Kulturë

Kur Jane Birkin, këndonte për Kosovën

Nga Luan Rama

19453162_10154421337072136_9034830251231580995_o

Jo rrallë fotografitë të kujtojnë histori, ngjarje, kohra, njerëz që kanë mbetur në kujtesë dhe që shumë vite më vonë, sapo të bije në duar një fotografi, gjithçka rigjallërohet, vjen në jetë, përjetohet sërrish, si në një film. Zërat rivijnë, atmosfera, dialogjet, muzika, gjithçka… Kjo gjë më ndodhi sërrish para disa ditësh kur një mike gazetare nga Tirana më dërgonte një fotografi nga ardhja e saj në Paris kur unë isha në ambasadë. Dhe duke kujtuar atë kohë, rigjeta një fotografi që kisha njëzet vjet pa e parë. Në vetvete, për të tjerët, ajo fotografi, veç portretit tim, tregon thjesht një një grup njerëzish në atmosferën e natës, ku diçka ndodh… dhe një pishtar të ndezur. Sigurisht të tjerët s’mund ta dinë se çfarë shohin ata në atë natë janari të vitit 1999. Vallë një grup njerëzish që këndojnë ? Madje ishte mesnatë. E gjithë ajo ditë ishte një ditë përkushtuar Kosovës, Kosovës martire që ndërkohë spastrohej etnikisht dita-ditës. Ishte një nga veprimtaritë më të mëdha të organizuara në atë kohë në mjediset e Les Halles, në zemër të Parisit, pranë Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës « Georges Pompidou ». Meqë Kosova ishte kthyer në një çështje internacionale dhe intelektualët francezë ishin shumë të ndjeshëm, Liri Begeja bashkë me ne u përpoq shumë që në këtë veprimtari të ishin personalitete me emër : dy balerina të Angjelin Prelocajt, Julie Bour dhe Nathaly Aveillan luanin gjithë hire në skenë «L’Anonciation»; Michel Piccoli, aktori mitik dhe prifti i Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur, në filmin e Taviolit, lexonte poezi të autorëve kosovarë bashkë me Dominique Blanc, aktoren e mrekullueshme që luante në filmin « Larg barbarëve », krah Timo Fllokos ; aktori franko-shqiptar Rexhep Mitrovica dhe Gesch Patti, interpretonin gjithashtu të shoqëruar me kitarrën klasike të Ehat Musës ; Inva Mula këndonte himnin e flamurit e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi, çka bëri që gjithë salla e Forum des Images të ngrihej në këmbë ; Tedi Papavrami interpretonte « chaconne-« n e tij të famshme, ndërsa aktorja dhe këngëtarja Jane Birkin, që kur hipi në skenë tha : « Ne po këndojmë sot për dashurinë që kemi për Kosovën », për ato « dashuri të coptuara » atje që kanë nevojë për ne. Dhe ajo recitoi e shoqëruar nga pianisti i famshëm Jeff Cohen… Një mrekulli e madhe ndodhte atë ditë në zemër të Parisit, ku fati e solli të isha bashkë me personalitete të tjera në debatet e aktivitetet, bashkë Jack Lang, ish ministrin e Kulturës, me personalitetet e Amnesty International, të « Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut », me Jusuf Vrionin e paharruar, Edi Ramën si minister Kulture e shumë të tjerë, e padyshim me “Comité du Kosovo”…
Kur veprimtaritë mbaruan ishte grupi i të rinjve « Maidi Roth » (Les Glotte-Trottes) që këndonin e luanin muzikë, ndërkohë që ne kërcenim. Dhe ja, një kërcim me Jane Birkin, ku të dehur nga gëzimi i atij pishtari që ndizej për Kosovën e mbytur në errësirë, unë e ngrija atë lart dhe e rrotulloja… ajo qeshte si nje vajzë njëzetvjeçare. Por më e habitshmja ishte se pastaj ishte ajo që donte të më ngrinte lart… Qeshja me vete dhe sigurisht nuk e lashë ta bënte këtë, se mos lëndohej, por ajo ishte vërtet e fuqishme… ishte një natë e paharrueshme, një përshëndetje për Kosovën që francezët do ta mbështesnin pastaj në luftën e saj dhe do ti hapnin portat e një vendi mikpritës… Ecja në rrugicat e Les Halles dhe mu shfaq çuditërisht poeti arvanitas Jean Moréas që kalonte netët me Apollinaire pikërisht aty duke folur për poezinë, lirinë botën. Moréas ishte idhulli i poetit të madh Apollinaire.
Një javë më vonë u lidha përsëri me Jane, e cila kur presidenca franceze donte ta dekoronte me Legjionin e Nderit ajo nuk e pranoi, duke u thënë se « ati im ishte një hero dhe vetëm heronjtë e meritojnë një dekoratë të tillë ». Ajo interpretonte ato javë në Théâtre de la Gaité të Montparnasse, në Rue Gaité një dramë të cilën e kishte shkruar vetë : « Ah ! Pardon, tu dormais ! » (« Ah, pardon ! Ti flije ! »…) me regjisorin Xavier Durringer. I propozova për një ndihmë konkrete për fëmijët e Kosovës. Shoqata CEMPEA kishte hapur një llogari ndihme dhe Birkin menjëherë më tha se paratë e disa shfaqjeve të saj do të shkonin për fëmijët kosovarë. Dhe një nga ato netë unë shkova ta shikoja në skenë. Po ndoqja dramën, Jane dhe partnerin e saj… Salla ishte plot.
« Gjëja më e keqe, – tha ajo, – është të jesh pranë dikujt që s’ti hedh fare sytë. – Unë të shoh ! – Jo, ti s’më sheh. – Të vështroj shumë mirë. – Ti më the se ke nevojë për syze ! – Faleminderit që shqetësohesh për mua. Vërtet, sytë më janë dobësuar. – Sa mirë, ti s’do ta shohësh mplakjen tonë. Nga afër do të të dukem vagët… – Do doja të të thoja se “edhe me rrudha” ti je e bukur! – Vetëm kaq ?… Edhe me rrudha ti je e bukur ! – Sepse unë kam rrudha. Se jam plakur ? – Edhe unë jam plakur. – Po ty s’të bëhet vonë ! – Faleminderit. A mund të fle tani ? – Jo, nëse s’më thua se të pëlqej… »
Dialogjet në skenë vazhdonin, dhe unë mendoja për të, për jetën e saj.

