Intervista

Rruga e shkronjave “të harruara”

Evetari01

Edon Muhaxheri një i ri nga Prishtina, bursist i programit Fullbright në Maryland Institute College of Art, na ka bërë të ndihemi krenarë për trashëgiminë, kulturën e gjuhën tonë shqipe. Vetëm para pak kohësh në Baltimore të Amerikës, ai shpalosi alfabetin e parë të gjuhës shqipe të Naum Veqilharxhit, në një ekspozitë me rastin e  prezantimit të temës së diplomës. Një subjekt i përzgjedhur jo rastësisht nga Edoni, duke qenë se hulumtimet dhe gjetjet e tij janë të një rëndësie të veçantë për gjuhën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi dhe ishte babai i tij i ndjerë, që nuk kishte arritur t’i botonte gjetjet e hulumtimet e tij, e që kishin nxitur Edoni të fokusohej më shumë rreth kësaj çështjeje.

Ai në Baltimore ka ikur në vitin 2015 për të studiuar në programin Master of Fine Arts in Illustration Practice, në një nga universitetet më prestigjioze, Maryland Institute College of Art (MICA). Ndërsa më herët ka qenë pjesë e një prej kompanive të dizajnit e marketingut në Kosovë, ku ka realizuar punë të ndryshme, një ndër to ilustrimin e maskotës së Tifozëve Kuq e Zi. Në këtë intervistë na zbulon më shumë rreth punës, studimeve dhe pse pikërisht një subjekt i tillë për ta mbrojtur temën e diplomës si dhe për vazhdimin e qëndrimit të tij në Maryland, tashmë si ligjërues pranë këtij institucioni të rëndësishëm akademik.

Një punim diplome, i cili nxori në pah një alfabet gati- gati të harruar, pse kjo zgjedhje nga ana juaj?

Qëllimi im në SHBA asnjëherë nuk ishte vetëm studimi për master. Unë jam këtu për ta përfaqësuar dhe popullarizuar kulturën, vlerat, dhe historinë shqiptare; për të krijuar miqësi dhe lidhje të reja me njerëz nga e gjithë bota, dhe në veçanti me amerikanë. Si artistë ne mund të ankohemi që kultura shqiptare nuk është trajtuar sa duhet nga arti, ose mund ta shfrytëzojmë gjithë atë material të pashfrytëzuar që e kemi për të krijuar vepra shumë origjinale. Unë këtu u përqendrova në studimin e automatonëve. Krijimi i këtyre mekanizmave artistikë e kishte arritur kulmin në vitet 1700 e 1800. Një prej automatonëve më kompleks ishte automatoni proto-robotik që shkruan. Nëse lexuesi e ka parë filmin Hugo (2011) të Martin Scorseses, e kupton për çka e kam fjalën. Unë vendosa që ta sfidojë veten në ndërtimin e një automatoni që shkruan, dhe si ilustrues mua më duhej ta paraqisja punën time në formë narracioni. Pra, ndërtimi i një automatoni,që shkruan nuk mjaftonte pa pasur një tregim në prapavi. Për fillim kisha vendosur që automatoni im patjetër duhej të shkruante në gjuhën shqipe, e meqenëse po punoja një vepër që historikisht ishte në modë në Evropën e viteve 1800, vendosa ta lidh me botimin e Abetares së parë shqipe (1844). Deri në këtë pikë, qëllimi i punës sime ishte përkujtimi dhe kremtimi i punës së Naum Veqilharxhit. Befasia e madhe që Naumi abetaren e parë shqipe, Ëvetarin, e kishte shkruar me qëllim të promovimit të një alfabeti unik dedikuar gjuhës shqipe, më priste tek pas fillimit të hulumtimit.

Sa ka qenë i vështirë një hulumtim i  tillë për ju?

