Letërsi

Sa libra do të lexojmë këtë verë?

unnamed

Nga Eni Myrtollari

Në fillim të kësaj vere, duke lundruar në rrjetin e librave Goodreads, më doli përballë një sfidë: Summer Reads, në të cilën, ky komunitet i madh “bukinistësh” grishte anëtarët e saj të lexonin sa më shumë libra në ditët e nxehta të 2017-s. E pranova sfidën dhe përzgjodha librat që kam ndër mend të lexoj, faqe për faqe, në plazh, pasditeve, të gjitha botime të Shtëpisë Botuese DITURIA.
Romancë, romane historike a histori të vërteta, këta janë titujt:
ANA BOLENA, NJË ÇËSHTJE FAMILJARE: pas romanit të parë Salla e ujqërve, pjesë e trilogjisë së Tomas Kromuellit, Hilary Manteli sjell vazhdimin e historisë së Ana Bolenës, që duhet ta lexoj me çdo kusht. Kanë kaluar shtatë vite nga martesa e tyre, por Ana nuk po i jep dot Henrit trashëgimtarin që i ka premtuar, ndaj mbreti ka nisur t’ia hedhë sytë vajzës së vogël të Sejmurëve, Xhejnit. Është edhe ai, Tomas Kromuelli, më i pushtetshëm se kurrë, që pret vetëm një shenjë të mbretit për ta rrëzuar. Dhe rrëzimi i saj vjen, sepse kjo është bërë një çështje familjare.
5 ★★★★★

Me të dalë në librari, mora romanin më të fundit të shkrimtares spanjolle Julia Navarro, QËLLO, TASHMË JAM I VDEKUR, përkthyer nga Flavia Kaba. Julia Navarro rrëfen aventurën epike të dy familjeve të destinuara për t’u përballur përmes tradhtive, vuajtjeve, dashurive të pamundura dhe ëndrrave të prera në mes, duke na dhënë historinë intensive dhe prekëse të dy burrave kurajozë që ditën të kapërcenin dallimet politike e fetare falë miqësisë së tyre të pashembullt. Duke dashur të rindërtojë një puzzle, Ezekiel Zukeri i tregon gazetares Mariana historinë e familjes, duke filluar nga fundi i shekullit XIX, kur, gjatë periudhës cariste, familja Zuker u dëbua nga Rusia. Në një kontekst historik të ndërlikuar dhe të veçantë në llojin e vet, në një udhëtim që na çon nga Shën Petërburgu në Jerusalem, 648 faqet e këtij romani të mrekullueshëm të rrëmbejnë!
5 ★★★★★

NJË FAMILJE THUAJSE E PËRSOSUR Jane Shemilt. Titulli është ftues, ashtu edhe historia. Libri i duhur për të freskuar disi ditët e verës! Vajza e një çifti mjekësh zhduket papritmas. (E kanë rrëmbyer, vrarë apo është larguar nga shtëpia me dëshirën e vet, si një adoleshente rebele?) Kjo ndodhi do të sjellë krisje të tjera, që nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të nxjerrin në dritë të fshehtat e familjes së tyre thuajse të përsosur.
4.6 ★★★★★

VAJZA DANEZE, David Ebershoff. Një histori e mrekullueshme dhe një udhëtim i jashtëzakonshëm drejt gjetjes së identitetit, të vetvetes, kjo është historia e vërtetë e piktorit danez Einar Vegener, transgjinorit të parë. Nuk ka për të qenë një rrugëtim i lehtë për Einarin, por ai ka pranë bashkëshorten dhe miqtë. I gjithë shkëlqimi i viteve ’20 në Parisin, Dresdenin dhe Kaliforninë plot diell, jepet nëpërmjet mjeshtërisë së penës së Ebershoffit.
4. 5 ★★★★★

UDHËTIMI I ÇUDITSHËM I NJË SENDI TË HUMBUR, Salvatore Basile. Deti është i trazuar dhe flamujt e kuq valëviten në plazh. Mikeli i vogël ka vrapuar me sa i hanë këmbët për t’u kthyer shpejt nga shkolla, por kur çel derën e shtëpisë, gjen të ëmën përballë një valixheje të hapur. Ajo mban në duar ditarin e fshehtë të Mikelit. Kanë kaluar njëzet vjet që atëherë. Mikeli ende jeton në shtëpinë e vogël brenda në stacionin e trenit. Në trup, uniforma e punonjësit të stacionit, që dikur i përkiste të atit. Në sytë e tij, një trishtim i pafund, i thellë dhe i largët. Sepse e ëma nuk u kthye kurrë. Mikeli dëshiron të jetojë vetëm, në shoqërinë e sendeve të humbura që gjen çdo ditë, në trenin e vetëm që kalon andejpari. Sepse sendet nuk kanë këmbë të largohen, i mbajnë premtimet, nuk të braktisin.

udhet
4.3 ★★★★★

BINJAKJA E HESHTUR, S. K. Tremayne. Një triller i shkruar shumë mirë, që mund të lexohet brenda një nate vere. Sara dhe Engusi kanë humbur njërën prej vajzave të tyre binjake në një aksident, por nuk është kjo më e keqja. Bota u shembet nën këmbë, kur binjakja që është gjallë u thotë se kanë ngatërruar identitetin e saj. Cila prej tyre ka vdekur vërtet, Lidia apo Kirsti, dhe pse gjithë kjo ngatërresë? Duhet ta lexoj!
4.3 ★★★★★

VIRGJËRESHA HOLANDEZE, Marente de Moor. Këtë libër dua ta lexoj për shumë arsye. Personazhi kryesor, adoleshentja Jana, është një skermëtare e talentuar. Pak kam dëgjuar për këtë sport, ndaj ky është libri i duhur. Një romancë gjermanike në vigjilje të Luftës dhe një libër për kufijtë, miqësitë e vjetra dhe dashurinë, ka thënë vetë autorja në prezantimin e librit, kaq mjafton…
4.7 ★★★★★

VAJZA E MJALTIT dhe SHTEGU I PARFUMEVE, dy romanet e mrekullueshme të Cristina Cabonit, që sjellin përherë freski. Librat e shkrimtares shumë të dashur italiane rrokin gjithë shpirtin e saj: një njeri që pëlqen lulet, parfumet, natyrën dhe bletët. Mjalti i livandës mund të qetësojë një shpirt të trazuar, sikurse ai i akacies mund të kthejë buzëqeshjen. Dhe Anxhelika di gjithmonë të gjejë mjaltin e duhur për këdo, është dhuntia e saj e veçantë, ashtu siç Elena di të gjejë lulet e duhura për të krijuar parfumin ideal. Historia e Elenës, e cila përhumbet në botën aromatike të luleve dhe ajo e Anxhelikës, që e ndien veten të sigurt vetëm mes bletëve, do të jenë romanet e duhura për ditët e plazhit. 4.8 ★★★★★

Kjo është vera ime e leximeve!

admin

Artikujt e tjetrë