Arte Pamore

Bukuri e fshehur në lëvizje

foto 00

Njeriu, trupi dhe energjia e brendshme e kishte ngacmuar artistin, Albulen Neziri, që të realizojë ekspozitën e tij të parë personale, “Bukuri e fshehur në lëvizje.” Skulptura që vijnë në forma e materiale të ndryshme ishin prezantuar për artdashësit nën organizimin e Galerisë së Ministrisë së Kulturës  dhe kanë zgjuar interesimin e vizitorëve të shumtë.

Sipas skulptorit Neziri, ideja për një ekspozitë të tillë që përmban punën e disa viteve, ka qenë e kamotshme dhe vetëm tani e kishte parë të arsyeshme që të prezantonte punën e tij para një publiku më të gjerë. Ndërsa thotë se si fëmijë është angazhuar në art, qoftë në vizatim apo skulptura të vogla, figura kafshësh, vazo etj,. Punime këto që i ka punuar me baltë, mellë të kombinuar me dru, metal dhe tekstil dhe pohon se disa nga ato punime të fëmijërisë i ruan ende si kujtim.

IMG_7367

“Pikaso ka thënë se çdo fëmijë është artist. Çështja është që ai të mbes artist edhe kur të rritet. Nga ajo kohë më lindi dëshira që të interesohem për qeramikën, skulpturën dhe për artin në përgjithësi. Pasi përfundova shkollën e mesme në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, përfundimisht vendosa që të studioj skulpturën. Përmes artit të skulpturës synoj të shpreh të vërtetën që është në realitetin jetësor.”, nënvizon artisti, duke vënë në pah se me punimet e paraqitura në këtë ekspozitë ka dashur të shpreh diçka tjetër, të ndryshme, duke qenë njëkohësisht afër realitetit dhe të vërtetës.

“Skulpturat monumentale, figurative dhe gjysmë-abstrakte e karakterizojnë këtë ekspozitë, e cila përmban 30 skulptura dhe ka punime të zgjedhura nga 10 ciklet si; (Torzo, Trupi i Njeriut, Figura në Lëvizje Meditim për Njeriun, Shqiponjat, Misteri i Vrimave, “Energjia e Brendshme”, Model Arkitektural) etj, si dhe 3 vizatime në teknikën e kombinuar. Shumica e skulpturave të paraqitura janë nga materiali i gurit (mermeri, oniksi, guri natyral, graniti) etj, por ka skulptura edhe nga druri.”

Megjithatë arti i mirëfilltë në Kosovë është një sfidë që kërkon përkushtim, kohë e mjete të tjera të domosdoshme për ta zhvilluar dhe mbrojtur. Neziri thotë se jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera qëndron ky problem dhe sigurisht se e tërë kjo varet nga zhvillimi kulturor e ekonomik i një vendi. “Por në rastin tonë zgjidhja më e mirë është të kesh edhe një punë të dytë, që t’i mbulosh shpenzimet e profesionit dhe të kesh stimulim për punën artistike, derisa të arrish të mbijetosh vetëm nga arti i mirëfilltë. Mendoj se janë dy gjëra që duhet të ndahen. Në njërën anë arti i mirëfilltë dhe në anën tjetër “gjithçka tjetër, çdo punë tjetër” për artin e mirëfilltë.”

DSC_4076

Ndërsa kur jemi tek materiali që përdoret në realizimin e skulpturave, secili artit i ka preferencat dhe shijet e tij apo një arsye të caktuar se pse përdorë pikërisht një material apo tjetër në punimet e tij. Në ekspozitën,“Bukuri e fshehur në lëvizje” artisti u ka dhënë formë veprave të tij nëpërmjet mermerit, hekurit, bronzit, çelikut etj. Duke konsideruar se materiali dhe ideja duhet të jenë të njënjëshme apo e njëjta gjë.

“Sigurisht se nuk duhet harruar kohën e veprimit sepse vepra duhet të reflektojë në kohë. Këto tri elemente e përbëjnë atë që e quajmë vepër. Është e vërtetë se një vepër  mund të punohet edhe në materiale tjera nga ai që është punuar në fillim dhe mund të ketë po atë vlerë artistike, por gjithsesi se vepra përbëhet nga ato 3 elemente themelore. Qëllimi im është që vepra të ketë vlerë të mirëfilltë artistike dhe brenda vetes ta ketë frymën e kohës, e pastaj se nga cili material përbëhet, atë e cakton vet ideja në gjenezën e saj. Zbulimi i së fshehtës estetike është faktor përcaktues sesi do të marr formë vepra.”   

admin

Artikujt e tjetrë