Kulturë

Dritë mbi Gjon Milin

18401994_10213224654517159_9092737980063500507_o

Artistja, Suela Bako, në këtë intervistë shpalosë momente të rëndësishme nga përvoja e saj në skenë, çmimet e shumta dhe projektin e fundit, dokumentarin për fotografin shqiptar të njohur botërisht, korçarin Gjon Mili, titulluar “Dritë.”

 

Vetëm një muaj më parë, u shpërblyet me një çmim ndërkombëtar, mund të na zbuloni më shumë detaje për këtë përvojë?

Karriera ime artistike, siç unë e ndjej, sapo ka filluar, pasi në këndvështrimin tim, karriera fillon në momentin, që talenti apo puna konfirmohet. Mund të përmend çmimin e fituar me filmin tim të shkurtër DARKA, i cili u shpall filmi me i mire, ne Gjakova International film festival, ku realisht ndjeva, që po, do të ketë një karrierë dhe tani mund të them që po, karriera po funksionon. Nuk do të mendoja kështu nëse nuk do të kisha ngjitur shkallën e fundit, që ju përmendni, çmimin tim ndërkombëtar si aktorja më e mirë, në Graveyard competition, në Nashville International Film Festival, USA, për lojën time në rolin e Shpresës në Bloodlands, një produksion shqiptaro – australian, nga regjisori, Steven Kastrisios. Gjithsesi, unë besoj se asgjë nuk vjen rastësisht dhe nga hiçi. Jam prej vitesh e angazhuar në një lloj heshtjeje që më karakterizon, në film dhe teatër si aktore dhe kam një eksperiencë shumë të madhe si regjisore televizive. Së fundmi. Kam rreth 4 vjet që përpiqem në fushën e filmit si autore, e punët që kam bërë më japin besimin se mund të bëj më shumë, në të ardhmen. Jam munduar të bëj sa më mirë gjithçka kam pasur mundësinë të bëj, duke e rritur veten hap mbas hapi, me të vetmen moto që puna e ardhme duhet patjetër të jetë më e mirë, e më profesionale se ajo paraardhëse. Kështu karriera ime endet nëpër veprat, që kam në duar dhe me pak fat ajo mund të konsolidohet në çdo vepër më shumë.

 Një dokumentar për fotografin më famë botërore, korçarin Gjon Milin, pse?

Dokumentari ka ardhur si një ftesë nga Yllka Gjollesha, e cila, e kishte shumë për zemër realizimin e tij, pasi dhe e njihte figurën e Gjon Milit, ndërkohë, që unë kisha dëgjuar veç pak për të. Yllka më bëri propozimin dhe pasi u njoha me figurën e këtij novatori shqiptar, me karrierë të njohur ndërkombëtarisht, nuk mund të mos përfshihesha, si emocionalisht ashtu edhe artistikisht. Gjon Mili, është një figurë kaq komplekse, sa ne, edhe pse jemi përpjekur ta shpalosim sa më thellë, ka kaq shumë vlera sa herë pas here më duket si një pus nga ku mund të nxjerrësh në dritë fakte pa fund dhe në fund të atij pusi, sa më thellë shkon aq me pranë “arit”, që mbart thesari me veprën e tij, je.

Dokumentari, pati premierën para një jave, në Tiranë, pas premierës ndërkombëtare në NYIIFF, New York, International Indipendent film festival, dhe më pas në Korçë, në kuadrin e prezantimit të një projekti për realizimin e një muzeu në nder të tij. Premiera, më dhuroi kënaqësi pa fund, edhe pse e dija që kemi bërë një punë të mirë së bashku me Yllkën, kënaqësia që të dhuron projeksioni i madh ne një sallë kinemaje nuk ka të krahasuar. Jemi komplimentuar shumë për punën e kryer, dhe kjo bënë pjesë tek ai konfirmimi për të cilin ju fola më parë, e pa të cilin krijuesi është pak i çoroditur sepse një vepër në sytë e mi, bëhet për tu ndarë me të tjerët, e nëse të tjerët (përfshirë komunitetin artistik dhe publik i thjeshte) e vlerësojnë veprën, atëherë kënaqësia e procesit dyfishohet, duke futur në shportë dhe frytet e punës.

