të arrira të artit pamor. Mendoj që kemi artistë mjaft të mirë që me krijimtarinë e tyre kanë dëshmuar vlera të veçanta dhe janë shquar brenda dhe jashtë vendit. Por për zhvillimin më të mirë të artit pamor shqiptar një kujdes më të madh duhet të tregojnë strukturat e niveleve të ndryshme shtetërore me politika kulturore të favorshme për to. Mendimi im është që këto politika nuk janë në lartësinë e duhur për të mos thënë që edhe mungojnë. Miratohen dhe konstruktohen sheshe, ansamble të mëdha arkitekturore për banim, komplekse industriale, parqe e liqene, por nuk paramendohen dhe projektohen vepra arti në to.  Ambientet e brendshme të objekteve publike si spitale, ambulanca, zyra të ndryshme të pushtetit lokal e qendror, ambiente të shërbimeve të ndryshme publike, janë bosh pa vepra arti e vetëm me do postera e lajmërime të karakterit zyrtar. Nëse do të kishte më tepër kujdes dhe nuk do të mungonin këto politika shtetërore për kulturën, artistët e gjinive dhe zhanreve të ndryshme të cilëve nuk u mungon dëshira, aftësia dhe vullneti do të kishin vërtet punë, do të stimuloheshin realisht. Artet pamore do të arrijnë nivele mjaft më të larta dhe roli i tyre në funksion të shoqërisë do të ishte i plotë. Dëshiroj të ngre edhe një problem. Vërtet realizohen disa vepra skulpturore porositur dhe ndjekur deri në realizimin e tyre nga bashkitë e komunat çka është për tu përshëndetur, por është me shumë rëndësi ngritja e disa bordeve të kualifikuara me intelektuale dhe artistë ndër më të mirët për t’i ndjekur me kërkesa profesionale deri në realizimin e tyre përfundimtar dhe miratimin e vendosjes së tyre në hapësirat publike, sepse sado zell, vullnet dhe dëshirë të kenë komunaret dhe bashkiakët e ndryshëm ata nuk mund ta kryejnë cilësisht këtë detyrë që veprat e artit që vendosen të përfaqësojnë si nga pikëpamja ideore, ashtu edhe nga ajo artistike, nivelin më të mirë të kohës.

Si janë raportet me artistet nga Kosova dhe a planifikoni ndonjë ekspozite edhe këtu?

Siç thashë dhe më lart ne artistët, të të gjitha llojeve të artit, e kemi realizuar bashkimin kombëtar përmes mjaft aktiviteteve të përbashkëta ku falë shkëmbimit të ideve dhe eksperiencave kemi përfituar mjaft nga njëri- tjetri. Raportet janë të mrekullueshme dhe mjaft frytdhënëse. Falë këtyre raporteve mendoj që arti shqiptar po arrin nivele gjithnjë e më të mira. Në aktivitete të përbashkëta me artistët kosovarë unë kam ekspozuar vepra të mia në shumë qytete të Kosovës dhe bukur do të ishte ardhja ime në Kosovë me një ekspozitë personale. Uroj të ndodhi.

admin

Artikujt e tjetrë