Kulturë

Rokerja e bjeshkëve

Olimpia Smajlaj është përzgjedhur Miss Bjeshka, por ndërkohë është një zë i bukur i skenës shqiptare. Shkodrania rrëfehet në Flatra për vlerat dhe  traditat veriore Kelmendase shqiptare, që përfaqëson çmimi që fitoi, për rokun dhe artistët që e frymëzojnë në rrugëtimin e saj artistik.

  

Nuk ka sesi mos të bie në sy vajza nga Shkodra, kur ecën rrugëve të kryeqytetit, por edhe kur vendosi të jetë pjesë e muzikës. Olimpia Smajlaj ka lindur  në qytetin e Shkodrës dhe është shkolluar po aty deri në nivelin e gjimnazit. “Ndërsa studimet i vazhdova në Tiranë, dega Biologji. Jam përpjekur të jem gjithmonë sa më aktive, të krijoj sa më shumë eksperienca në të gjitha domenet, qoftë sociale a shkencore, dhe sidomos kulturore. E dua shumë pikturën, kinematografinë, operën, sigurisht edhe muzikën”- shprehet Olimpia. Në fakt emri i saj u bë shumë i njohur kur fitoi kurorën e bukurisë Miss Bjeshka, ku veshur me kostumin tradicional kelmendas, parakaloi në livadhet e bukura të asaj zone. Një organizim i jashtëzakonshëm, i cili gjithnjë e  më shumë po merr një rëndësi të madhe për shkak të mesazhit që përçon, kultivimit të traditës shekullore shqiptare ndër breza.Ky në thelb është një çmim bukurie, por në raport me konkurse bukurie të zakonshme, është shumë më tepër kaq. Një fituese e Miss Bjeshkës përfaqëson një sërë vlerash të traditave veriore Kelmendase shqiptare, duke u nisur që te fakti që po konkurron si një vajzë malësore që mban me krenari veshjen shekullore tradicionale,xhubletën, që di të ecë dhe të kërcejë kërcimin tipik malësor, di të flasë, të qëndrojë e të sillet me elegancën dhe potencën e grave krenare malësore dhe njëkohësisht zotëron dhe bukuri e hijeshi, prej të cilave zgjidhet dhe çmimi i parë. Për mua ishte një eksperiencë shumë e veçantë që nuk mund të përsëritet sërish dhe njëkohësisht e veçantë. Është konsiderata më sublime e bukurisë femërore për mua pikërisht për mënyrën si shpaloset kjo bukuri.”- tregon Miss Bjeshka.

Por Olimpia prej kohësh është një zë i veçantë i skenës sonë ndërsa qysh në klasë të parë ajo zbuloi se zotëronte dhuntinë e zërit dhe prej aty pastaj ka marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme në çdo koncert shkolle, qyteti e me radhë, deri sa mbërriti këtu ku është sot me një grup të ri roku pas një eksperience 3-4 vjeçare me një grup tjetër progresive rok, Indigos. Por cili zhanër e përkufizon atë si personalitet?! Personalitet është fjalë e zgjedhur mirë në këtë rast. Muzika në tërësinë e saj ndikon jashtëzakonisht në formimin e individit, dhe mund të shërbejë si dëftues i botëkuptimit të tij përveç të tjerash. Zhanri që vërtet mund ta përkufizojë personalitetin tim është Rock-u me gjithë ngjyrat e tij, pra nënzhanret, e deri tek metali që rron si i diferencuar goxha më vete për shkak të karakteristika që ka pavarësisht të njëjtave rrënjë. Muzikantët e preferuar janë kryesisht grupe dhe kam realisht shumë duke filluar që nga grupe metali si My dying bride, Type o Negative, Death e deri tek muzikantë blues-i si Joe Bonamassa, Stevie Ray Vaughan, Joe Satriani etj. Kam një spektër të gjerë shijesh muzikore me përjashtim të pop-it, hip-hop-it kontemporan dhe house-it.”- thotë Olimpia.

IMG_8158

Vajza si Olimpia janë një premtim se e ardhmja e rokut shqiptar do të jetë më e mirë, më interesante dhe gjithmonë në trend me kohën. “Do përpiqem t’i jap rokut sa më shumë të mundem, e sidomos skenës shqiptare rok, e cila ka shumë nevojë për prurje produktive dhe ide. Duke mos lënë në harresë faktin që këtu fatkeqësisht nuk merr vëmendjen dhe rëndësinë e duhur, aspiratat janë që t’i tregojmë ndërkombëtarëve që e vlerësojnë se edhe Shqipëria ka brumë për këtë gjë. Lidhur me këtë më intereson shumë të hidhem në tregun ndërkombëtar, të shpërndaj muzikën time përtej kufirit, mbase duke parë nga historia sesi të huajt nganjëherë e vlerësojnë rokun(por edhe artet në përgjithësi) më shumë se bashkëkombësit, do shërbejë si tërheqje veshi për këta të fundit. Ne të gjithë e dimë se sa revolucionar ka qenë roku përgjatë dekadave duke ndihmuar rininë të kalojë periudha shumë të vështira, duke inspiruar të rinjtë për të marrë fatin në duart e tyre. Edhe sot ka mjaftueshëm probleme dhe kjo muzikë ka fuqinë të jetë po aq ndryshuese, duhet vetëm edukim.”- përfundon Olimpia.

admin

Artikujt e tjetrë