Hulumtimi si proces nuk ishte diçka e re për mua. Kam pasur fatin të jem nxënës i Julie M. Kolgjini në Universitetin Amerikan në Kosovë (ish AUK, tani RIT Kosovo). Ajo e shpjegon hulumtimin dhe argumentimin sa nuk ka më bukur. Hulumtimi për materiale konkrete, në anën tjetër, ishte lojë fati. Është për keqardhje sa pak e trajtojmë kulturën tonë. Neglizhenca e alfabetizimit dhe dokumentimit të kulturës është një e metë që na ka kushtuar dhe po na kushton shumë – edhe me jetë njerëzish. Dyqanet e librave shqip nuk kanë mjaft materiale. Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” nuk ka as uebfaqe me botimet që i posedon. Informatat për Naumin dhe Ëvetarin i morra kryesisht nga punimet e Karl Faulmann e Robert Elsie. Gjystina Cacaj Shushka kishte studiuar dhe shkruar për veprën e Naum Veqilharxhit, por veprat e saj nuk i gjeta në internet e as në shitje tek botuesi. Për kopjen origjinale të Ëvetarit më duhet t’i falënderohem drejtuesit të Muzeut Kombëtar të Arsimit – Mësonjetorja e Parë Shqipe, në Korçë, Niko Kotherja. Origjinali i botimit të parë (1844) të Ëvetarit ka qenë burim i pazëvendësueshëm në studimin e alfabetit Vithkuqi (siç e ka emëruar autori) dhe përpunimit digjital të tij. Në pamundësi për ta studiuar më hollësisht jetën e Naumit, unë e ktheva thjerrëzën e hulumtimit në kronologjinë e ngjarjeve, që sollën deri tek iniciativa e tij. Më saktë, unë hulumtova sipërfaqësisht udhën e shkronjave fenikase, greke, etruske, latine, e sllave dhe u mundova ta kuptoj pse shkronjat shqipe nuk ishin përpiluar deri në momentin kur pa to na rrezikohej ekzistenca kombëtare, ose së paku ekzistenca e një shteti komb. Për këtë pjesë të punimit tim diplomik i referohem materialeve autentike nga Apollodorus, Michael Attaleiates, Constantine VII Porphyrogenitus, etj., studimeve shkencore nga Aleksandar Stipčević, John Ëilkes, etj., enciklopedive të ndryshme, si dhe të dhënave nga institucione relevante.

evetari_edonmuhaxheri08

Cilat janë disa nga gjetjet tuaja?

Babai im i ndjerë, Sabahajdin Haki Muhaxheri, ka shkruar një libër, që nuk ka arritur ta botojë. Ai kohën më të madhe të jetës ia ka kushtuar hulumtimit të lidhjeve mes ilirëve dhe shqiptarëve. Unë sot nuk mund ta imagjinoj se si ai i ka nxjerrë gjithë ato përfundime pa pasur qasje në internet, pa qasje në librari të mirëfillta dhe pa udhëtuar jashtë shtetit. Këtu në Amerikë unë kisha vetëm disa prej dorëshkrimeve të babit, që i kisha digjitalizuar vite më parë. I shfrytëzova ato si pikënisje për të hulumtuar ndodhitë, që i paraprinë krijimit të vonshëm të një sistemi të shkrimit shqip. Babi i referohej literaturës botërore, e për fatin tim të mirë, Amerika është vendi më i përshtatshëm në botë për qasje në libra. Gjatë hulumtimit unë rikonfirmova përfundimin e babit se nuk ka asnjë dyshim, që ilirët dhe shqiptarët janë të njëjtit. Mendoj se të parët tanë e shihnin shkrimin si diçka greke, dhe kjo mund të ishte arsyeja pse ata flisnin shqip, e shkruanin greqisht. Gjithsesi duhet kujtuar se përgjatë gjithë historisë shumica e njerëzimit ishte analfabete, pra shkrimi nuk ishte diçka e zakonshme siç është sot. Sipas të dhënave të para për alfabetizëm, në vitin 1800 vetëm 12% e popullsisë botërore dinin shkrim e lexim. Në ndërkohë kishte edhe individë shqiptarë që kishin shkruar në shqip me alfabete e sisteme shkrimesh të huaja, dhe Pal Engjëlli (Formula e Pagëzimit, 1462) nuk ishte i pari. Theodor Shkodrani ka shkruar shqip që në vitin 1210, një gjetje kjo (e vitit 1998 në Vatikan, jo e imja) që duhet t’i përditësojë librat tona shkollore. Gjatë hulumtimit për alfabetin e Naumit mësova se shqiptarët kishin tentuar të krijonin më shumë alfabete origjinale që nga mesi i viteve 1700, shtatë sish më saktë, por për mua alfabeti i Naum Veqilharxhit paraqiste një rëndësi të veçantë për faktin se ai ishte përpiluar me qëllim për tu zyrtarizuar si alfabet i të gjithë shqiptarëve. Vetë alfabeti Vithkuqi përmban elemente të alfabeteve të huaja, por është i veçantë si tërësi dhe me të shkruhet e lexohet vetëm shqip. Origjinali i Naumit përmban 33 shkronja. Unë kam përdorur elemente tipografike të autorit për t’i shtuar 3 shkronjat e munguara, në mënyrë që ky shkrim të jetë i shfrytëzueshëm në gjuhën e sotme shqipe. Pa dyshim, përdorimin e tij në të ardhmen e shoh rekreativ dhe jo zyrtar. Ëvetari përdor gjuhën greke për referencë sepse pa një gjuhe të dytë referente, mësimi i një sistemi të ri shkrimi do të ishte gati i pamundshëm. Hulumtimin dhe dokumentimin e plotë të punimit diplomik do ta botoj në muajin e ardhshëm. Fontet digjitale do t’i shpërndaj falas.

