Kulturë

Lule Pashku: Ju rrëfej tim atë!

Një intervistë për ta njohur më mirë babain e letërsisë moderne Anton Pashkun. Vajza e tij, Lule Pashku na sjellë anët e panjohura të shkrimtarit të madh, si prind, shkrimtar-ishull, ritualet dhe shkrimtarët e tij të preferuar… Në “shkretëtirën e letërsisë” ka dhe oaze dhe Anton Pashku ishte i tillë në letërsiën shqipe.

 

Intervistoi: Jonida Balla

 

 Së pari a mund të na flisni pak për veten tuaj?

Jam fëmija i dytë, i prindërve Paulina dhe Anton Pashku. E lindur në Prishtinë, në pranverën e ’75, gjatë kohës kur babai ishte duke shkruar dramën “Gof”. Jeta në Kosovën e viteve të para luftës ishte përplot me zhvillime kulturore, politike dhe sociale, duke filluar me Akordet e Kosovës, Galerinë e Arteve, Teatrin Krahinor, Kinematë e qytetit deri të ndryshimet kushtetuese dhe suprimimin e autonomisë së Kosovës.  Kam filluar shkollimin fillor në vitin ’81 i njohur si viti i demonstratave ndërsa e përfundova në vitin ’89 i përmendur për ndryshimet e Kushtetutës së ’74 dhe suprimimin e Autonomisë së Kosovës. Gjimnazin “Sami Frashëri” e përfundova në shtëpitë- shkolla në vitin ’93, ndërsa pas vdekjes së prindërve për shkaqe materiale i ndërpreva studimet, për t’i vazhduar ato pas luftës. Të gjitha ngjarjet politiko-sociale duke përfshirë gjendjen e rënduar shëndetësore të prindërve të pasuar me vdekjen e hershme të tyre, ndikuan në formimin e personalitetit tim. Ndërsa aktualisht jam në përfundim të studimeve master në Fakultetin Juridik, Universiteti  i Prishtinës.

Lamë pas 80 vjetorin  e lindjes së babait tuaj, shkrimtarit të mirënjohur, Anton  Pashkut, si vjen ai në kujtimet tuaja?

Ishte person i kompletuar, i formuar si duhet dhe jo vetëm në aspektin intelektual, por kishte shumë vlera njerëzore dhe këto ishin ato që më bën ta doja pafundësisht. Si person me karakter të fort, racional ishte njëkohësisht i ndjeshëm dhe i dashur, dëgjues i durueshëm, i ndershëm dhe këmbëngulës në rrugën dhe ideologjinë e tij. Asnjëherë nuk jepte këshilla të gatshme, por çdo herë në mes të rreshtave dhe librave. Adhuronte ecjen sidomos ditëve me shi dhe borë, gjatë të cilave, shumtën e rasteve e shoqëroja. Ishin ecje të veçanta me biseda të urta dhe shpesh të përmbushura me ndonjë dhuratë të vockël si kuti me stilolaps, libër… të cilat mi përkushtonte duke filluar me “cikës së babës … me dashni” dhe i përmbyllte me një autograf, (të cilat fatkeqësisht se bashku me albumet familjare janë shkatërruar gjatë luftës). Pëlqente muzikën klasike, në veçanti polkat dhe valset. Kompozitorët më të preferuar i kishte kryesisht nga trevat gjermano-folëse: Beethoven, J.S.Bach, Ëagner, R.Schumann,J.Brahms, Franc Liszt, tre Strauss-et (djali, babai dhe gjyshi)…por dhe të tjerët si Ravel, Verdi, Tchaikovsky… Ndër ngjarjet që i mbaj mend nga fëmijëria e hershme ishte përcjellja e koncertit tradicional të Vitit të Ri të filarmonisë së Vjenës, i cili në fakt ishte e vetmja ngjarje përse i gëzohej Vitit të Ri. Çmonte shumë dirigjentin Herbert von Karajan.

Na flisni pak për ritualet e tij?