19396719_10154421337377136_5795360778043049934_n
Jane ishte vajza e një aktoreje dhe këngëtareje të njohur angleze, që gjatë luftës nuk u largua nga Londra por këndonte në skenë Nightingale sang in Berkeley Square. I ati, Davit Birkin, komandanti i marinës angleze “Royal Navy”, ishte heroi i saj, pasi ishte ai që e kishte mbrujtur me forcën e karakterit dhe frymën e solidaritetit njerëzor gjer në sakrificë, pasi pikërisht ai, gjatë Luftës së Dytë Botërore, vinte fshehurazi në brigjet bretone të pushtuara nga ushtria hitleriane, për të marrë aviatorët e mbetur në tokat e Bretagne-s. Që në adoleshencë, Birkin u tërhoq nga arti. Filmi i parë që interpretoi në Angli ishte krah Sir Ralph Richardson, aktorit të madh anglez dhe ky ishte një shans i jashtëzakonshëm. Pastaj vazhdoi me një komedi muzikore dhe pikërisht në këtë film ra në dashuri me aktorin John Barry, ndërkohë që ishte veçse 18 vjeç. Por ai më pas iku nga shtëpia dhe e la me një fëmijë në krah, Kate. E plagosur në shpirt, Birkin atëherë u kthye në familjen e atit të saj. Ajo do të luante gjithashtu në Blow up të Antonionit që mori « Palmën e Artë » në Cannes dhe ja : një regjisor francez kërkonte një partnere për protagonistin kryesor që interpretohej nga Serge Gainsbourg. Kështu anglezja e re erdhi në Francë dhe filloi interpretimin në sheshin e xhirimit, por komunikimi me Gainsbourg ishte tepër i vështirë, për më tepër që duhej të tregohej tepër e dashuruar, në një kohë që ai sillej keq me të. Një natë regjisori i ftoi të dy në një darkë dhe pastaj u largua për t’i lënë vetëm, dhe pikërisht ajo ishte nata e dashurisë së çmendur. Pas ashpërsisë së tij fshihej një brishtësi e jashtëzakonshme. Atë natë të vonë kishin shkuar në një hotel dhe pasi mori një dush, Birkin u kthye në shtrat pranë Gainsbourg, por ai ndërkohë flinte. E megjithatë të nesërmen nisi një aventurë dhjetë vjeçare shumë e lumtur. Ai sapo ishte ndarë me Brigitte Bardot, madje kishte blerë dhe një shtëpi në Rue Vernuil, por Brigitte i iku… tashmë ishte ajo që do të hynte në të… Edhe pas ndarjes me Gainsbourg, jeta e Birkin do të vazhdonte midis aktrimit, këngës, disqeve muzikore, teatrit…
… Kur drama përfundoi, duartrokitjet pushtuan sallën. Pastaj unë mora buqetën e madhe me lule, kalova anash korridorit të sallës dhe u ngjita në skenë. E përshendeta atë dhe publikun dhe iu thashë njerëzve të pranishëm se sa shumë i detyrohemi ne shqiptarët kësaj artisteje humaniste. U përqafuam. E ndjeja gëzimin e saj dhe ajo ndjente thellë mirënjohjen time.
Kur dola nga teatri, ecja në rrugën Gaité, në atë rrugë që kishte pesë teatro, mes të cilave dhe “Comedia del’Arte” dhe mendova menjëherë për Isadora Duncan. Edhe ajo pothuaj para një shekulli interpretonte në të njëjtën skenë teatri. Pastaj, pas tragjedisë së fëmijëve të saj, bashkë me të vëllanë Raymond Duncan, ajo shkoi në Sarandë, në Santi Quaranta, ku ngritën një tendë dhe ku për muaj me rradhë, gjatë tragjedisë së madhe të Luftës Ballkanike, ndihmuan fëmijët refugjatë, nënat që s’kishin me çfarë të ushqenin fëmijët, ndërtuan një furrë buke, vendosën një tezgjah që gratë të endnin qylyma që ata i shisnin në Angli, në mënyrë që ato të mund të jetonin… Një përkushtim për shqiptarët në nevojë. E habitshme ky pikëtakim artistesh për fatin e një kombi.
Vështrova rastësisht këtë fotografi dhe i shkruaj këto rradhë për këtë artiste, e cila pas vdekjes së vajzës nga leucemia, tashmë është ajo që është prekur nga e njëjta sëmundje. Kjo grua me shpirt të madh di ta mposhtë dhimbjen dhe unë uroj që jeta e saj të jetë e gjatë dhe e mbushur me dashurinë jo vetëm të familjes së saj, por dhe të publikut europian që vazhdimisht e ka çmuar jo vetëm për artin e saj por dhe për angazhimin e vazhdueshëm humanist!

admin

Artikujt e tjetrë