Kulturë

Shkodra ….ekrani i artit

Një ftesë për art kush mund ta bëjë tjetër veçse qyteti i Shkodrës, një fundjavë ku kryefjalë do të jetë kinemaja. Art House organizon festivalin e filmit “Ekrani i Artit”, koordinatorja Tea Çuni sjellë ekskluzivisht detajet dhe risitë e këtij eventi të rëndësishëm.

 tea

 Së pari a mund të na tregoni si lindi festivali i filmi Ekrani i Artit?

Festivali i filmit “Ekrani i  Artit” vjen në Shkodër si një bashkëpunim i Art House, hapësirës për art bashkëkohor të artistit Adrian Paci dhe organizatorëve të festivalit në qytetin e Firences. Ky organizim sjell formulën e Lo Schermo dell`Arte, një festival ndërkombëtar filmi që organizohet që nga 2008 në qytetin e Firences (Itali) në bashkëpunim me institucione kulturore, qendra për artin, akademi  e universitete italiane e ndërkombëtare. I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet mes artit bashkëkohor dhe kinemasë, në të prezantohen çdo vit filma, dokumentarë mbi artin bashkëkohor të shoqëruar me instalacione video, takime me artistë e kuratorë, rezidenca për artistë ndërkombëtare, produksione dhe shpërndarje të filmave. Edicioni i parë i këtij festivali, i mbështetur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Instituti Italian i Kulturës Tiranë, Qendra Rinore Arka Shkodër, sjell në Kinema Millennium filma që janë prezantuar ndër vite në Lo Schermo dellArte. Mysafirë të Art House në këtë organizim do të jene Silvia Lucchesi, drejtoreshë e festivalit dhe Leonardo Bigazzi, kurator i programit VISIO European Programme on Artists Moving Images, një projekt për video artistëve të rinj i cili që nga viti 2012, organizohet në të njëjtën kohë me Festivalin e Filmit.

Na flisni pak për programin artistik të festivalit?

Programi i festivalit parashikonin projeksionin e gjashtë filmave në kinemanë e vetme të qytetit, Kinema Millennium, në  fundjavën e datave 7-9 korrik me dy projeksione në ditë: i pari pasdite orën 17 ndërsa i dyti  në darkë në orën 20. Ditët e festivalit, krahas projeksioneve të filmave, do të shoqërohen edhe nga post fest-i, me takime dhe diskutime mbi filmat e prezantuar pranë Qendrës Rinore “Arka”.
Krahas tyre, kuratori i projektit VISIO Leonardo Bigazzi do të organizojë takime individuale me artistë të rinj shqiptarë që punojnë në fushën e video artit të cilët do të përmbyllen nga një prezantim që kuratori do i bëjë punimeve të lindura në kuadër të këtij projekti ndër vite.

 Sa i përket pjesëmarrjes gjeografike të artistëve, nga cilët vende marrin pjesë?

Filmat e përzgjedhur janë të artistëve, regjisorëve, kuratorëve me famë ndërkombëtare  si artisti shqiptar me famë ndërkombëtare Anri Sala, regjisori britanik fitues i BAFTA Television Award Chris King, regjisorja dhe gazetarja gjermane Daniela Schimdt-Langels, drejtori kreativ i BBC Jack Cockers, kuratorja Susan Collins e “Art21,” një mini seri rreth artit bashkëkohor e realizuar në SHBA vlerësuar me George Foster Peabody Award e cila na vjen në një bashkëpunim me Charles Atlas, regjisor fitues i Best Documentary Award në Dance Screen- Monaco. Ndër emrat e mirënjohur të këtij festivali është edhe regjisori brazilian Marco del Fiol, i cili i ka kushtuar dhjetë vitet e fundit të karrierës së tij, trajtimit të veprimtarisë së artistëve më të rëndësishëm të artit bashkëkohor si  Marina Abramović, Isaac Julien e Olafur Eliasson. Ky i fundit do të paraqitet në festival. Dy ditët e para të festivalit do të paraqiten filma që e lejojnë publikun të njihet me jetën dhe krijimtarinë e artistëve me kontribute të rëndësishme në fushën e artit bashkëkohor si Meret Oppenheim, Olafur Eliasson, Damien Hirst, William Kentridge ndërsa dita e fundit do të përmbyllet me dokumentarin “Turning the Art World” rreth outsider art  i realizuar ng Jack Cockers, drejtor kreativ i BBC si dhe “1395 Days Without Red” i artistit shqiptar Anri Sala, i inspiruar nga  atmosfera e tensionuar që ecën paralel me dëshirën për liri të mëshiruar nga personazhet e njërës prej 1395 ditëve të rrethimit të Sarajevës nga 1992-1996. Ky është edhe imazhi që kemi përzgjedhur për posterin e eventin.

 Çfarë do të thotë ky event për  Shkodrën dhe kulturën në përgjithësi?

Një event i tillë i organizuar në Shkodër ka një rëndësi të veçantë për  qytetin që e lindi kinemanë në Shqipëri- kujtojmë shfaqjet e para filmike në shtëpinë e artistit Kol Idromeno në fillim e shekullit XX- por që sot nuk ka kinema, ose e thënë ndryshe, ka një godinë kinemaje jofunksionale ku organizohen herë pas here evente të natyrave të ndryshme. Përzgjedhja e kësaj hapësire -Kinema Millennium në qendër të qytetit- nuk është rastësore e vjen si një ftesë për të ringjallur nga njëra anë një traditë të vjetër të qytetit dhe nga ana tjetër për të theksuar rëndësinë e filmit një jetën kulturore të një qyteti, jo vetëm si një mënyrë alternative për të kaluar kohën, por edhe si një moment diskutimi, reflektimi dhe hapjeje ndaj një komuniteti artdashës e të apasionuar pas kinematografisë. Një thirrje e tillë vlen për Shkodrën e jo vetëm.

admin

Artikujt e tjetrë