Nuk ishte i zakonshëm, kishte një stil unik të shkrimit.  Së pari skiconte veprën e tij, ndërsa varësisht nga tema dhe mënyra e shtjellimit ashtu dhe i jepte formën skicës së tij. Herë skiconte në formë të drurit/lisit herë në formë të piramidës. Gjatë shkrimit ishte detalist deri në perfeksionizëm si në aspektin stilistikë gjuhësor ashtu dhe gramatikor.  Çdo herë i rrethuar me një grumbull librash, i palodhshëm në lexim, i etur për dije. Mbante shënime dhe kur i mungonte letra atëherë shkruante mbi paketimin e cigareve apo ndonjë ambalazhi tjetër që kishte në dispozicion.  Meqenëse banonim në ndërtesë kolektive, për shkak të qetësisë, çdo herë shfrytëzonte natën për punë.

prinderit

Ka lënë babai juaj ndonjë dorëshkrim të pabotuar?

Po, la dorëshkrime të papërfunduara, të cilat do të mbesin të pabotuar deri në sistemimin e plotë të tyre dhe në vendim e trashëgimtarëve natyror dhe ligjor. Si fëmijë të tij, rrjedhimisht trashëgimtarë të ligjshëm të drejtës së autorit, unë dhe vëllai e kemi për detyrë të mbrojmë punën e tij nga apetitet e shtëpive botuese dhe keqpërdorimet e veprave të babait duke bërë përpjekje t’i disiplinojmë ato që të mos e keqpërdorin të drejtën e autorit më tutje.

Sipas jush, është bërë mjaftueshëm nga ana e institucioneve për një personalitet si Anton Pashku?

Më 31 tetor 2017 bëhen 22 vite qëkur babai im Anton Pashku kaloi në amshim. Organizimi i parë serioz për Antonin gjatë këtyre 22 viteve ishte Konferenca  “Anton Pashku-Shkrimtar”, e organizuar në muajin e kaluar si bashkëpunim i Bibliotekave Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, me narrator profesionist, të cilët ofruan analiza të thukëta lidhur me veprat e Antonit, por në prani të një numri modest të audiencës.  Babai im ishte shkrimtar avangard, ai doli kundër rrymës së realizimit socialist për të ndërtuar një rrymë të veçantë Antoniane duke shtjelluar temën e dashurisë, vetmisë dhe individit, i cili vuante nga dhuna e totalitarizmit. Gegë i përbetuar. Karakter stoik. Ishte i vetmuar në rrugën dhe rrymën e tij letrare.  Si për së gjalli, ashtu edhe për së vdekuri ishte i shoqëruar nga heshtja. Sa ishte gjallë, dukshëm vërehej mosnjohja e duhur e kontributit dhe vlerës së tij letrare, kjo për arsye se ishte i “papërshtatshëm” për sistemin si farkues i rrymës socreale; i pakapshëm për lexuesin e papërpunuar; ndërsa i xhelozuar nga ajo pakicë që e kuptonin dhe synonin ta mbërrinin mirëpo pa sukses;  përjashtimisht disa miqve të rrallë të afërt- kritike të çmuar të letërsisë shqipe, të cilët e shoqëruan deri në vdekje dhe pas saj pa hequr dorë nga vlerësimi, respekti dhe dashuria ndaj “babait të letërsisë moderne shqiptare”, siç e cilësojnë ata vetë. Duket qartë që babi im, Antoni nuk  jetoi në kohën e tij. Nuk gëzon as mbrojtjen institucionale nga piratet e letërsisë, shkelës të drejtës së autorit, ndërsa  “intelektualët” të cilët udhëheqin me institucionet e kulturës dhe dijes në vend, janë të orientuar kah promovimi i autorëve të panjohur të veprave solide. Andaj konkludoj se dëshira për ta harruar është dukshëm më e madhe se për ta kujtuar dhe mbrojtur si vlerë kombëtare, pikërisht për shkak të mungesës së formimit të tyre intelektual. E dhimbshme për tu imagjinuar e lërë më për ta përjetuar.

