Gruaja

A jemi emocionalisht intelegjentë?

18274755_10208606975482931_7749915534064568598_n

Nga Arjeta Spahiu

Sigurisht gjatë eksperiencës suaj keni hasur në individ të cilët “e kanë situatën nën kontroll”, dinë se si t’i kontrollojnë emocionet e tyre si dhe dinë t’i menaxhojnë emocionet e të tjerëve. Kjo shkathtësi njihet si Inteligjencë Emocionale (EI). Shumë kërkime akademike kanë vërtetuar se EI është më e rëndësishme se IQ (Intellgence Quotient) kur kemi të bëjmë me udhëheqjen e individëve dhe krijimin e raporteve. Është ai “radari” i një personi kur në momentin e duhur dhe në kohën e duhur është i aftë të thotë ose bëjë gjënë e duhur për menaxhimin e situatës apo individëve. Individët me EI të lartë janë influencues dhe jashtëzakonisht të këndshëm, pasiqë shkalla e lartë e empatisë i mundëson detektimin e ndjenjave të tjetrit dhe “teleportimin” emocional “në këpucë e tjetrit”. S’do mend pra kur themi se i kemi dy mendje: atë që mendon dhe atë që ndjenë!

Sipas psikologut Daniel Goleman ekzistojnë 5 elemente që përbëjnë EI-në: Vetë-dija, vetë-kontrolli, motivimi, empatia dhe shkathtësitë sociale.

Vetë-dija është aftësia e njohjes së emocioneve tua në momentin e tanishëm. Ngritja e vetë-dijes arrihet me njohjen e vetes në nivel më të thellë (njohja e fuqive dhe dobësive tua), duke i shqyrtuar kufizimet, paragjykimet, vlerat, principet personale – me një fjalë shtytësit psikologjik që i keni zhvilluar gjatë eksperiencës suaj jetësore.

Vetë-kontrolli është shkathtësia e menaxhimit të emocioneve në momentin kur ato shfaqen. Është më e lehtë për tu thënë se për tu bërë, pasiqë është ajo lufta në mes logjikës dhe emocioneve, dhe me të drejtë thuhet se kur emocionet marrin kontroll, logjika fle. Për shembull: nëse mllefoseni për ndonjë veprim apo mos-veprim të tjetrit, eksplorimi i vetë-dijes ju bën të jeni me koshient se cilët janë ata shtytësit (triger points) që ju bëjnë të ndjeheni jashtë kontrollit. Nëse arrini të evidentoni dhe menaxhoni këta shtytës psikologjik në momentin kur ato shfaqen, atëherë keni vetë-kontroll.

Empatia është aftësia e detektimit të emocioneve të tjetrit. Zakonisht individët me empati të lartë janë ata të cilët kanë shkathtësi në krijimin e raporteve me individ të tjerë në nivel emocional. Mirëpo empatikët e ndjejnë edhe mos-kongruencën tek të tjerët d.m.th nëse dikush projekton mbi-dozë të konfidencës mirëpo në realitet nuk është konfident, empatikët e ndjejnë këtë jo-kompatibilitet.

Motivimi është ajo shtytje psikologjike (drive) që ju bën të zgjoheni në mëngjes dhe mundoheni të arrini qëllimet që ja keni caktuar vetes. Shpesh ndodhë të thuhet se jemi të motivuar për diçka por për diçka tjetër jo. Është pra ajo shtytja e mbrendshme që buron në vet individin për të vepruar, që shpien në arritjen e caqeve. Motivimi zhvillohet me vetë-disiplinë dhe me ndërtimin e shtytjes psikologjike për arritjen e qëllimeve, qoftë personale apo profesionale.

Shkathtësitë sociale janë aftësitë e krijimit të raportit me individ të tjerë duke zhvilluar besimin me ta, duke menaxhuar konfliktin apo kritikat, si dhe aplikimin e vetë-konfidencës në mënyrë të shëndoshë. Vetë-konfidenca nuk duhet të përzihet me arrogancë pasiqë individët vetë-konfident nuk mundohen ta imponojnë autoritetin e tyre. Pikërisht për këtë thuhet se konfidenca është pa zë e jo-konfidenca e zëshme.

Sidoqoftë, atë çka mund të bëni është që së pari të njihni veten duke i eksploruar vlerat, principet personale, e paragjykimet, në mënyrë që të mundeni efektivisht të menaxhoni veten. Duke menaxhuar veten dhe emocionet tuaja, ju menaxhoni edhe raportet me të tjerët si dhe influenconi në mënyrë indirekte individët por dhe proceset në të cilat jeni.

admin

Artikujt e tjetrë