Intervista

Heronjtë e rinj janë ata që sfidojnë vështirësitë

_L3A8064 copy

Richard Lukaj ka lindur në Itali, si fëmijë i refugjatëve në një kamp refugjatësh në Capua, të ardhur nga ish-Jugosllavia (Mali i Zi). Familja  me kalimin e kohës ishte ndarë nga të afërmit e tyre shqiptarë, pasi kufiri midis Malit të Zi dhe Shqipërisë u zhvendos në jug kështu që ndau familjet shqiptare me kufirin e ri artificial. Familjet shqiptare të mbetura brenda Malit të Zi përjetuan diskriminim edukativ, ekonomik dhe të gjitha format e mundshme të diskriminimit institucional, që çoi të atin e Richardit, të kërkojë një mjedis më të mirë jetësor për të mbështetur familjen, por asnjëherë nuk kishin shitur asnjë pasuri në atdheun e tyre, duke pritur që një ditë të ktheheshin aty.  Pas ardhjes në jetë të Richardit, familjen e tij emigroni në SHBA dhe ai u  rrita në rrugët e vështira të Nju Jorkut në vitet ’70 dhe ’80, ku kaukazianët ishin pakicë. Duke qenë djali i madh i familjes, ai ishte i vendosur për të kontribuar në familje duke punuar në një moshë të re, pavarësisht kundërshtimeve të prindërve të tij.  Në moshën 13 vjeçare Richardi do të “paguante” mësimin e parë në biznes, duke ofruar shërbimin e tij tek mbledhësi fqinj i hedhurinave, disa dyer më poshtë nga ku jetonte familja Lukaj. Kishte rënë dakord me pronarin për të paluar grumbujt e panumërt të hedhurinave dhe për të pastruar mbeturinat nga oborri i tij. Megjithatë pas një jave pune shumë të vështirë, Richardi e përfundoi detyrën e tij dhe kërkoi ta takojë pronarin për të marrë pagesën për punën e kryer. Pronari i pagoi 5 dollarë, një shumë që e zhgënjeu Richardin, i cili pavarësisht kësaj e falënderoi pronarin dhe nuk punoi më për të. Kjo ishte një përvojë mësimi se në biznes duhet negociuar fushën e veprimit paraprakisht, në mënyrë që të mos ketë diskrepancë në pritje. Ai gjithashtu e bëri ta kuptojë faktin se jo të gjithë pronarët e bizneseve ishin njerëz të mirë, të ndershëm dhe meritonin për t’u besuar.  Pas këtij “mësimi të pakërkuar”, ai do të punonte tek një pronar i fabrikës që ndodhej në anën tjetër të rrugës dhe do ta paguante me një shumë 5-10 dollarë në ditë. Ndërsa më vonë atë verë do të punonte edhe në një restorant si pastrues, por në përfundim të verës, kishte tri përvoja të punës dhe një rritje të të ardhurave 80-100 dollarë në javë.  Kështu vazhdoi gjatë viteve, derisa iu ofrua pozita si menaxher i një kompanie të madhe amerikane të logjistikës, por atëkohë iu desh të shkëputej nga kolegji. Lukaj thotë se kurrë nuk kishte ëndërruar për një punë më të mirë në jetën e tij, por e ardhmja dhe studimi (edhe pse po i shtonte borxhet e tij për studimet) dukej si rrugë më e mirë.  I riforcoi përpjekjet për të vazhduar punën, por për të studiuar edhe më shumë, të cilat më në fund hapën rrugë, që nuk i imagjinonte asnjëherë. Ai është një nga avokuesit më të pasionuar të arsimit dhe etikës në punë.

Na flisni pak për raportet me vendlindjen dhe me shqiptarët në përgjithësi?