Cilët ishin shkrimtarët e preferuar të Anton Pashkut?

Babai ishte njeri mendjehapur me shije të rafinuar dhe diapazon të gjerë të dijes. Lexonte shkrimtarët botëror, ndiqte me kujdes trendet e rrymave kulturore letrare të kohës. Ndër shkrimtarët e preferuar të rinisë së tij mund të apostrofoj: Samuel Beckett, Eugene Ionescu, James Joyce, Franc Kafka, Jean Cocteau …

Së fundi, cili është mendimi juaj personal për letërsinë shqipe të ditëve të sotme?

Marr në përgjithësi, kam përshtypjen se sot më shumë i jepet rëndësi kuantitet sesa kualitetit, në veçanti librave të autorëve që temat e rëndomta i trajtojnë në frymën populiste duke u përkujdesur t’i qëndrojnë besnik shijes së lexuesit solid. Të lehtë për tu kuptuar, edhe më të lehtë për tu shpjeguar në ndeja shoqërore. Të rrallë janë përjashtimet kualitative, të cilëve nuk iu bën aq përshtypje epiteti “autori më i shitur” ndërkaq fokusohen në cilësinë e substancës dhe perfeksionimin e teknikave të trajtimit të temës, duke synuar lexuesin e formuar. Periudha e realizmit socialist zgjati mjaftueshëm për të lënë pasoja konkrete duke kufizuar trurin artistik dhe njëkohesisht duke tkurrur shijen dhe horizontin e lexuesit  shqiptar, i cili në pamundësi leximi  të rrymave tjera përfundoi në izolim shpirtëror dhe intelektual për disa dekada.  Këto pasoja mund të vërehen nga Panairet e Librit të organizuara anekënd trojeve shqiptare ku zënë vend autor të ndryshëm, ndërsa çdo herë libri më i shitur është  i ndonjë shkrimtari  të lindur dhe ngritur artistikisht gjatë kohës së realizmit socialist sepse të tillët ishin të vetmit të lejuar gjatë periudhës diktatoriale andej dhe këndej kufirit. Andaj janë shndërruar në idhuj të shkrimtarëve të rinj, dhe  janë pikërisht ata shkrimtarë dhe ajo shije që janë servuar  me dekada të tëra dhe si rrjedhojë i janë ngulitur në kokë lexuesit shqiptar, i cili në mungesë të përvojës së leximit ndihet komod dhe i relaksuar me ta, duke u ndier i pasigurt t’i hap dritaren horizonteve tjera ku diversiteti i veprimtarisë artistike moderne i jep kahje tjetër mënyrës së konceptuarit të jetës dhe fenomeneve që e përcjellin atë.

Duke respektuar të kaluarën tonë letrare, është koha e fundit që të ndërtojmë një “rend të ri letrar” të mbështetur në vlera artistike bashkëkohore përmes së cilës do të ndryshojë dhe përmirësohet cilësia e shkrimeve të botuara dhe rrjedhimisht shija dhe kërkesa e lexuesit.

Do ta përmbyll me një fragment të një interviste të babait tim “…Se e kam me vend apo jo, këtë mund ta vërtetoni nëse i lëshoni një sy gjithë asaj që botohet sot, e që është nën çdo nivel civilizues. Rrallë që ndonjëri vlen diçka. Këtë e marr si pasojë të edukatës afatgjate realsocialiste – mospërpjekja për të zënë hapin me kohën. Është interesant se gati asnjë rrymë kulturore/letrare apo mënyrë e të menduarit e kohës së re që ishte/është aktuale në botë – s’është reflektuar fare ndër ne. E tash, njeriu mund të gjejë aty-këtu të tillë që lexonin dhe shkruanin në frymë të kohës, përjashtime kualitative. Por, të tillët mbetën vazhdimisht të vetmuar, mbetën ishuj. Çdo shkretëtirë ka oazat e veta që s’mund të merret nder për te… Oazat mbesin vetëm oaza, për aq sa shkretëtira mbetet shkretëtirë.”

admin

Artikujt e tjetrë