Opinion

Identitet shtetëror apo kombëtar?!

“Shqiptarët e Kosovës nuk kanë dilemë lidhur me identitetin e tyre kombëtar, në sajë të gjuhës, prejardhjes së përbashkët dhe një kujtese kolektive të ruajtur përmes simboleve kombëtare, por megjithatë vërehet një trend në rritje të kultivimit të një identiteti shtetëror-civile”.”- shprehet Rrezarta Reka.

Pse vendosët që studimet tuaja të doktoraturës t’i orientoni nga identiteti i popullatës së Kosovës?

Në fakt studimi im i doktoratës kishte në fokus identitetin e shqiptarëve të Kosovës, dhe jo popullatës në përgjithësi. Kjo, pikërisht duke pasur parasysh që për shqiptarët e Kosovës, si grup etnik, përcaktimi identitar, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, ishte më i ndërlikuar. Jo pse shqiptarët ndjeheshin më pak shqiptarë, siç edhe dëshmon pastaj studimi empirik, po për shkak se ndjehej një lloj konkurrence si dhe huti, në deklarimin shqiptar apo kosovar. Gjithashtu, kësaj situate i kontribuon në masë të madhe, paqartësia gjuhësore terminologjike, që në fakt, paraqet problematikë në vetvete botërisht për studimet identitare dhe ato për kombin, shtetësinë dhe nacionalizmin, siç ka shkruar edhe Connor. Shqiptarët, gjuhësisht, identitetit, që shkenca e njeh si etnik në esencë, i janë referuar si identitet kombëtar. Por, një shqyrtim i rrethanave historike dhe politike, na sjell në përfundimin që jo vetëm gjuhësisht, por shqiptarët edhe politikisht, kishin identitet kombëtar shqiptar: deri në vitin 1912, edhe shqiptarët e rajonit të Kosovës ishin të përshirë në një lëvizje të vetme kombëtare, pra atë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të bindur, që Kosova do të ishte pjesë e territorit administrativ të një Shqipërie të pavarur. Pra, duke pasur parasysh që qëllimi i çdo studimi do të duhej të ishte trajtimi i një çështjeje për të nxitur diskutim të mëtutjeshëm sidomos mbi gjetjet, kisha vendosur që të sfidohem me studimin pikërisht mbi identitetin e shqiptarëve të Kosovës.

Ju ngrini pikëpyetjen e madhe: Identitet shtetëror apo kombëtar, cila është të themi, dilema më e madhe e qytetarëve?

Para se të përgjigjem në pyetjen, do të doja të theksoja diskutimin që kisha me Michael Billig, autorin e “Banal Nationalism”, për qëllime të këtij studimi, sërish duke tërhequr vëmendjen në paqartësinë gjuhësore. Përcaktimin identitar dhe dilemën që qytetarët do të mund të kishin, Billig e ilustron me shembullin e Mbretërisë së Bashkuar: ku qytetarët e kësaj mbretërie nuk quhen dot “Unitedkingdomians”, por quhen anglezë, uellsian, britanik, etj. Kjo, për shkak se jo domosdoshmërish identiteti kombëtar përkon me atë shtetëror, edhe pse një harmonizim i tillë do të ishte i dëshirueshëm, por gjithashtu edhe për shkak se siç thekson më tutje Billig, ne nuk mund t’ju tregojmë njerëzve se cilin identitet ata duhet të kenë. Në rastet kur nuk ka progres të natyrshëm komb-shtet, pra si në rastin e shqiptarëve të Kosovës, nga vitit 1912 e këtej, ka potencial për huti, thënë më mirë sesa dilema identitare, midis kombëtares dhe shtetërores.  Mirëpo, për shqiptarët e Kosovës, derisa nuk ka dilemë lidhur me të qenit shqiptarë, ka një trend në rritje sidomos të grup moshat e reja, për një identitet në kultivim e sipër, kosovar, si identitet shtetëror. Gjithashtu, sipas respodentëve nën këtë studim, 795 sish, dallimi midis identitetit kombëtar dhe atij shtetëror, (si identitet civilo-juridik) është më se i qartë. Sipas përshkallëzimit të Morenos, i cili kishte hartuar këtë metodologji për studimet identitare në Skoci, pak më shumë se gjysma, 51% të respondenteve e ndjejnë veten më shumë shqiptar se Kosovar, ndërkaq që 19.5% të tyre e ndjejnë vetën poaq Shqiptar sa edhe Kosovar. Një përqindje e tillë lë për të kuptuar që shqiptarët e Kosovës në fakt identitetin kombëtar, etnik e kanë identitet parësor, megjithatë që identiteti rajonal gjeografik, pra të qenit nga Kosova, është menjëherë identiteti tjetër në radhë. Më shumë Kosovar se Shqiptar janë deklaruar 12.5% dhe po aq Kosovar sa edhe Shqiptar 13.4%. Nëse analizojmë këto përgjigje në mënyrë përmbledhëse, atëherë do të mund të arrinim deri te përfundimi se 70.5% të respondentëve e kanë një identitet të fortë kombëtar etnik, pra shqiptar dhe shqiptaro Kosovar, ku të qenit shqiptarë radhitet si i pari identitet, ndërkaq në anën tjetër, rreth 26 % deklarohen si Kosovar dhe Kosovaro-Shqiptar, me një identitet gjeografik të shprehur. Këto dallime i përforcon pastaj në masë të konsiderueshme variabla e moshës, që sipas studimit, është treguar të jetë një nga variablat më përcaktuese të dallimit: grup-mosha 18-25 ka një identitet më të shprehur shtetëror se sa grup-mosha më e madhe 30 e tutje. Këto dallime mbase interpretohen si rezultat i kujtesës kolektive, përkatësisht mos-pasjes së një kujtese të tillë. Derisa mosha më e madhe ishte pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në proceset politike drejt pavarësisë, mosha e re ka një kujtesë kolektive relativisht të re, pra që nga pas-lufta e tutje. Ndërkaq në pyetjen si cili është identiteti më i rëndësishëm, për 69.6% të respondentëve identiteti kombëtar mbetet identiteti më i rëndësishëm, ndërsa 7.5% identitetin më të rëndësishëm e kanë identitetin kombëtaro-shtetëror, si identitet të pandashëm. Identiteti shtetëror është identiteti më i rëndësishëm për 12.5% të respondentëve; identiteti gjinor është i rëndësishëm për 2.4% të respondentëve, ndërkaq feja paraqet identitetin më të rëndësishëm për 4.9% të respondentëve.