 Njohja më nga afër i këtij artisti çfarë do të thotë për ju personalisht?

Është një pasuri e madhe, një pasuri intelektuale, emocionale dhe shpirtërore, me të dhe fotot e tij, humbet në një realitet krejtësisht frymëzues e te një dimensioni tjetër, të paemër ende, një dimension i hapësirës, kohës dhe dinamikës (lëvizjes) i cili të lë pa frymë. Një karakter i spikatur, që nuk mund të ishte tjetër veç shqiptar, krenar, kryeneç, i vendosur. Një artist i tillë, që me modestinë apo me saktë “hijen” ku kish zgjedhur të punonte e jetonte, realizoi ato vepra novative, që sot pas rreth një shekulli, po marrin vlerën që u takon, në njeri vizionar, dhe një shpirt artistik i dimensioneve më të larta. Më frymëzon shumë, eseja që Sartre, ka shkruar për të dhe që një pjesë e mirë, është e vendosur në dokumentar dhe është mbresëlënëse, në mënyrën se si një njeri i madh e “lexon” veprën dhe karakterin e Milit…Një miku im tha se eseja e tij, është si një grup statement-esh për tu frymëzuar e për të krijuar skenarë të tërë dhe kjo e plotësoi akoma më shumë njollën e pashlyeshme, që më ka lënë krijimtaria Gjon Milit në botëkuptimin tim artistik.

 Si kanë qenë raportet e tij me atdheun?

Ah, Mili nuk ka qenë nga ata atdhetarët, që punonin për atdheun duke qenë prezent në publik. Ai ka bërë shumë për atdheun në mënyrën e tij. Ka bërë kaq shumë sa falë tij, për shqiptarinë si kombësi të tij, është folur në MOMA, revistën LIFE/TIME, ku ka publikuar veprat e tij më të rëndësishme, Shoqata atdhetare Vatra, ku ka dhënë kontributin e tij modest në disa vite tepër të rëndësishme për politikat e vendit, rreth viteve 20 të shekullit të kaluar. Në Universitetin e Inxhinierisë së Masaqusetsit, MIT, ai ka qenë pjesëmarrës në shpikjen e flashit/blicit, apo siç thuhet ndryshe dritës strobe, krah shpikësit Harold Edgerton. Duke e pohuar, gjithkund kombësinë e tij, ka bërë që atdheu nga përkiste të njihej përmes veprës së tij…Megjithatë, ai kurrë nuk mundi të kthehej në atdhe. Rreth viteve 50-ta, kur kërkoi të vijë në Shqipëri, viza iu refuzua nga shteti shqiptar dhe nëse do të kishte ndodhur ndryshe, mbase raportet e tij me vendin e tij, do të kishin qenë të tjera, por është fati ai që në njëfarë mënyre përcakton raportet, apo jo?!

 Keni menduar ta promovoni edhe në Kosovë, këtë dokumentar?

Unë e kam menduar në fakt, por duhet menduar më gjerë, nuk di si pjesë e një projekti apo nuk di si. Jemi duke punuar me Yllkën që dokumentari të shëtisë nëpër disa festivale, por patjetër që edhe Kosova do të jetë në rrugëtimin e dokumentarit. Gjon Mili, na përket të gjithëve dhe më e pakta që mund të bëjmë për të është të hapim fjalën se sa i madh ishte ai. Vepra e tij e dëshmon më së miri këtë. Dokumentari gjithashtu, duke pasur pohime nga bashkëkohës, fotografë shumë të njohur të kohës dhe studiues shumë të rëndësishëm të fushës së fotografisë, dëshmojnë vlerat e këtij shqiptari të madh. Gjej rastin të falënderoj Yllka Gjolleshen, që më bëri pjesë të kësaj sfide-njohjeje!

admin

Artikujt e tjetrë