Lifestyle

“Zoja” qëndisje dhe dashuri

Screenshot_2017-06-07-13-59-17

Historitë e këtyre grave janë si copëza të imëta që formojnë një panoramë të madhe, që kur bashkohen krijojnë një mozaik të rrugëtimit nga vuajtja e gruas e deri tek fuqizimi i saj. Të ndihmosh gratë që të kenë besim tek vetja, që ta kuptojnë vlerën e tyre, do të thotë shumë për mua.

 

Në qendrën për fuqizimin dhe mbështetjen e  grave, Women for Women, që ndodhet në kryeqytet, takon fytyra të lumtura që fshehin prapa tyre histori të ndryshme. Së fundi gratë e kësaj qendre janë angazhuar në realizimin e një projekti shumë të rëndësishëm. Tetë prej tyre, janë bërë bashkë për të qëndisur një zemër, e cila tashmë është pjesë dekorative e koleksionit të këpucëve të brendit të njohur britanik LK Bennett. Të gjitha fitimet nga shitja e këtyre këpucëve do të shkojnë tek Women for Women International, në mënyrë që cikli i fuqizimit të grave që kanë nevojë më shumë, të fillojë sërish.

Ne takuam Zoja Shalën, trajnere e lartë e programit 1 vjeçar për fuqizim social në WfW, e cila ka udhëhequr ekipin e grave për LK Bennett. Madje ky koleksion i limituar i këpucëve është pagëzuar pikërisht me emrin e saj, këpucët “Zoja”, një përvojë kjo shumë e veçantë dhe e paharrueshme për të.

“Në këtë projekt kam qenë përgjegjëse për kontrollin e cilësisë dhe kjo është një përvojë e mrekullueshme, e cila më ka dhënë shumë pavarësisht precizitetit që është dashur ta ekzekutojmë gjatë procesit të aplikimit të detajit, megjithatë ka qenë një bashkëpunim shumë i rëndësishëm si për mua personalisht, për gratë dhe për qendrën WfW. Kjo është një punë e cila ka vënë në pah përkushtimin dhe angazhimin e tërë grupit për të bërë më të mirën, ashtu siç është kërkuar, sa më precize dhe e matur me milimetra.”- është shprehur znj. Shala, e cila është angazhuar maksimalisht që gjithçka të rezultojë në mënyrë të përsosur.

LK Bennett shoes

Ajo është pjesë e WfW, që nga përfundimi i Luftës në Kosovë, duke qenë e angazhuar projekteve të ndryshme dhe punëve, të cilat janë realizuar përgjatë viteve nga WfW. Ndërsa tregon se e njeh secilën grua që ka trajnuar në këtë qendër.

“Historitë e këtyre grave janë si copëza të imëta që formojnë një panoramë të madhe, që kur bashkohen krijojnë një mozaik të rrugëtimit nga vuajtja e gruas e deri tek fuqizimi i saj. Të ndihmosh gratë që të kenë besim tek vetja, që ta kuptojnë vlerën e tyre, do të thotë shumë për mua.”- tregon znj. Shala, derisa  nënvizon se i tërë procesi i punës është realizuar nga gra të përzgjedhura për të punuar në këtë projekt, të cilat kanë pasur kohë të mjaftueshmet të ushtronin qëndisjen e zemrave për dizajnin e lartcekur.

Women for Women që nga  hapja e saj në vitin 1999, ka ndihmuar 32.000 gra nga tërë Kosova, duke ndikuar në fuqizimin dhe pavarësinë e tyre ekonomike. Bashkëpunimi me brendin e njohur britanik LK Bennett është një nga projektet e radhës, që tregojnë për seriozitetin dhe përkushtimin e stafit në angazhimin, ndihmën dhe trajnimin e grave në nevojë.

admin

Artikujt e tjetrë