Sipas hulumtimeve tuaja, çfarë i bën më shumë shqiptarë dhe anasjelltas qytetarët në  Kosovë?

Identiteti në përgjithësi, është i shumështresuar dhe jo rezistent ndaj ndryshimeve në kohë. Pra, mund të kemi një identitet, po të përbërë nga një shumështresore, varësisht nga faktorët, apo shënjuesit, që ndikojnë në kultivimin e këtij identiteti. Ndërkohë, pikërisht kjo shumështresore dhe ndryshueshmëri gjatë kohës, e bën edhe më të ndërlikuar matjen dhe studimin e identitetit. Fundja, kemi dhe në gjuhën shqipe thënien se “Njeriu më tepër i ngjan kohës dhe prindërve”. Po ashtu, identiteti është një ndjesi të themi abstrakte, po që rëndom përforcohet nga simbole të ndryshme, që në një pjesë të madhe janë konkrete. Pra, një ndjesi kjo që rrjedh si rezultat i konstruksioneve sociale e sidomos miteve, me vet identitetin, ndër këto konstrukte. Siç e përcakton edhe Maluf, “identiteti janë gjenet e shpirtit”. Kur jemi te shqiptarët dhe çështjet identitare, sidomos identitetin kombëtar, si një nga identitetet më të fuqishme, ka një sërë shënjuesish që e përcaktojnë atë. Sipas studimit, për respondentët, shënjuesit ose përbërësit dominantë janë kombi, gjithnjë në kuptim të etnisë dhe jo shtetësisë, i vijuar më pas me gjuhën, prejardhjen, dhe historinë. Ndërkaq, si më pak të rëndësishëm për identitetin, respondentët e konsiderojnë shtetësinë, territorin, dhe në fund, religjionin.

 Mendoni se Akademia e Shkencave po luan rol në atë që mund të quhet identitet shtetëror apo kombëtar?

Besoj po i referoheni Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Nëse po, atëherë do të merrja lirinë t’i referohesha edhe Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Shqipërisë. Kujtoj që në çfarëdo diskutimi mbi çështjet identitare qoftë në Kosovë apo Shqipëri, e posaçërisht në Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi dhe më gjerë, duhet një bashkë-pjesëmarrje dhe koordinim midis dy Akademive të Shkencave. Shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë nuk mund të quhen ajo që shkenca e njeh si “offshoot nations”: kombe, që formohen kur një segment i rëndësishëm i kombit është ndarë gjeografikisht nga grupi prindëror për një periudhë të mjaftueshme kohore aq sa ky i fundit të zhvillojë një ndjenjë të fuqishme e një vetëdije të ndarë. Siç po debatoja, tashmë me të ndjerin Ëalker Connor, një nga themeluesit e studimeve ndër-disiplinare mbi nacionalizmin, shqiptarët e Kosovës nuk mund të kategorizohen si të tillë, duke pasur parasysh që vetëdija kombëtare kishte vazhduar të ishte e njëjta edhe pas vitit 1912, dhe e cila kishte ushqyer më pas rilindjen kombëtare deri në çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Mund të diskutohet më tutje, sidomos gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë e deri në vitet e 90-ta, nëse kjo vetëdije kombëtare ishte kufizuar vetëm në territorin e Kosovës, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat gjendej Shqipëria në po të njëjtën periudhë, mirëpo që kjo pastaj përbën një diskutim tjetër. Për t’ju kthyer pyetjes, kujtoj që është i domosdoshëm një bashkërendim i prioriteteve dhe projekteve të të dyja Akademive sidomos në çështjet identitare, madje edhe një angazhim shumë më i madh në studimet shkencore të cilat më pas do të përktheheshin në politikat shtetërore të të dyja shteteve, por në ruajtje të identitetit të vetëm kombëtar. Dhe s’do mend që këto politika shtetërore, do të duhej të kishin në fokus të veçantë përpjekjet për shprehjen dhe ruajtjen e kultivimin e identitetit shqiptar të shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi dhe gjetiu.

