Kulturë

Zbulohen projektet për garën Best Pitch të PriFORUM

Një numër rekord prej 37 projektesh ambicioze nga rajoni në edicionin e nëntë të PriFest, në garë me projekte filmike (në fazën e skenarit) për Best Pitch Competition. Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnia&Hezegovina, Kroacia, Mali i Zi Turqia, Rumania dhe Serbia, kanë aplikuar për të fituar mundësinë që projekti i tyre filmik jo vetëm të garojë për çmimin “Vanessa Redgrave” në vlerën 1,000€ si dhe çmimin më të ri që u shtua këtë vit për shërbime postproduksioni për filmin fitues, marrëveshje kjo e lidhur në mes PriFest dhe kompanisë nga Afrika e Jugut DEEPEND Productions. Gjithashtu do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe trajnime falas nga ekspertët ndërkombëtarë  të industrisë së filmit, si për mënyrën e prezentimit të projektit (pitching) ashtu dhe për zhvillim të skenarit në bashkëpunim me Berlin Script Circle dhe për pozicionimin e filmit lidhur me mundësitë e koproduksionit me eksperten e financës nga EAVE, Linda Beath.

‘Jemi veçanërisht të lumtur që përveç numrit rekord të aplikimeve, kemi edhe aplikime nga më shumë shtete nga rajoni i Ballkanit. Përveç garës së projekteve Best Pitch, producentët, regjisorët dhe skenaristët do të mund të vijojnë një sërë trajnimesh dhe aktivitetesh gjatë PriFORUM-it. Do të ketë panele diskutimi mbi tema të rëndësishme mbi koproduksionet si eventi që e filluam vitin e kaluar, Prishtina Rendezvous, ku agjentët e shumtë evropian te shitjes dhe distribuimit do të takojnë autorët e projekteve filmike nga rajoni. PriFest dhe PriFORUM bëjnë atë që më së shumti i nevojitet industrisë filmike në vend, promovimin, prezantimin, trajnimin, mundësinë e njohjes dhe atë të bashkëprodhimit dhe shitjes finale të projektit filmik’ u shpreh Fatos Berisha, Drejtues i PriFORUM dhe Drejtor Artistik i PriFest.

Projektet e përzgjedhura për edicionin e 9 të Best Pitch Competition janë:

  1. WE ALL DIE NAKED nga Shqipëria, me regjisor dhe producent Iris Elezi dhe Thomas Logoreci,
  2. THE RETURN OF ELIJAH nga Serbia, me regjisor dhe producent Mladen Djordjevic dhe Milan Stojanovic
  3. SIRIN nga Mali i Zi me regjisor dhe producent Senad Sahmanovic dhe Jelena Miseljic
  4. LOOKING FOR VENERA nga Kosova me regjisor dhe producent Norika Sefa, Besnik Krapi dhe Belina Jano.
  5. RAM’S SKIN nga Kosova me regjisor dhe producent Dren Zherka
  6. LENA AND VLADIMIR nga Maqedonia me regjisor dhe producent Igor Aleksov, Ilija Ciriviri,Dejan Iliev, Aleksandar Rusjakov,
  7. HIVE nga Kosova me regjisor dhe producent Blerta Basholli, Ylli Uka,
  8. BLOK62 nga Kroacia Vanja Vascarac, Danijel Pek, Stjepan Hundic
  9. AN ANCIENT STORY nga Turqia me regjisor dhe producent  Bunyamin Duranoglu, Bedir Afsin, Ugur Can Gursozlu;
  10. NIK nga Shqipëria me regjisor, producent e skenariste Jotti Ejlli, Gent Prizreni, Mrika Krasniqi.

Ndërkohë gara Best Pitch është vetëm pjesë e një numri të madh aktivitetesh nën ombrellën e Prishtina Film FORUM-it, që është programi për industrinë filmike i PriFest.  PriFORUM – Prishtina Film FORUM, është platforma regjionale e industrisë së filmit dhe pjesë përbërëse e PriFest, do të mbahet në kuadër të festivalit, në datat 14-17 korrik.

Edicioni i 9 i PriFest mbahet nga 13-20 korrik 2017 në Prishtinë.

admin

Artikujt e tjetrë