Gruaja

Shoqëria kosovare po ndërron qëndrimet dhe praktikat rreth të drejtës së grave në pronë

19957076_1418955048188945_2131228388855872178_o

Kosova në të kaluarën kishte një sistem të pastër patrilineal të bartjes së trashëgimisë tek pasardhësit, që do të thotë se tradicionalisht prona bartej vetëm tek pasardhësit burra. Ky zakon është bartur me inercion edhe në kohën e sotme për shkak të paternalizmit të vlerave nga burrat. Duke qenë se në të kaluarën bartja e trashëgimisë bëhej vetëm tek pasardhësit burra dhe duke qenë se kryesisht prona fitohej si rrjedhojë e trashëgimisë, kjo ka ndikuar që si pasojë të kemi një numër të vogël të grave që kanë pronë.

Mirëpo, sipas studimeve të bëra së fundi nga USAID-i në Kosovë[1], rezulton se qëndrimet dhe praktikat rreth të drejtës së grave në pronë po ndërrojnë dhe se zakoni i bartjes së trashëgimisë vetëm tek burrat ka filluar të humbas popullaritetin në shoqëri.

Më saktësisht, gjetjet nga këto hulumtime tregojnë për gati një dyfishim të numrit të grave që trashëgojnë pronë, brenda një periudhe prej dy vitesh. Nga vetëm 3.8 përqind të grave që kishin pronë të trashëguar në vitin 2015, ky numër është rritur në 7.5 përqind në vitin 2017[2].

Sipas po të njëjtit studim, ndryshimi kryesisht vjen si rrjedhojë e fushatës informuese të udhëhequr nga Programi i USAID-it për të Drejta Pronësore, si dhe diskutimeve publike për ndryshim të infrastrukturës ligjore në favor të barazisë në këtë fushë.  Si rezultat i fushatës së bërë nga ky Program i USAID-it , fushatë kjo e cila ka pasur shtrirje tek 76 përqind e ekonomive familjare në Kosovë, përqindja e njerëzve që kanë deklaruar se i përkrahin të drejtat e barabarta në pronë për gratë dhe burrat është rritur nga 64 përqind sa ishte në vitin 2015, në 73 përqind në vitin 2017. Ka pasur poashtu një rritje të përqindjes së njerëzve që tashmë kanë njohuri mbi të drejtat e tyre pronësore prej 27 përqind në vitin 2015, në 51 përqind në vitin 2017, e në veçanti, 23 përqind më shumë e grave tanimë kanë njohuri mbi të drejtat e tyre pronësore.

Hana2

Në parim, njohuritë mbi një çështje ndikojnë që të braktiset mendimi stereotipizues dhe të krijohen parakushte për mendimin e mbështetur në fakte. Nga faktet më bindëse për rrëzimin e stereotipeve mbi relacionin grua –pronë mund të jetë se 9 përqind e grave kanë arritur që të blejnë pronë. Kështu, numri i grave me një apo më shumë prona në emrin e tyre është rritur nga 18 përqind në vitin 2015 në 20 përqind në vitin 2017.

Ndryshimi  i zakoneve dhe praktikave kulturore është një proces i natyrshëm dhe i pashmanghëm për çdo shoqëri. Qëndrimet, besimet, idetë, zakonet, dhe praktikat kulturore janë të gjitha produkt i mendjes së njeriut, pra janë konstrukte sociale. Zakonet burojnë nga nevoja e shoqërisë për të rregulluar ndërveprimin midis njerëzve dhe për të krijuar stabilitet social. Por, në procesin e zhvillimit të çdo shoqërie disa zakone dhe praktika kulturore e humbin funksionin e mëparshëm dhe rrjedhimisht duhet të zëvendësohen. Nuk ka asnjë dyshim se tanimë zakoni i bartjes së trashëgimisë vetëm tek burrat është një zakon që ka humbur çfarëdo funksioni që mund të ketë pasur në të kaluarën. Çfarëdo përpjekje për ruajtjen e një zakoni të tillë, në kontekstin e sotëm social, shpie te fenomeni i njohur si “ndërgjegje e dyfishtë”, që nënkupton se një individ njëkohësisht ka besime dhe qëndrime që janë kontradiktore mes vete.

Së fundi, hulumtimet e Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore japin indikacione të bazuara se numri i grave që do të kenë pronë në emrin e tyre do të rritet me një ritëm të shpejtuar. Me një trend të tillë do të krijohet terreni i përshtatshëm social që barazia në pronë e burrave dhe grave të shndërrohet në vlerë dhe zakon.

Driton  Zeqiri, Specialist për Monitorimin dhe Vlerësim tek Programi i USAID për të Drejtat Pronësore, Korrik, 2017

 

[1] Studimi Nacional Afatmesëm për të Drejtat Pronësore në Kosovë

[2] Në këto hulumtime është llogaritur si grua që trashëgon vetëm ajo grua që ka patur në posedim pronën e trashëguar dhe të regjistruar në regjistra kadastral.

admin

Artikujt e tjetrë