 Ju personalisht, nga gjithë ky hulumtim, çfarë iu dha kënaqësi dhe çfarë ju dëshpëroi sa i përket ndjesisë identitare të atyre që intervistuat apo anektuat?

Si studiuese, nuk do të mund të përgjigjesha në mënyrë subjektive për studimin. Mirëpo, do të mund të theksoja sfidat që më kishin përcjellur gjatë studimit në fjalë. Një nga sfidat kryesore ishte sërish e lidhur me gjuhën. Pothuajse e gjithë literatura teorike për çështje identitare është në gjuhën angleze. Ka pak studime teorike, përjashto studimet e kohëve të fundit për identitetin shqiptar, në gjuhën shqipe për t’ju referuar gjatë këtij studimi. Gjithashtu, siç u përmend më lartë, terminologjia gjuhësore vështirëson studimin për identitetin kombëtar, dhe atë jo vetëm në gjuhën shqipe. Në anën tjetër, çfarëdo përpjekje për studime të identitetit kombëtar duhet të ketë parasysh antropologjinë, historinë, sociologjinë dhe psikologjinë sociale, të paktën gjatë shqyrtimit teorik. Megjithatë, në anën tjetër, ishin pikërisht këto sfida që shndërroheshin në motivim për t’i parë fundin studimit. Nëse flasim për pritjet, atëherë pohoj se hipotezat e ngritura që në fillim, janë testuar me sukses nga teza në fjalë dhe pritjet kryesisht përkojnë me këto hipoteza. Personalisht, kisha paramenduar që përgjigjet e respondentëve lidhur me ardhmërinë e Kosovës do të ishin ndryshe. P.sh., Një përqindje prej 40.2% të respondentëve janë të prerë për idenë që Kosova duhet të jetë e bashkuar me Shqipërinë. Duke pasur parasysh vrojtimet e përgjithshme, po edhe korrelacionet e mundshme me përgjigjet në pyetjet e mësipërme, kjo përqindje është pak befasuese. 27.5% ndërkaq të respondentëve konsiderojnë se Kosova duhet të jetë Republikë e pavarur, ndërkaq që madje 27% të respondentëve e shohin Kosovës me një të ardhme në Bashkimin Evropian. Ka dy mundësi të mëtutjeshme interpretimi: nëse marrim përqindjen e parë dhe në mënyrë përmbledhëse e analizojmë me përqindjen që e shohin Kosovën në Bashkimin Evropian, atëherë do të mund të përfundonim që Kosova në Bashkim Evropian mund të aspirojë për bashkimin me Shqipërinë, siç edhe është dëgjuar në diskutimet e matura të politikanëve dhe opinionistëve në Kosovës. Mirëpo, po kjo përqindje nëse analizohet në mënyrë përmbledhëse me përqindjen e atyre që e shohin Kosovës vetëm si Republikë e Pavarur, atëherë na del se përafërsisht 54.5%, pra një shumicë e lehtë e respondentëve, e shohim të ardhmen e Kosovës si të pavarur dhe me anëtarësi në Bashkimin Evropian. Në fund do të përfundoja, që shqiptarët e Kosovës nuk kanë dilemë lidhur me identitetin e tyre kombëtar. Në saje të gjuhës, prejardhjes së përbashkët dhe një kujtese kolektive të ruajtur përmes simboleve kombëtare (ku flamuri kombëtar dhe Himni i Flamurit akoma mbesin simbole dominante krahas simboleve shtetërore të Kosovës). Megjithatë, vërehet një trend në rritje e sipër të kultivimit të një identiteti shtetëror-civil, por jo “kombëtar” sipas përkufizimit të konceptit “nation-state”. Pra, derisa ekziston një krenari e shprehur “Kosovare” e që do të ishte e pritshme duke pasur parasysh sidomos periudhën që nga fillimi i viteve të 90-ta, luftën e fundit në Kosovë dhe shpalljen e pavarësisë, shqiptarët e Kosovës mbesin me identitet dominant shqiptar, në çfarëdo definim të fjalës. Diskutimi ndërkaq do të duhej të orientohej nga përkufizimet e sakta lidhur me kombin dhe shtetin dhe domethënien e tyre ne kontekste dhe raste të ndryshme. Jo të gjitha teoritë janë të zbatueshme në çdo rrethanë dhe është pikërisht kjo ajo që i bën studimet identitare më interesante dhe sfiduese.

admin

Artikujt e tjetrë