Çfarë përfaqëson për ju figura e Naum Veqilharxhit?

Unë në Naum Veqilharxhin shoh personin më meritor që shqiptarët sot janë komb, dhe jo një kombësi minoritare e paorganizuar. Naumi ishte i ri në moshë kur e vërejti se bindjet nacionaliste të Napoleon Bonapartes do të jehonin për shumë gjatë. Ai e kishte kuptuar mirë se pa shkrim të gjuhës, shqiptarët nuk do të mund të kishin shtet kombëtar. Si rrjedhojë shqiptarët do të përfundonin ashtu siç gati përfunduam tërësisht, të shpërndarë nëpër shtete të huaja, pakica kombëtare pa shtet amë. Naumi ishte një shkollar dhe vizionar i rrallë. Ambicioz, aq sa besonte se mund t’i jepte formë një kombi të tërë. Na mbetet vetëm të imagjinojmë se çfarë veprash tjera do të sillte në jetë pas alfabetit dhe dy botimeve të Ëvetarit, po të mos helmohej dhe t’i ndalej vepra në gjysmë. Përndryshe Naumi vinte nga një familje me ndikim në Vilajetin e Ali Pashë Tepelenës dhe pas shpërnguljes në Rumani ai u bë njeri i pasur. Kishte mundësi të jetonte i qetë dhe të bënte qejf me të ardhurat që kishte, por ai vendosi t’ia përkushtonte jetën një ideali. Përkushtimin e tij e kam model.

Keni studiuar në një nga shkollat më prestigjioze të artit në Amerikë, cilat janë ambiciet tuaja për të ardhmen?

Shkolla prej të cilës po diplomoj edhe zyrtarisht, më ka ofruar punë si ligjërues. Me kënaqësi e kam pranuar këtë ofertë. Mendoj që vazhdimi i qëndrimit tim në këtë ambient akademik kaq frymëzues e produktiv do t’i bëjë mirë formësimit tim të mëtutjeshëm artistik dhe intelektual. Qëllimet e mija për t’i kontribuar shoqërisë shqiptare nuk luhaten. Përkundrazi, mendoj ta shfrytëzoj këtë pozitë për të bërë më shumë punë në atë drejtim. Shpresoj në përkrahje dhe bashkëpunim të ndërsjellë me artistë tjerë shqiptarë.

admin

Artikujt e tjetrë