Që kur isha adoleshent, familja ime më ushqeu për trashëgiminë time shqiptare, e cila më pasionoi me vullnet qysh në moshë të re për të avokuar për të drejtat e shqiptarëve etnik, pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e Shqipërisë nga komunizmi. Dashuria ime për identitetin tim etnik dhe aspiratat e përgjithshme nuk ndryshojnë nga ajo e ndonjë shqiptari tjetër kudo. Vazhdoj të përpiqem për zhvillim intelektual dhe ekonomik, në të gjithë rajonin ku shqiptarët banojnë në shumicë, si dhe mbrojtje të barabartë sipas ligjit pa ndonjë formë diskriminimi të të gjithë shqiptarëve në territoret ku ata janë pakicë. Kërkoj dhe inkurajoj: konsolidim dhe koordinim / administrim më të mirë të burimeve të kufizuara institucionale për t’u shërbyer të gjithë shqiptarëve në Ballkan, për krijimin e industrive dhe bizneseve të reja, mundësi më të mira punësimi, zhvillim të tregtisë e veçanërisht në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, përmirësim të drejtësisë pa e sakrifikuar sovranitetin e kombit shqiptar, rritjen e sigurisë, kujdesin shëndetësor, arsimor dhe kulturor, si dhe mbrojtjen e mjedisit të bukur natyror kudo në territoret shqiptare pa cenuar një pëllëmbë katror të territorit. Edhe tani dëshirat dhe aspiratat e mia aktuale nuk ndryshojnë nga ato të ndonjë shqiptari tjetër, megjithëse ende mbeten të parealizuara në shumë mënyra dhe me shpresa që duken gjithnjë e më shumë të vyshkura, duke pasur parasysh improvizimet gjatë këtyre tranzicioneve jashtëzakonisht të gjata që nga rënia e komunizmit, pavarësisë së Kosovës, e në veçanti marrëveshjes së Ohrit. Shumë është sakrifikuar për këto arritje, por ndjehet se pak është përparuar që nga arritja e këtyre kulmeve historike, pasi që shumë njerëz vazhdojnë të largohen nga trojet për shkak të perspektivave të pakta në rajon. Duke thënë këtë, mendoj se shqiptarët duhet të çmojnë se është arritur shumë, se situata nuk është aq e errët se si e portretizojnë mediat dhe se ne duhet të mësojmë të numërojmë kolektivisht bekimet tona / festojmë arritjet tona dhe të kemi durim që përparimi të marrë rrënjë për të ndërtuar momentin për rritje të mëtutjeshme. Për më tepër, unë jam i sigurt se të gjithë politikanët nuk janë të korruptuar apo kriminelë dhe se njerëzit e mrekullueshëm po bëjnë sakrifica çdo ditë, ndërsa shumë të tjerë presin momentin e duhur për të dhënë kontributin e tyre, nëse mjedisi lejon hapësirë për ta.

Sigurisht që jeni një nga kontribuuesit më të mëdhenj të lobimit të çështjes së Kosovës në Amerikë, si e kujtoni sot atë kohë, vështirësitë që hasnit ju?

Besoj se ne, si shqiptarë, kemi dëshmuar se mund ta lëvizim qiellin dhe tokën për kauzat tona të drejta, siç ishte rasti me gjendjen tonë të vështirë për pavarësinë e Kosovës dhe lirimin e Shqipërisë nga tmerret e komunizmit. Megjithatë, përparimi në masë të madhe është ndërprerë pasi që vullnetarët, investitorët dhe përkrahësit e tjerë të ngazëllyer janë demoralizuar nga përfitimet e supozuara të zyrtarëve të ndryshëm dhe aleatëve të tyre, përqafimit të kriminalitetit në shoqëri, erozionit të arsimit e etikës, si dhe mungesës së heronjve / liderëve me vizion për të ardhmen. Mendoj se betejat tona të kaluara ishin kryesisht çështje të zeza dhe të bardha (shpesh për jetë a vdekje) sfiduese, por të kapërcyeshme. Tani ne jemi ndoshta më përgjegjës për fatin tonë, megjithatë nuk kemi qëndrim të konsoliduar brenda dhe jashtë, për aspiratat për të cilat e vlen të luftojmë. Është mirë që shqiptarët të reflektojnë mbi ambiciet e tyre dhe të pyesin veten nëse po bëjnë gjithçka që munden për një të ardhme më të mirë si dhe nëse po mbështesin njerëzit e duhur dhe institucionet që sakrifikojnë për një qëllim dhe të mirë të përbashkët, për të krijuar një komb më të unifikuar dhe reputacion të respektueshëm në mbarë botën.

_L3A5197 copy copy

Cili është opinioni juaj për Kosovën sot, arritjet dhe jo arritjet e saj?

Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë ndjek me vëmendje, kujdes dhe interesim të madh zhvillimet në rajon dhe më duhet të pranoj se herë pas here ndjehem i demoralizuar si gjithë të tjerët, por rifreskohem kur dëgjoj shpresat dhe ëndrrat e të diplomuarve tanë nga RIT Kosova / AUK dhe universitete të tjera, kur i shoh gjithnjë e më shumë artistët tanë shqiptarë të të gjitha lëmive në skena botërore, kur shoh përmirësimet që kontributet tona modeste kanë bërë me uljen e vdekshmërisë së foshnjave në rajon, por edhe të mos harrojmë se shumë gjëra duhet të inkurajohen gjithashtu. Mbajtja e perspektivës është kritike për të gjithë ne, që të mos lejojmë negativiteti të mbizotërojë apo të mpijë iniciativat tona për veprim.  Fatkeqësisht mediat në rajon shpesh kanë arritur të tregojnë shumë histori të errëta dhe akuza të shëmtuara duke mos inkurajuar një brez dhe na kanë lënë të mpirë, ndërkohë që ne vazhdojmë të durojmë efektet post-traumatike nga krizat e kaluara të ndërlidhura me mesazhe të pashpresa. Megjithatë, besoj fuqishëm se shumica e heshtur është ende shumë e mirë dhe mbetet e duruar dhe me shpresë se ditët më të mira janë përpara. Do t’i thërrisja që të informohen gjatë këtij cikli kritik zgjedhor në të gjithë territoret shqiptare dhe të marrin interesim aktiv në detyrën e tyre qytetare (që shtrihet përtej votimit të thjesht) dhe të punojnë më shumë drejt këtij vizioni afatgjatë duke avokuar për njerëzit, që nuk janë pjesë e errësimit të supozuar të korruptuar, por më tepër të ofrojnë një rrugë të qartë për ditë të ndritshme. Ne të gjithë ndoshta e kemi parasysh një citat të Ibrahim Rugovës, duke thënë se ai u përpoq të ishte një qiri në errësirë, duke u dhënë dritë atyre që kërkonin ta ndiqnin. Kam takuar shumë njerëz të shquar, që kanë sakrifikuar aq shumë për të parë ditë më të mira për shqiptarët. Lutem që ata të ngrihen për të siguruar paqen e sigurt dhe të begatë për shqiptarët, të mos kufizohen nga individë potencialisht të komprometuar e me dosje të trasha, që cenojnë interesat e Kombit në çfarëdo roli që ata shërbejnë.  Siç e dini, nuk jam partizan e as anëtar i asnjë partie politike në rajon. Kam punuar dhe kam ofruar për të bashkëpunuar me çdo administratë të zgjedhur nga populli në rajon, për tema me prioritet dhe me interes të ndërsjellë për dekada të tëra. Gjersa shikoj drejt pensionimit tim nga angazhimet e mia të gjera në mbarë botën, shpresoj që një kapitull më produktiv të bëjë një ndryshim – ndryshim që do të zgjasë për gjeneratën e ardhshme të shqiptarëve.

Një karrierë e suksesshme, një shembull për tu ndjekur nga të rinjtë, çfarë mësuat gjatë gjithë kësaj kohe ndërsa ngjisje shkallët e suksesit në një vend të madh si Amerika?

Me fillimin e globalizimit ka gjithnjë e më pak ndryshim midis SHBA-së dhe vendeve të tjera anembanë botës. Ekzistojnë kombet e qeverisura mirë dhe produktive dhe ato të qeverisura dobët e të varura. Vendet e vogla si populli shqiptar janë bekuar natyrshëm me aq shumë variabla qenësore për sukses, duke përfshirë edhe një shoqëri të gjallë rinore, por për fat të keq edhe interesa për marrëveshje të këqija, korrupsion dhe kriminalitetit, të cilat nëse lejohen të vazhdojnë të lulëzojnë, do të përkeqësojnë më tej rrethanat. Unë do t’i nxisja të rinjtë të kuptonin se rruga drejt suksesit nuk është e lehtë kudo (dhe emigrantët gjithmonë janë në disavantazh jashtë vendit), por mundësitë për ndërmarrje të suksesshme në rajon janë të pakufizuara. Megjithatë, publiku duhet të vlerësojë se rruga drejt suksesit në rajon është nga krijimi i bizneseve, jo nga punësimi në institucione qeveritare ose ndërmarrje shoqërore në bazë të asaj se “kë e njihni”, si në ditët e vjetra. Heronjtë e rinj janë ata që krijojnë kompani të suksesshme në rajon përkundër mundësive – shpërblimi do të jetë gjithashtu enorm për ata që avancojnë këto objektiva.

Cilat janë ambiciet apo planet tuaja për të ardhmen?

Planifikoj të vazhdoj të ofroj talentet dhe energjitë e mia për ata që ndajnë ëndrrat e mia për përmirësimin e kombit shqiptar, me shpresë, siç tha edhe Presidenti Klinton gjatë vizitës së tij në rajon, se, shqiptarët në rajon do të demonstrojnë se janë gati për ndryshim dhe të gatshëm për të bërë sakrificat e nevojshme për të krijuar një mjedis për pjesëmarrje konstruktive edhe nga të tjerët në atë ndryshim, që dëshirojnë me pasion të jenë pjesë e rilindjes/renesancës sonë të ardhshme.

A e vizitoni shpesh Ulqinin?

Vizitoj më shpesh kryeqytetet Shqiptare atë të Prishtinës dhe Tiranës, por ende i dua qytetet e lashta mistike të Ulqinit, Shkodrës, Prizrenit, Butrintit dhe të tjerat.

Na flisni pak për familjen tuaj?

Ndërkohë që kaloj shumicën dërrmuese të orëve të mia duke përkrahur biznesin tim, komunitetin dhe angazhimet filantropike, në një mënyre me ndihmën e gjysmës sime të mrekullueshme dhe të durueshme, jam edhe baba krenar i dy zonjushave të reja që ngadalë po rriten në gra të reja mahnitëse që më bën shumë krenar. Edhe ato duket se ndajnë dashurinë për tokën tonë të bukur të shqiponjave.

admin

Artikujt e tjetrë